E kujt ishte Dea?

E kujt ishte Dea?

E kujt ishte kjo vajzë, kaq e vuajtur dhe prapë kaq e ëmbël, e refuzuar por gjithë dashuri, jetime edhe pse me babë, e prapë rrezaton mirësi edhe pse zemra i është thyer nga një baba që nuk pranoi ta njohë as zyrtarisht. Kush ishte ky baba që nuk donte të njihte një vajzë të tillë, një vajzë që shkëlqente tek fliste me aq maturi e ëmbëlsi, me ato sy si një det i thellë dhe atë buzëqeshje aq fisnike, me atë delikatesë se si kërkonte falje kur nuk mund të vazhdonte të fliste prej lotëve. Kush ishte ky baba që me vullnet të plotë ia mohoi dashurinë dhe kujdesin një fëmije si ajo? Kush është ai dhe si ndihet sot? A e vret ndërgjegjia që jo vetëm e ka braktisur por që nuk ka dashur ta njohë kurrë, dhe që ka zgjedhur të jetë për të një i huaj?  

Kushdo që e ka parë sot Dean, kushdo që e ka parë nënën e saj, jam e sigurtë që është përlotur bashkë me to, si unë. Një histori njerëzore shumë prekëse, që të bën të mendosh për ato qindra apo mijëra jetë të tjera të cilat mbartin barrë e peshë që shumë pak i dinë.

Kur historia e tyre u mbyll mbeta me një barrë në zemër. Nuk mund të mbyllej kështu. Nuk mund ta linin të  shkonte në shtëpi vetëm me një premtim se ajo do të ndihmonte mamanë.  Nuk do të dilte askush ta shpengonte këtë vajzë? Nuk mund të përshkruaj cfarë kam ndjerë kur ndoqa suprizën e organizuar per te.

Një mbyllje shpenguese që më bëri të mendoj për ato histori të tjera të cilat nuk i dimë por që presin shpengim. Më bëri të mendoj për Perëndinë si një At shpengues.  Ai nuk është indiferent as i ftohtë ndaj dhimbjes njerëzore, as i papërgjegjshëm si ky at tokësor që nuk e ktheu kokën pas kur u thirr emri i vajzës së tij. Ai është një Perëndi clirues që sheh padrejtësinë dhe kënaqet të na bëjë mirë.  Mjafton vetëm t’i thërrasim Atij.

Libri i psalmeve është një ditar i klithmës së njeriut dhe clirimit të tij sa herë që i thirri Perëndisë. “Ky i përvuajtur i klithi Perëndisë dhe Ai e cliroi nga gjithë makthet e tij” “Unë i klitha Zotit dhe Ai më dëgjoi. Më ngriti lart nga një gropë e thellë, i vuri këmbët e mia mbi një shkemb. ..Më fshehu në dhomën e tij të fshehtë deri sa të kalojnë fatkeqsitë”

Perëndia është një At i dhembshur. Ai nuk na braktis asnjëherë sepse ka premtuar: “Kurrë nuk do të të lë, kurrë nuk do të të braktis” “Më thirr ditën e fatkeqësisë tënde dhe unë do të të cliroj dhe ti do të më përlëvdosh”

Perëndia është një Perëndi shpengues, i cili kthen dhe situatën më të pashpresë në një situatë triumfi. Sot teksa shihja suprizën që priste Dean jashtë ambienteve të televizionit Klan, mendova për surprizat që Ati ynë ka ruajtur për ne dhe për historinë më të jashtëzakonshme të shpengimit përmes asaj që Jezusi ka bërë për ne. Me sakrificën e tij në kryq ai bëri të mundur që të gjejmë një identitet të ri si bijë të adoptuar të Perëndisë. Ndërsa pranojmë sakrificën e tij dhe vendosim besimin tonë në të, Ai na jep të drejtën të quhemi bijë të Perëndisë (Gjoni1:12). Dhe një bir nuk është një skllav, por trashëgimtar i të gjitha bekimeve qiellore. Ai jeton me shpresë dhe forcë dhe është destinuar të jetojë në fitore.

Të mos humbim zemër por t’i thërrasim. Ta vëmë fatin tonë në duart e Tij sepse Ai merakoset për ne.

 

Rudina Bakalli

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

×
Share This