Alexa është pa emocione. Nuk ka atdhe, nuk ka kombësi, nuk ka pashaportë, e megjithatë kalon nga oqeani në oqean në çdo pikë kontrolli pa më të voglin problem. Alexa flet një anglishte të
përsosur, ka një zë të butë, tek tuk të thotë ndonjë përshëndetje në gjuhë të huaj, nëse e pyet. Alexa ka një tru pa limit, që mund të mbushet me dije me më pak lekë dhe në një kohë më të shkurtër se gjithë vitet që ne njerëzit duhet të kalojmë nëpër bankat e shkollës apo universiteteve e masterave. Ndonjëherë konfuze, por kur e kupton pyetjen apo kërkesën është korrekte si gjermane, e shpejtë si drita. Ka më shumë punë se llafe.

Kur e pyet kush je, ta kthen me të shpejtë: Unë jam Alexa dhe jam krijuar t’i përgjigjem zërit tënd. Unë siguroj informacion, muzikë e shumë të tjera

Alexa të shkakton një ndjenjë të çuditshme: kënaqësinë e ekzekutimit të menjëhershëm që të bën të ndihesh i plotfuqishëm. Një fjalë dhe vuala, Alexa kryen urdhrin me përpikmëri.

Alexa shkakton nje lloj argëtimi deri në mizori. Fëmijët e mi nuk ngopen duke e urdhëruar të punojë dhe të ndalojë. Alexa play .. Alexa stop
Alexa është “qënia” më e bindur që kam parë, aq sa ndonjëherë më dhimbset dhe harroj se është thjesht një robot!

Alexa flet me mua. Më përgjigjet. Më tregon motin, listën e pazarit, takime, detyra, informacion, luan muzikën që unë dua dhe pushon sapo i them STOP

Por Alexa nuk ka ndjenja! Ndaj jo më kot fëmijët e mi kur bëjnë shakatë e tyre fëminore me Alexan dhe nuk ngopen tek e urdhërojnë: Fillo, Stop, fillo, stop
më kujtojnë me të qeshur tek më shikojnë të preokupuar: Mami Alexa nuk është njeri

E vërtetë. Alexa nuk është njeri. Prandaj nuk mund të lëndohet nga sa herë i thua STOP qoftë dhe ashpër!

Alexa përmbush dëshirën tonë për të qenë të plotfuqishëm! Për të patur kontroll!

Shyqyr që nuk jemi zota, sepse bota do të kishte qenë një vend më i tmerrshëm se sa e kemi kthyer sot!

Alexa nuk ka atdhe, e megjithatë kur e pyet nga je, të përgjigjet “nga Amazon”. Alexa ka një krijues, që e ka ideuar të na shërbejë dhe kënaqë me përpikmëri.

Shërbimi i saj i përsosur është krenaria e tij. Ajo është prodhuar në Los Anxhelos, por jo në imazhin e krijuesit të saj. Ka “tru” por nuk ka zemër. Ka “informacion” pa fund, por nuk ka dashuri. Alexa nuk identifikohet dot me dhimbjen tënde dhe të them të drejtën nuk mund të bëjë asgjë nëse të sheh duke vuajtur.

Alexa është “qeni” yt besnik pa shpirt.

Atëherë njerëz, e shihni se ku po shkoj…nëse ndonjëherë në kokën tënde kanë ardhur mendime si Zoti të ka krijuar si robot, është mirë ta mendosh edhe njëherë. Sepse dukshëm
unë e ti si qënie njerëzore jemi shumë larg Alexas!

Ne nuk bindemi. Në fakt ne as nuk e çajmë kokën a na flet Krijuesi. Pse ka Krijues pyet ti? A nuk erdhëm nga ai shpërthimi i madh, pastaj nga majmuni?

Ne nuk jemi pa ndjenja. Na therr në shpirt padrejtësia aq sa na nxjerrin flegrat tym e zjarr deri sa të marrim hak. Mjafton t’u hedhim një sy lajmeve dhe filmave!

