Shpresa shëron- Të ringrihesh kur jeta të godet, historia e vërtetë e Katerina Ulf

Ajo ishte nje nënë e re plot me ëndrra, si edhe sfidat e rritjes së një fëmije të sapolindur dhe mbështetjes së të shoqit i cili duhet të studionte me orë të tëra për të përfunduar shkollën. Ishin të rinj. Ajo 26 vjece, e bukur, gjithë jetë, ai gjithashtu. Fotot e tyre të dasmës flasin për një nga ato ciftet që duket se janë prerë për njëri tjetrin dhe që rrezatojnë aq shumë gëzim.

Jeta e tyre do të kthehej përmbys mëngjesin e 22 Prill 2008. Një natë më parë ajo kishte qenë shumë e lodhur dhe me një stomak tejet të përzier. Të nesërmen në mëngjes, i shoqi vendos të studjojë në shtëpi dhe jo në shkollë, një vendim që rezultoi hyjnor për të qenë në shtëpi në momentin më vendimtar për jetën e gruas se tij. Ndërsa merrej me punët e zakonshme në kuzhinë, gjithë bota e saj fillon të rrotullohet me shpejtësi, ndërsa një dritë e fortë i zë sytë. “Jay, eja shpejt” dëgjon ai nga dhoma tjetër; një thirrje urgjente që nuk e kishte dëgjuar kurrë dhe që e çoi në këmbë si me buton. E dinte se ajo nuk do ta thërriste kot. Pse ulëret ai? Cfarë ka ndodhur? Pse po qan?

Bebet e syrit të saj ishin bërë krejt të zinj, pa jetë, do të kujtonte më vonë Jay. Ajo ishte pa jetë në tokë.  Ajo që kishin menduar se ishte, një helmim serioz ushqimi, rezultoi të ishte një ishemi në tru, e cila e gozhdoi në krevat për një muaj të tërë dhe e burgosi në trupin e saj. Muajt që vazhduan nuk do të ishin të lehtë për ta. Ajo nuk mund të mbante as të ushqente më beben e saj, as të ishte gruaja që kishte endërruar për të shoqin, as nuk mund të komunikonte me botën e jashtme. Përbrenda ishte e njëjta, i kuptonte të gjitha, i dëgjonte të gjitha, por ata nuk e dinin sepse ajo nuk komunikonte dot. E burgosur në trupin e saj, nisi dhe udhëtimin më domethënës që do t’i rindizte shpresën për të jetuar.

Kjo ishte një lloj shprese e çuditshme shkruan motra e saj në një artikull në portalin e saj online. Katerina kishte mbijetuar dhe shpëtuar pas një operacioni prej 6 orësh a më shumë, por kjo lloj shprese për të jetuar ishte një shpresë ndryshe, sepse ajo nuk ishte më njësoj. Motra e saj e bukur dhe gjithë jetë, tani ishte mbërthyer e gjitha me tela dhe aparate, në pamundësi për t’u kujdesur as për veten, as për foshnjën e saj, as për të shoqin, për askënd. Ajo nuk e meritonte një jetë të tillë.

Kur lexova historinë e saj, është pak të them u preka shumë. Unë jo vetëm u preka. Unë u tremba. Po sikur të më ndodhë mua? Po sikur jeta ime të kthehet përmbys nga një gjë e tillë? Vetëm para dy viteve ndërsa kalova disa sfida serioze me tensionin e lartë, mbaj mend që jam lutur me përgjërim: O Zot të lutem mos lejo të më dëmtohet truri, të humbas të folurën apo funksionin e ndonjë gjymtyre. E megjithatë Katerinë i humbi. Frikërat e mia, për të u bënë realitet. Dhe ajo nuk ishte një grua e veçantë në kuptimin e forcës për ta përballuar një humbje të tillë. Por ishte e veçantë në aspektin e dorëzimit të saj tek Perëndia në realitetin e ri të hidhur të jetës së saj, duke rigjetur forcën tek Jezusi, dhe duke u rimëkëmbur edhe fizikisht pak nga pak. Sot ajo mund të flasë edhe pse jo si më parë, mund të ecë, mund të kujdeset për të vegjlit e saj. Dhe sot ajo me historinë e saj është duke prekur qindra mijëra jetë të tjera përmes thellësisë së mendimit që vjen nga një jetë e prekur dhe transformuar në momentet më të vështira. Jeta e saj dëshmon se cdokush mund të ringrihet e rimëkëmbet kur zgjedh të përqafojë shpresën e gjallë që gjejmë tek Jezusi, edhe atëherë kur duket se jeta na i ka mbyllur dyert padrejtësisht.

Katerina e rigjeti shpresën e saj në dhomën e errët të vetmisë, aty ku vetëm Perëndia mund të depërtonte dhe t’i fliste në gjuhën e shpirtit. Katerinë dhe Jay kanë shkruar një libër për historinë e tyre, me shpresën që ajo që ata kanë përjetuar këto vite, të ju vijë në ndihmë atyre që gjenden në shtegun e dhimbjes si ata. Libri del në shitje këtë javë që vjen dhe mund të blihet në amazon edhe në versionin online/kindle. Mund ta gjeni ketu  http://www.amazon.com/Hope-Heals-Story-Overwhelming-Overcoming/dp/0310344549/ref=sr_1_1?ie=UTF8&qid=1461406963&sr=8-1&keywords=hope+heals

© Shigjete dhe Shigjete.com, 2014-2016.

Rudina Bakalli

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

×
Share This