Shigjete

Shtepia e Pionerit: ne kerkim te talentit

228105_227188734075256_233181120_nA e mban mend Shtëpinë e Pionerit? Apo a të kanë treguar prindërit për Shtëpinë e Pionerit? Unë nuk e kisha larg , por as tek dera e shtëpisë. Megjithatë rrugën deri atje e bëja me shumë qejf, herë vetëm e herë me shoqet e pallatit dhe lagjes. Shtëpia e Pionerit ishte vendi që na grishte të kërkonim talentin. Ne ishim fëmijë dinamikë, të pakënaqur me status quo, gjithmonë në kërkim të së resë dhe talentit. Nuk më kujtohen gjithë kurset/rrethet që ndiqeshin dhe provova. Jam e sigurtë që nuk kam lënë derë kursi apo rreth siç i quanim në atë kohë, pa hyrë dhe pa provuar a kisha talent.

Filloi me korin e festivalit të fëmijëve sepse si shumica e fëmijëve unë kisha qejf të këndoja. Si tani më kujtohet, një burre i gjatë që na mori një nga një me radhë duke na provuar zërat dhe pozicionuar. Ti bën, ti jo, ti je zë i pare, ti i dytë e me radhë. Siç duket nuk kisha ndonjë zë të paparë, por ama as nuk bëja fare. U futa në kor.

Pastaj me kujtohet rrethi i pikturës. Kushërira ime shkonte aty dhe meqë më pëlqente të vizatoja e pikturoja, e nuk lija fletë e bordurë pallati pa vizatuar me shkumës, mendova ta provoj. Profesori ishte një burrë mesatar, me flokë të mëdha kaçurrele, të shpupuritura. Ose kështu ka zënë vend në kujtesën time. I zymtë, dukej sikur e bënte atë punë nga halli e jo qejfi. Na la një pllakë allçie mbi tavolinën në mes të dhomës, e vetë iku të tymoste një cigare e nuk u duk deri në fund të orës. Unë e shkriva talentin, madje jo vetëm kaq, por kisha mbaruar e para. Tek hodha sytë rreth e rrotull u ndjeva sikur isha në një dhomë më inxhinierë e arkitektë e jo piktorë të ardhshëm. Sepse ndryshe nga unë që e hodha pllakën në letër me një frymë, të tjerët ishin duke bërë tabela, duke matur me sy e me laps sikur të bënin qitje. Atëherë vendosa që nuk do të kthehesha më, sepse mua më pëlqente spontaniteti dhe liria, kurse ajo që po shihja dukej si vizatim shumë i ngurtë dhe i mërzitshëm.

Secili nga ne është në kërkim të talentit. Disa kanë një vetëdije të qartë për atë që dinë të bëjnë dhe mos bëjnë. Disa të tjerë marrin përsipër gjëra që nuk dinë t’i bëjnë, e megjithatë thonë se dinë. Disa të tjerë dekurajohen që nuk janë një solist dhe heqin dorë plotësisht kur ajo që u ofrohet është vetëm një vend në kor. Disa të tjerë janë shpirtra të lirë, që duan të punojnë kur u vjen muza, por jo të përkushtohen.

E vërteta është se çdo punë e mirë kërkon përpjekje dhe çdo talent sado i zhvilluar të jetë nëse nuk e stërvit dhe ushtron, fillon e zbehet. Talenti është si sëpata që po nuk u mpreh, nuk kryen me efektivitet atë për të cilën është krijuar. Lajmi i mirë është që secili nga ne ka talent. Nuk ka asnjë njeri në botë që të mos jetë unik dhe të mos ketë asnjë talent. Pse? Sepse Krijuesi ynë, Perëndia, është një Zot bujar, që na ka pajisur me dhunti nga më të ndryshmet. Fillimi i udhëtimit tonë nis me fillimin e njohjes se Tij si hap i domosdoshëm në njohjen e vetes dhe qëllimit të jetës dhe thirrjes personale në jetë. Nëse nuk ke filluar këtu, atëherë çdo udhëtim e trajektore tjetër që ke zgjedhur të ndjekësh nuk do të jetë gjë tjetër veç hallakatje dhe humbje kohe, si edhe mos shfrytëzim i potencialit dhe pasurisë që fle brenda teje.

Unë e nisa shtegtimin tim të qëllimshëm kur isha studente. Që atëherë udhetimi im nuk ka qenë më një endje pa kuptim sa në një derë kursi në një tjetër, por një udhëtim në rritje ndërsa zhvillohem, praktikoj dhe investoj në ato fusha ku Perëndia më ka dhënë dhunti.

Po ti, ku je në këtë shtegtim? A e ke gjetur talentin tënd apo je ende si unë fëmijë në kërkim të talentit në Shtëpinë e Pionerit?

© Shigjete dhe Shigjete.com, 2014-2016.Përdorimi apo dhe/dublikimi i këtij materiali pa leje të shkruar nga autori dhe/ose zotëruesit është plotësisht e ndaluar. Artikujt dhe linqet mund të përdoren, vetëm nëse kreditet i jepen autorit Rudina Bakalli dhe Shigjete.com me adresën specifike të përmbajtjes origjinale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Pin It on Pinterest

Share This