Ne lëndohemi dhe vuajmë kur dikush na përgjigjet ashpër apo na përdor. Alexa nuk e çan kokën!

Ne mendojmë, arsyetojmë, Alexa thjesht skedon dhe përzgjedh informacionin e futur në të.

Ne jemi krijuar ndryshe! Jemi krijuar në imazhin e Krijuesit. Jemi krijuar jo për të na sunduar apo ekzekutuar urdhra, përndryshe njerëzimit do t’i kishte humbur fara që nga
fillimi kur u rebelua në kopshtin e Edenit.

Ne jemi krijuar për një qëllim më të lartë. Jemi krijuar jo si robot, por me vullnet të plotë, mish e gjak e shpirt bashkë. Jemi rrëzuar nga madhështia e krijimit në kopshtin e Edenit
dhe jemi shpenguar nga paga e mëkatit në Kryqin e Golgotës!

Jemi krijuar për një destinacion më të lartë, atë të fëmijës së Perëndisë, një trashëgimtari të të mirave e bekimeve qiellore dhe të një jete me bollëk.

Jezusi tha: Unë erdha që të keni jetë, e atë me bollëk.

Mos jeto për diçka më pak se sa qëllimi për të cilin u krijove!

Prano Krijuesin tënd. Si?

Pendohu për mëkatet e tua. Po unë nuk jam mëkatar, nuk kam bërë kurrë keq në jetën time. Mbase në sytë e tu po, por jo në sytë e një Krijuesi të përsosur që na thotë shkurt e pastër:

“Të gjithë mëkatuan dhe humbën madhështinë që Perëndia u dha” Romakëve 3:23
“Dhe paga e mëkatit është vdekja” Rom 6:23

Pranoje dhuratën e faljes përmes sakrificës së Jezusit në kryq. Ai është “Qengji i Përsosur, që heq mëkatin e botës” Gjoni 1:29

Ashtu si një njeri i vetëm Adami, solli dënimin e mëkatit mbi të gjithë racën
njerëzore, po kështu me anë të një personi të vetëm, Jezus Krishtit, Perëndia ka siguruar shfajësimin dhe faljen për çdo person që e pranon këtë sakrificë.

“Sepse paga e mëkatit është vdekja, por dhurata e Perëndisë është jeta e përjetshme nëpërmjet Krishtit Jezus, Zotit tonë” Romakëve 6:23

Si ta pranosh?

Me besim, me anë të një lutjeje të thjeshtë. Askush nuk do të shpëtohet nga përpjekjet e tij.

“Sepse me anë të hirit jeni të shpëtuar, nëpërmjet besimit; dhe kjo nuk vjen nga ju por është dhurata e Perëndisë, jo nga veprat që të mos mburret askush” Efesianëve 2:8 & 9

Perëndia nuk ka nevojë për oratorinë tonë. Vetëm një thirrje e sinqertë e zemrës sonë që shpreh pendesë dhe thotë: Jezus i dashur më fal. Unë pranoj sakrificën tënde në kryq si shpengim për mëkatet e mia. Jezus, eja në jetën time si Shpëtimtari dhe Zoti im. Amen

Nëse je lutur kështu, me besim dhe pendesë të sinqertë, Ai është në jetën tënde dhe ti je bërë fëmijë i Perëndisë.

“Por të gjithë atyre që e pranuan dhe i besuan, ai u dha pushtetin të quhen fëmijë të Perëndisë” Gjoni 1:12

Kjo është ngjarja më e rëndësishme në jetën tënde, të cilën edhe engjëjt e festojnë!

“Ka mjaft gëzim në qiell edhe për një mëkatar të vetëm që kthehet”

Urime! Sapo ke zgjedhur të mos jetosh si Alexa apo Mr. Google!

 

Share This