Një mami si unë

Unë nuk jam nëna e përsosur. Nuk kam qenë dhe nuk do të jem asnjëherë në këtë anë të jetës. Fëmijët e mi më kanë parë të lodhur, të mërzitur, në fund të energjive të mia. Kanë provuar mungesën e durimit, ndonjëherë gjykimin e nxituar, shpërqëndrimin tim, dobësitë e mia. Më kanë parë të sëmurë, të pa lyer, të parregulluar, me rroba shtëpie. E megjithatë në sytë e tyre mbetem nëna më e bukur dhe më e mira në botë. Që nga vizatimet e para i ruaj me kujdes portretet që më kanë bërë ndër vite. Ato portrete që më përshkruajnë me ngjyra jete, e një penel të një dashurie të pakushtëzuar. Atyre portreteve nuk u rezistojnë dot portat e lotëve të mi, të cilët janë të vetmit që mund të shprehin thellësinë e ndjenjave që prekin.

Ndonjëherë kam frikë. Kam frikë kur nuk ia dal dot,  nga ditët e mia të këqia, nga ato ditë kur dua të rri vetëm e nuk kam fuqi e ndoshta as dëshirë për këtë detyrë që kërkon të derdhësh jetën tënde 24 orë. Kam frikë sepse unë jam një nënë që lexoj, lexoj pa fund se si duhet të jetë një nënë, dhe si të bëjmë këtë apo atë. Jam një nënë që e mbaj para syve modelin e një nënë të përsosur. Ndaj kam frikë nëse do të ia dal. Kam frikë se si do të më mbajnë mend ata fëmijët e mi. E ata vazhdojnë të më gdhendin vit pas viti gjithë dashuri në vizatimet, kartolinat dhe shkrimet e tyre si mami më e mira në botë. “Ajo i bën të qeshin. Ajo gatuan si askush tjetër në botë. Ajo i mëson gjëra të reja dhe i mëson të bëjnë çdo gjë mirë. Ajo është e bukur.” Ata më flasin me gjuhën e dashurisë së pakushtëzuar, një dashuri që mbulon gjithë dobësitë e mia si nënë. Sytë e tyre nuk janë të verbër. Ata janë rritur aq sa të kuptojnë kur mami e ka gabim. E megjithatë më japin këtë hir pa fund, më mbulojnë me dashurinë e tyre. Në sytë e tyre unë gjithmonë rritem, rritem për shkak të hirit dhe dashurisë së Perëndisë që derdhet tek unë përmes zemrave të tyre.

Është ky hir dhe kjo dashuri që më çliron për të jetuar  një jetë të hapur me ta, një jetë që tregon se edhe të rriturit gabojnë, se mami jo gjithmonë ka të drejtë, dhe kur nuk ka të drejtë ka vend të kërkojë faljen e tyre, se mami nuk është gruaja super hero, as ajo gruaja e reklamës që kur sheh njollat në rrobat e tyre të pastra vendos buzëqeshjen më të bukur në botë dhe thotë: s’ka problem sepse kemi Ariel, Dash apo Vanish.

Besoj se kur të rriten fëmijët e mi do të jenë të vetëdijshëm për gjërat që mami i tyre mund t’i kishte bërë më mirë. Dobësitë e saj do të jenë më të dukshme. Por nëse ka një gjë që do të doja të modeloj dhe lutem të jetë e vërtetë në jetën time është  një  mami e papërsosur që vrapon të gjejë forcën tek Perëndia dhe që lejon Atin qiellor prej të cilit i ka marrë këto dhurata të çmuara, të derdhë dashurinë pa kushte dhe urtësinë e Tij tek ta përmes jetës së saj.

“Sepse në dobësitë tona fuqia e Tij përsoset”

 

 

Rudina Bakalli

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

×
Share This