Nëna, fëmija juaj ka dëshirë të ju ndihmojë në shtëpi!

“Mami më jep një punë për të bërë. Dua të të ndihmoj”

“Sa mirë! Faleminderit zemër- dhe pasi jam menduar pak shtoj-Ja sikur të sistemosh sallonin.”

“Mami, çfarë do të thotë sistemim? Unë nuk e kuptoj ashtu. Më thuaj bëj këtë ose atë”

Nuk e di nëse e keni gjetur veten në vendin tim. Fëmijët e mi kanë dëshirë të më ndihmojnë, kur udhëzimet që u jap janë të qarta dhe specifike.  Udhëzime të përgjithshme si pastro, apo sistemo, në vend që t’i motivojnë dhe ndihmojnë, i corientojnë. Ata nuk e dinë nga të ia fillojnë dhe në fund të fundit çfarë do të thotë sistemim, ndonjëherë e kanë të vështirë edhe kur ua bën gjysëm të qartë si përshembull: çoji gjërat nëpër vende. Cilat gjëra dhe në çfarë vendi duhen çuar?

“Hiq librat që janë mbi tavolinën e vogël dhe çoji tek shporta e librave të shkollës”

“Hiqi rrobat e lara nga karrigia dhe çoji në dhomë tek koshi i rrobave të lara”

“Hiqi lodrat tek divani apo toka (fëmijët më të vegjël) dhe çoji tek kutia apo rafti i lodrave tek dhoma juaj”

“Vendosi këpucët në rregull në sirtar që të mos jenë rrëmujë”

E kështu me radhë. Vajza ime i bën gjithë qejf, shpejt dhe me efikasitet dhe pastaj më thotë: “Mami kur më thua sistemo, unë nuk di çfarë duhet të bëj, por kur më thua ço librat në shportë, është shumë e lehtë”

Bija ime sapo më ka ndihmuar të kuptoj diçka tepër të rëndësishme për mënyrën si ajo punon. Ajo nuk është dembele. Nuk është as indiferente ndaj rregullit në shtëpi. Ajo ka dëshirë të ndihmojë dhe punojë. Por ajo nuk ndihmohet dhe as nuk motivohet nga urdhëra dhe udhëzime të përgjithshme. Ajo ka nevojë për udhëzime specifike.

Motivimi është art. Në punë gjithashtu kur drejtojmë të tjerë është e rëndësishme të kuptojmë anëtarët e ekipit tonë, dhe në vend që t’i gjykojmë se nuk punojnë apo nuk e kryejnë siç duhet një detyrë të caktuar, duhet të sigurohemi nëse ua kemi dhënë direktivat siç duhet. Disa njerëz kanë nevojë vetëm për vizion e pamjen e madhe dhe ata punojnë vetë në mënyrë të pavarur për realizimin e detyrës. Disa të tjerë kanë nevojë për më shumë detaje dhe udhëzime në mënyrë që ta realizojnë detyrën me përpikmëri dhe besnikëri. Një ekip ka nevojë për të dy personalitetet. E rëndësishme është të njohësh anëtarët e ekipit tënd. Për mua ka qenë shumë më e lehtë kur e dija se kujt duhet t’i kërkoja çfarë, në mënyrë që puna të kryhej sa më mirë.

I njëjti parim vlen edhe me fëmijët. Prandaj le të bëhemi studjues të fëmijëve tanë duke i vëzhguar në mënyrë që t’i motivojmë në mënyrën më të mirë. Të mos harrojmë gjithashtu rëndësinë e afirmimit për ato gjëra që i bëjnë mirë. Një afirmim në kohën e duhur ndërton shumë më tepër se një qortim. Si kulturë e kemi më të kollajtë të qortojmë dhe krahasojmë dhe e konsiderojmë afirmimin si një mjet për të rritur mendjen, por njerëzit lulëzojnë më shumë nga theksimi i gjërave pozitive.

Sot dhe gjatë kësaj jave merr pak kohë cdo ditë dhe provo disa mënyra si ta motivosh dhe vësh në punë fëmijën tënd. Dhe mos harro të praktikosh afirmimin.

“Vetëm në botën e matematikës dy negative japin një rezultat pozitiv” ― Abby Morel

Rudina Bakalli

×
Share This