Ne i duam heronjtë, sidomos ata heronj që janë nga gjaku ynë, kombi ynë. I duam sic duam një trofe apo një medalje. I duam dhe krenohemi me ta sepse ndihemi se bashkëkombësia na ndihmon që lavdia e tyre të shkelqejë sadopak edhe mbi ne. Jam shqiptar. Dje këndova në Vatikan. Shkëlqeja, rrëzëllija. Ndërsa unë pyesja pas ekranit: A beson në ato fjalë të fuqishme që po këndon?

Ne duam heronjtë, i shenjtërojmë, u citojmë fjalët, poezitë edhe pse ajo që ata bën as nuk krahasohet me atë që kryeheroi i tyre bëri në tokë. Por atë e kryqëzuam. Nuk e nderuam, nuk e ngritëm lart, edhe pse shërbeu më shumë se askush tjetër, dhe e dha jetën e tij për të gjithë ne. Atë e kemi lënë mënjanë. Pse?

A është ai një hero më pak? Apo është një hero fantazmë? A dyshon që ai jetoi? Historia njerëzore u nda me të. Ai i dha emër epokës së re. Historia u nda në para dhe pas tij. E megjithatë nuk ia citojmë fjalët aq sa ia citojmë dikujt tjetër. Pse na pëlqen të projektojmë hijet dhe jo dritën nga marrin jetë hijet?

Shpesh e kam gjetur veten duke pyetur: përse na duhet të mbahemi tek vendimi i këtij apo atij personazhi të njohur për të thënë se duhet t’i besosh Krishtit? A është Krishti më pak pa ta? A i japin ata më shumë vlerë sakrificës së tij? A na duhen vepra të tjera shtesë? Sa më shumë personazhe ka që nuk i besojnë atij? A e zhbën mohimi dhe indiferenca e tyre dashurinë dhe dhuratën e jetës që është në Jezus Krishtin?

Po a mund të jetosh pa të, edhe sikur gjithë bota t’i kthejë krahët?!

Edhe pse nuk e shoh, unë e di që është. Është në zërin e butë që i flet zemrës sime kur është e trazuar apo e shqetësuar. Është përgjigjia e lutjes, favori dhe mrekullia kur gjithë dyert janë të mbyllura. Është forca që ndjej kur jam e dobët. Është shërimi që marr kur doktorët nuk dinë si ta shpjegojnë. Këto të gjitha janë si gjethet që lëvizin e më tregojnë se po fryn erë- atë erë të cilën nuk e kap dhe nuk e shoh, por që e ndjej në gjithcka që lëviz rreth meje.

Ne jemi mësuar të bëjmë heronj. Ata të vërtetët i ulim, i kryqëzojmë. Jemi mësuar të bëjmë elozhe e thurim hymne edhe në emër të qiellit. Themi edhe fjalë që i takojnë vetëm Atij të na i thotë. Vetëm Ai ka të drejtë të thotë në fund: të lumtë shërbëtori im besnik. E megjithatë ne nuk ngurojmë të ia marrim nga goja, e të nxitojmë të presim shiritat. A nuk kemi frikë se po sillemi si zota?

Unë e di që ka vetëm një mënyrë si shkojmë në qiell, dhe marrim aprovimin qiellor: Jo me veprat tona, që askush të mos mburret por vetëm me anë të hirit me anë të besimit në vdekjen dhe ringjalljen e Jezus Krishtit.

E kur i dorëzohemi Atij plotësisht, kur lejojmë që jeta e Tij të derdhet përmes nesh, nuk bëjmë tjetër vec dëshmojmë atë që Ai tashmë na e ka thënë se ne jemi vepra e tij e krijuar për veprat e mira të cilat ai i parapërgatiti që ne vetëm të ecim në to. Në fund meritën nuk e ka ai që eci, por arkitekti që projektoi rrugën përmes së cilës ece. Ky është Perëndia. Vetëm Ai meriton lavdërimet tona!

Ajo që i dallon heronjtë e besimit është se ata nuk synuan të na drejtojnë tek vetja, në fakt gati të gjithë prej tyre patën një pikë të errët në jetën e tye, por ata të gjithë ditën të dorëzohen plotësisht tek Ai të cilit i besuan aq shumë që t’i ringrinte edhe nga hiri për t’i përdorur në mënyra të paimagjinueshme. Ata u dorëzuan pa rezerva duke i besuar se Ai kishte më të mirën për ta. Jeta e tyre dëshmon se Ai, Perëndia është besnik dhe shpërblenjës i atyre që i besuan Atij.

“Ju në fakt jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhuntia e Perëndisë, jo nga vepra, që të mos mburret askush. Ne në fakt jemi vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira që Perëndia përgatiti që më parë, që ne të ecim në to” Efesianeve 2:8-10

Share This