Laramanizmi: A je ti nje prej tyre?

Para disa vitesh ndërsa lexoja biografinë e Nënë Terezës, më kapi vëmendjen një term që ishte i panjohur për mua deri në atë kohë: laramanët. Laramanët ishin shqiptarë që jetonin në Maqedoni, të cilët ishin konvertuar vetëm së jashtmi në islam, por brenda shtëpive të tyre ndiqnin ende traditat e krishtera. Nëse do t’i takoje në rrugë ata nuk do të kishin asnjë dallim nga muslimanët e tjerë, gratë me citjane e shami në kokë. Fenomeni i laramanizimit u shfaq në Shqipëri dhe madje në krejt Ballkanin në shekujt e parë të pushtimit Osman. Ka disa teza në lidhje me shfaqjen e këtij fenomeni, disa studjues do ta shpjegojnë lindjen e tij me përpjekjet e shqiptarëve për t’i shpëtuar trysnisë dhe persekutimit të lartë nga Perandoria Osmane, ndërsa një grup tjetër do ta shohin thjesht si një dyzim fetar që kishte në thelb shkaqe ekonomike: përfitimin e disa privilegjeve që vinin me konvertimin në Islam, si edhe përjashtimi nga detyrimi ushtarak dhe taksave të rënda fiskale. Disa studjues do të shohin këtë fenomen si një faktor kyç që kontriuboi në ruajtjen e tolerancës fetare. Në një familje mund të gjeje shprehjen e tre besimeve: katolikë, ortodoksë dhe muslimanë të përqafuar nga anëtarë të ndryshëm të familjes. Në vitin 1528, Kasem Beu, sanxhakbeu i Dukagjinit në një raport do të shkruante se në juridiksionin e tij familjet do të conin më parë fëmijët që u lindnin, për t’i pagëzuar në kishë dhe pastaj tek hoxha për t’u vënë një emër musliman. Kasem Beu nuk shprehte ndonjë shqetësim në lidhje me këtë apo marrje masash të posacme.

Laramanët pavarësisht se do të ndiqnin gjithë ritet islame, do të shkonin të faleshin të premteve në xhami, do të shpallnin me gojë se ishin muslimanë, do të bëheshin synet dhe do të festonin gjithë festat muslimane, në shtëpitë e tyre do të pagëzonin fëmijët, do të kremzoheshin dhe festonin gjithë festat e krishtera. Pavarësisht aspekteve pozitive që pati laramanizmi si ruajtja e tolerancës fetare dhe zbehja e fanatizmit fetar, si dukuri në thelb dëshmon për paaftësinë për të qëndruar dhe për të ruajtur identitetin fetar në kohë të vështira dhe të një trysnie të madhe. Laramanizmi është një ilustrim i përsosur i konformimit në emër të ruajtjes së interesavë të caktuara dhe të një mirëqënieje apo statusi paqeje të jashtme. Vetë praktikat brenda dyerve të shtëpisë tregojnë për mungesën e paqes së brendshme si rezultat i këtij dyzimi.

Ndërsa lexoja për laramanizmin natyrshëm do të pyesja se si ky fenomen mund të shpaloset në ditët e sotme në mes të krishterëve. Nuk është e vështirë të gjesh format e tij në format e dyzimit modern, ndërsa përpiqemi të lakohemi nën trysninë e persekutimit intelektual. Të dielave apo të shtunave do të shkojmë në kishë, por kur na pyesin se ku po shkojmë do të themi : “po dal me shokët e shoqet apo thjesht po dalim”. E mbaj mend që më është dashur guxim për t’u dhënë grave të lagjes një përgjigje ndryshe nga normalja ndërsa më thoshin: A sa mirë po dilni si familje? Mirë po bëni.  Apo pyetjeve se ku ishim apo ku po shkonim , dhe unë të iu përgjigjesha se po shkoja në kishë. Kush shkon në kishë bashkë me fëmijët përveç ndonjë të cmendure apo fanatikeje fetare. Sepse kisha nuk perceptohet nga ne si një vend për të dalë, apo për t’u clodhur apo që ke ndonjë përfitim.

Jam tunduar nga laramanizmi sa herë nëpër zyra apo radhë më kanë pyetur: Ku punon apo çfarë pune bën? Sepse egoja ime nuk do që të pranojë të kategorizohet me një masë të etiketuar nga shoqëria jonë si injorantë, të prapambetur apo thjesht materialistë që i janë futur fesë siç i futen partive politike për përfitime materiale.

Po a nuk na tundon laramanizmi kur duam të vishemi e sillemi si gjithë modernët e tjerë, të shkojmë ku shkojnë ata, të ndjekim praktikat e tyre jo për shkak të një dëshire të sinqertë për të ndërtuar ura komunikimi dhe për t’i fituar, por për të mos u refuzuar prej tyre? Për të mos u etiketuar si fshatarë, injorantë, të paaftë, pa stil etj?

Dyzimi edhe pse është një shteg i një lehtësimi të përkohshëm, na kushton. Na kushton sepse është shprehje e disbalancës mes njeriut të brendshëm dhe atij të jashtëm, është shprehje e hipokrizisë në të cilën e futim veten për një clirim të përkohshëm ndaj frikës së njeriut.

Të krishterët e hershëm të shekullit të parë, jetuan një jetë radikale. Ata ishin kaq të ndryshëm nga ata që i rrethonin. Transformimi i tyre ishte radikal ndërsa u thanë jo praktikave kulturore e shoqërore që binin ndesh me sistemin e tyre të besimit. Edhe pse u persekutuan dhe disave u kushtoi jetën, ata gëzuan simpatinë dhe mbështetjen e një pjese të madhe të popullit, duke u dalluar si një komunitet tepër i veçantë dhe i sinqertë. Ata u njohën për veprat e shërbimit radikal ndërsa filluan të ndanin pasuritë e tyre me ata që nuk kishin. Kur e lexon tek Veprat e Apostujve të duket kaq e mbinatyrshme ajo që po ndodhte në shekullin e parë. Në mes tyre nuk kishte asnjë nevojtar sepse ata do të ndanin gjithcka dhe do të kujdeseshin jo vetëm për njëri tjetrin por për të gjithë ata që ishin në nevojë.

A po jetojmë ne sot në mënyrë radikale? Si po jetoj unë sot në mënyrë radikale? Në cilat fusha dhe në çfarë mënyrash jam peng i laramanizmit? A është njeriu im i brendshëm në unitet me atë që shfaqem së jashtmi? Kujt i trembem më shumë që i dorëzohem konformimit apo laramanizmit? A ia vlen të jetoj në një mënyrë të sinqertë? A duhet të shqyrtoj rrënjët e mia dhe të asaj që besoj në mënyrë që të jem më i qëndrueshëm?

Këto e të tjera janë pyetje që besoj ia vlen t’ia bëjmë vetes në mënyrë të vazhdueshme dhe të ia dorëzojmë Perëndisë ato frikëra apo dobësi që na pengojnë të jetojmë në mënyrë të sinqertë dhe unike. Është një jetë e mbinatyrshme që nuk jetohet pa ndihmën e Shpirtit të Tij të Shenjtë.

“Dhe mos u konformoni me kete bote, por transformohuni me ane te riperteritjes se mendjes suaj, qe te kuptoni cili eshte i miri, i pelqyeri dhe i persosuri vullneti i Perendise” Romakeve 12:2

Rudina Bakalli

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

×
Share This