Nje fitore qe na ben te gjitheve fitimtare: Rio 2016

Këtë javë që kaloi rrjetet sociale dhe media kanë qenë duke pasqyruar Lojërat Olimpike ne Rio. Edhe pse në krahasim me Euro 16, Rio ka patur një interes më të vogël në shikueshmëri apo komentim në rrjetet sociale, prapë se prapë do të thosha që për nga pesha e historive personale të atletëve fitues apo pjesëmarrës, Rio përfaqson një thesar shembujsh të atyre që kanë qëndruar, këmbëngulur dhe kanë fituar përmbi dobësitë dhe pengesat.

Kush nuk do të binte dakort me mua ndërsa do të kujtonim Yusra Mardinin, notaren 18 vjeçare siriane e cila mori medaljen e artë që në ditët e para. Historia e saj ishte një histori njerëzore e pakrahasueshme. Një heroinë që medaljen e artë të parë e mori kur shpëtoi fatin e 20 refugjatëve si ajo, në ujërat e egër të detit Egje tek arratiseshin prej luftës në një vend më të mirë. Yusra bashkë me të motrën do të hidheshin në ujin e ftohtë dhe për 3 orë rresht do të shtynin varkën me 20 njerëz deri në ishullin Lezbo.  Ajo që më prek në këtë histori nuk është thjesht aftësia e tyre, as guximi, por vetëmohimi, dashuria dhe vendosmëria për të shpëtuar të njëzetë shpirtrat që ishin më to. Duke u vënë në shërbim të të gjithëve duket sikur ato thanë se ose shpëtojmë të gjithë, ose vdesim të gjithë. Ato nuk menduan vetëm për vete.  Dhe nuk kërkuan ndonjë trajtim të veçantë për shkak të heroizmit të tyre. E panë atë si një detyrë që nuk mund ta anashkalonin.

Gjithmonë do të kujtoj- thotë ajo,- se po të mos ishte për notin, unë sot nuk do të isha gjallë nëse do të isha mbytur me atë varkë. Është një kujtim pozitiv për mua”

Ndërsa gëzimi kombëtar për fitoren e Majlinda Kelmendit do të më bënte të mendoj për çfarë do të thotë të jesh i përfaqësuar, pse fitorja individuale e një njeriu të vetëm do të na bënte të gjithëve të ndiheshim të fituar, edhe pse asnjë nga ne të tjerët që ndajmë fitoren me të, nuk ka derdhur as mundin, as djersën e Majlindës. A nuk është ky një mister? Duke përfaqësuar vendin e saj, Majlinda, ashtu si çdo sportist tjetër, përfaqësoi secilin prej bashkëatdhetarëve të saj të Kosovës, por edhe gjithë shqiptarët kudo që janë. Gati të gjithë ne u krenuam dhe gëzuam me fitoren e saj. Humbja e saj do të ishte edhe humbja jonë. Fitorja e saj, fitorja jonë. Ne të gjithë mund të themi me të se kemi marrë medaljen e artë.

Kjo më kujton një tjetër ndeshje në arenën njerëzore. Një ndeshje disi më ndryshe, por me shumë peshë emocionale, politike për vetë karakterin e saj dhe figurat e përfshira. Një njeri I vetëm që u ndesh me vdekjen për të gjithë ne. E duke fituar, Ai ia transferon fitoren çdo kujt që zgjedh të identifikohet me të, të veshë ngjyrat e “flamurit” të tij. Shpesh njerëzit çuditen e argumentojnë se si ka mundësi që ndëshkimi  dhe fitorja e një njeriu të vetëm të kthehet në shpengim e fitore për këdo tjetër. Por është kaq e thjeshtë miqtë e mi. Nëse ndeshja dhe fitorja e Majlinda Kelmendit ju bën të gjithëve fitimtarë, nëse vetëmohimi dhe sakrifica e fitorja e Mardinit bëri që 20 shpirtra të tjerë që veç ndenjën në varkën që ajo dhe e motra po shtynin me besimin se ato do t’i nxirrnin në bregun tjeter, po kaq e thjeshtë është që ky njeri i quajtur Jezus i Nazaretit, i cili u ndesh me vdekjen dhe fitoi, ka ndarë fitoren e tij me këdo që do të zgjedhë të identifikohet me të.

E ndërsa jehona e Rios dhe medaljet e arta zgjatin për pak kohë, jehona e Tij ka përshkuar brezat, shekujt deri në ditët tona dhe fitorja e tij ka transformuar miliona jetë që kanë vendosur të identifikohen me vdekjen dhe ringjalljen e tij.

Po ti sot, ku e gjen veten në lidhje me këtë fitore historike? Cfarë të pengon që ta bësh të vetën dhe të identifikohesh edhe ti me të?

Rudina Bakalli

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

×
Share This