Shigjete

26 Nentor, kur toka dhe ëndrrat shkunden

Nga Denila Zera

Mbrëmjeve në Tiranë, kur kthehesh nga puna në shtëpi , zakonisht rrugët janë të mbytura në trafik, ka ajër të rëndë dhe zhurmë të vazhdueshme, që të rikujton se nervat vërtetë janë lodhur prej kohësh. Je i detyruar të luftosh me veten dhe shqisat e tua edhe një herë. Ti vazhdon përpara me shpresën se të pret një ambient i ngrohtë, familja jote pret për ty. Bashkëshorti, fëmijët, gjyshërit. Ka një ndjesi jashtëzakonisht të bukur kur je jashtë derës, troket, dhe e di se do të presin brenda me mall, me gëzim që u ktheve, me përqafime që janë të vërteta.


Pas derës nuk gjenden vetëm mure, nuk është vetëm një strehë që të siguron mbrojtje nga koha që bën jashtë , aty gjenden të dashurit, ata njerëz që ndajnë gjithçka me ty. Janë ata që përpiqen fort për ty, mbajnë barrat, e që dinë të duan në mënyrë të pakushtëzuar. Brenda ndërtesave, janë momentet e lojës, të gëzimit e trishtimit, të pikëpyetjeve të mëdha, të orëve të kaluara përpara ekranit duke shijuar një film të gjithë bashkë. Brenda shtëpisë tënde, ndihet aroma e gatimeve, shtrohet tryeza që i sjell të gjithë bashkë, ndahet ushqimi dhe bashkë me të dhe zemra. Shumë gjëra ndodhin brenda në shtëpi. Aty gjendet oazi i paqes për shumë prej nesh. Vendi ku flemë të qetë. Kështu ishte të paktën, deri më 26 nëntor.

Tërmeti i orës 3:54, lëkundi vendin dhe na shkundi nga ëndrrat. Vërtetë toka dukej një pijanec, që hidhte një valle të cmendur, të pasigurt. Njeriu kupton se është i paaftë të hedh sikur një hap që do ta çonte diku ku do të ishte krejtësisht i paprekshëm. Nuk ka siguri. Nuk ka dallim nëse je i mençur apo i marrë, nëse ke shumë apo pak, nëse je i ri apo plak. Nuk ka më rëndësi asnjë ëndërr,asnjë arritje, asnjë pushtet njerëzor. Ti dridhesh bashkë me tokën e cila turfullon mallkimin që ka rënë mbi të . Çfarë do të ndodhë? Vetëm mund të lutesh “Zot , qëndro me ne. Zot,mos na lër. Zot, mbaj dorën. Ti me ne. Mos na lër.” Ndërkohë mundohesh që fëmijën ta mbulosh me trupin tënd, e vetmja mbrojtje që mendon se mund të ofrosh.

Në pak sekonda ke kuptuar vërtetë kush je, në pak sekonda idhujt janë thërrmuar. Pasi ke pritur që të bjerë gjithçka në tokë dhe kupton se Zoti ta kurseu këtë, me trupin që dridhet nuk e kupton si arrin të vishesh, të marrësh gjërat më të nevojshme. Gjithçka u thua të tjerëve është: “Duhet të zbresim, duhet të zbresim tani. Nuk ka rëndësi se çfarë lëmë pas, rëndësi ka të ikim tani. ”

Dhe qyteti ishte kaq i populluar që në orën 4 të mëngjesit. Kafenetë plot. Të gjithë kishin nevojë për të gjithë. U desh pak kohë deri sa të kuptoje se dëmet kishin qenë shumë më të mëdha , fare pak larg Tiranës. Ishte një tmerr. Sytë e fëmijës qëndrojnë në zbrazëti për dy orë , ai qëndron zgjuar në lokal, ku ka shumë njerëz, por nuk bën asnjë zë. Pastaj gjumi e mund në karrocë dhe fle . Duket kaq i paqtë. Për të gjithë shpërndahet kafe. Duhet mbledhur zemra. Telefonat nuk pushojnë: “A dolët, a jeni të gjithë mirë?”

Gjithë çfarë vijoi është e njohur. Irracionalja mori frerët në dorë, frika u bë një lak, e pavetëdijshmja kërkonte të shkoje diku ku nuk kishte lëkundje. As tërmetit dhe as vdekjes nuk mund t’i ikësh. Por një pjesë e mirë e qytetarëve të Durrësit dhe Tiranës u nisën për diku, mjaft të ishin larg nga zona e prekur. Cdo paslëkundje, dridhte shumë më shumë shpirtin se tokën. Të gjithë ishin të vetëdijshëm se ana psikologjike kishte nisur të shndërrohej në një kosto të madhe për ekuilibrin dhe qartësinë e të menduarit.

Megjithatë nuk mund të arratisesh përgjithmonë. Besoj se shumëkush ka ndjerë mall për rutinën, për të cilën ndoshta më parë është ankuar. Unë kam ndjerë frikë për jetën e fëmijës tim, të njerëzve pranë shpirtit. Gjithçka është e përkohshme. Kam kuptuar se bëhemi skllevër të disa projekteve dhe dëshirave që as na hyjnë në sy në caste si këto. Jeta ime vërtetë i ngjan një avulli, unë jam si një fije bari që sot është dhe nesër hidhet tutje, nëse Perëndia nuk do t’i kthente sytë. Bota do kalojë bashkë me dëshirimin e saj dhe po ashtu do ikin ditët e mia.

Çfarë ishte me e nevojshme në këto momente kur toka lëkundej nën këmbë? Ishte lutja drejt Perëndisë tim, një Zoti të fuqishëm dhe të mirë, që bën të mundur që dielli ende të ngrihet çdo ditë, që shiu të bjerë mbi të drejtë dhe të padrejtë. Ai po sillet ende mirë me ne. Shumë më mirë se çfarë meritojmë.

Po, unë kam pasur frikë. Unë jam njeri, jam e dobët. Por Zoti im nuk ndryshon. Sot nëse dëgjon zërin e Tij,mos e ngurtëso zemrën tënde. Le të pendohemi , të besojmë në veprën më të madhe të dashurisë që Perëndia ka bërë për ne, që është vdekja e Jezusit në kryq për mëkatet tona dhe të shijojmë mirësinë e Tij. Zoti është i mirë, Ai është Perëndi i Qiejve. Një ditë toka mund të shkatërrohet e gjitha, ti ke nevojë të qëndrosh mbërthyer tek një shkëmb që nuk tundet. Emri i Tij është Jezus. Kthehu dhe beso sot, nuk e dimë se kur fija e argjendtë që na mban në jetë, thjesht këputet.

Denila Zera eshte diplomuar ne fushen e Marredhenieve Publike dhe Komunikimit, dhe prej tre vitesh punon ne Radio 7 fillimisht si moderatore e emisionit te mengjesit “Zgjohu Pozitiv”, edicionin informativ etj. Ajo eshte nje bashkeshorte dhe nene e perkushtuar dhe ka pasion te sjelle te bukuren dhe vlerat e qenesishme te jetes, duke marre shkas nga vezhgimet apo detajet e perditshmerise. Artikulli eshte postuar me lejen e autorit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Pin It on Pinterest

Share This