E dashur Gylseren

Nuk mund ta fsheh, mua nuk më vjen aspak keq për ty. Edhe pse jeton në një lagje të varfër, në një botë të vështirë, me një kunatë shtrigë dhe një fëmijë që e dije tëndin e që nuk do të të shohë tani me sy; një burrë që nuk u bë i gjallë për 10 vjet por papritmas është marrosur prej teje, dhe një vajze biologjike që nuk ka provuar kurre urinë, por është gati të kthehet në lagjen tënde të varfër e të hajë kukurecë e speca djegës gjithë jetën. Mua nuk me vjen keq për ty, në të njëjën formë që i vjen keq atij që ka prodhuar një personazh si ti.

Ai ka marrë një mision të të shpëtojë nga hallet dhe varfëria duke të të sjellë “princin e kaltër”.  Ah, princi yt! Është i rraskapitur nga një grua në dukje zonjë, me një klas e vetëpërmbatje për t’u patur zili, por sipas penelit të tij egoiste sepse mendon  vetëm për pasurinë. Princit tënd nuk i hyn në sy pasuria, megjithëse është thinjur  për ta shtënë dhe fituar  “me ndihmën e zgjuarësinë e tij dhe jo të babait! “

Krijuesi yt Gylseren do që të na vijë keq jo vetëm për ty, por edhe për princin tënd. Ndaj ka vendosur ta shpëtojë nga duart e një gruaje egoiste dhe ta sjellë në krahët e tu, sepse ti e ke mahnitur me “virtytet” e tua që i shfaqe të gjitha në një takim të vetëm! Ne duhet të na vijë keq për ty deri në atë pikë sa në emër të varfërisë e vuajtjeve të tua të gëzohemi tek afrohesh me burrin e dikujt tjetër!

E dashur Gylseren, mua më zjen gjaku kur të shoh. Kur të shoh se nuk e ke problem të dalësh me burrin e një gruaje tjetër, që nuk e ke problem të të rrahë zemra për të dhe të kaplohesh nga  ankthi e parandjenjat e këqia për jetën e tij, e të hidhesh nga gëzimi se ai është gjallë, sikur të ishte burri yt! Dhe krijuesi yt do që të gëzohemi edhe ne me ty!

Unë trishtohem që nuk e ke problem të shpresosh kur ai të thotë se nuk e do gruan e 18 viteve, por ty që sapo të ka takuar! Më zjen gjaku dhe revoltohem deri në palcë jo nga ti, por nga krijuesi yt. Sepse krijuesi yt nuk ka respekt për dashurinë, në fakt ai as nuk e njeh atë, por kam frikë se me pikëpamjen e tij të deformuar, po helmon qindra mijëra gra e burra shqiptarë që të ndjekin ty.

Për krijuesin tënd dashuria është një shikim i çastit, një send që e shkëmben pa problem me këdo të “kryqëzohet” fati! Për të nuk ka rëndësi nëse ai/ajo i përket dikujt tjetër. Për të tradhëtia  është e legjitimuar. Për të mund të ia vësh syrin kujtdo që kalon në rrugë e të pëlqen, nën pretekstin e fateve të kryqëzuar.

Une revoltohem me krijuesin tënd, sepse krijuesi yt do të na mbushë mendjen që një shoqe e mirë të ndihmon fshehtazi për të të bashkuar me burrin e një tjetre! Ajo shoqja e mirë nuk të ndihmon të kthehesh në shtëpi e të ndërtosh familjen tënde, ajo hap derën për ty për të ta lehtësuar arratisjen nga familja jote!

Cfarë duhet të mësojnë vajzat dhe gratë prej teje Gylseren? Cfarë të mësojnë burrat nga ti Xhihan?

Nëse duhet të mësojnë diçka ajo duhet të jetë kjo : Dashuria nuk është thjesht një emocion, as parandjenjë, as  vetëm shkëmbim shikimesh, as xixa në sy apo flutura në bark. Dashuri nuk mund të quhet ajo që ngrihet duke thyer e shkatërruar një fole tjetër. Sepse dashuria e vërtetë nuk shkatërron, nuk tradhëton, nuk braktis. Ajo lufton e përleshet me sfidat deri në frymën e fundit.  Dashuria nuk është për dembelët, por kërkon përkushtim, ashtu si një kopësht i lulëzuar që do të vyshket e humbasë bukurinë nëse kopshtari fle gjumë dhe harrohet në përtesë. Romanca mund të shuhet, por dashuria jo. Kur dy zemra kanë lidhur besën që të jenë bashkë në të mirë e në të keq, romanca rindizet brenda vatrës se saj dhe jo në një vatër tjetër. Dashuria ka stinët e veta. Mos iu tremb dimrit dhe as mos ik prej tij, sepse dimër nuk do të thotë shuarje as vdekje, por përgatitja për shpërthimin e pranverës.

© Shigjete dhe Shigjete.com, 2014-2016.Përdorimi apo dhe/dublikimi i këtij materiali pa leje të shkruar nga autori dhe/ose zotëruesit është plotësisht e ndaluar. Artikujt dhe linqet mund të përdoren, vetëm nëse kreditet i jepen autorit Rudina Bakalli dhe Shigjete.com me adresën specifike të përmbajtjes origjinale

 

 

 

 

 

 

Rudina Bakalli

×
Share This