Të duash dhe jo të fitosh në tërheqjen e litarit!

Sot Facebook do të mbushet me foto, dedikime, urime, deklarime. Edhe pse Shën Valentini është për mendimin tim më shumë një ditë komerciale, ku ka rrezik që dhuratat  të kthehen në detyrë për hir të zakonit apo për hir të asaj shtyse të pakëndshme për t’u dëshmuar të tjerëve se morëm dhuratën më të bukur apo jemi çifti më i mirë; prapë se prapë më pëlqen që të paktën një herë në vit të mendojmë, të festojmë dhe flasim për dashurinë.

Me të drejtë do të thonë disa, e mes tyre dhe unë, se dashuria nuk festohet vetëm një herë në vit. Cdo ditë duhet të jetë festim i dashurisë për njëri tjetrin. Cdo ditë duhet të jetë e mbushur më gjeste e vepra dashurie. Cdo ditë duhet të kujtojmë veten se dashuria e vërtetë nuk është egoiste, nuk mendon të sajat, nuk kërkon të vetat, por është dashuri që jep, që mendon për mirëqënien e tjetrit para të vetes. Nëse dy njerëz do të kërkojnë të vetat, dashuria e tyre do t’i ngjajë asaj garës së tërheqjes së litarit. Zakonisht nësë litari nuk këputet në mes, fiton ai që tërheq më shumë dhe gjithmonë ka një fitues, por dashuria e vërtetë duhet të ketë dy! Dashuria duhet të ketë dy fitues që janë bashkë në një anë të litarit ndërsa kundërshtari janë egoizmi dhe çdo lloj force që i vë kundër njëri tjetrit!

“Dashuria është e durueshme; plot mirësi; dashuria nuk ka smirë, nuk vë në dukje, nuk krekoset,nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon të sajat, nuk pezmatohet, nuk dyshon për keq;nuk gëzohet për padrejtësinë, por gëzohet me të vërtetën,i duron të gjitha, i beson të gjitha, i shpreson të gjitha, i mban çdo gjë.Dashuria nuk ligshtohet kurrë” 1 Korintasve 13:4-8

Kjo lloj dashurie është e përsosur, ajo është një mision i vështirë për ne qëniet njerëzore të papërsosura, por jo i pamundur. Nëse njohim burimin nga rrjedh kjo lloj dashurie, nëse zemrat tona janë të lidhura dhe ushqehen tek ky burim, atëherë do të ngjasojmë me një arterie që shpërndan këtë lloj “gjaku” të ri në të gjitha aspektet e jetës dhe sidomos në raportin më të rëndësishëm njerëzor siç është ai martesor.

Perëndia që është arkitekti i marrëdhënies burrë grua, ka patur gjithmonë në plan këtë lloj dashurie për ne. Pa e njohur Atë dhe pa e pranuar në jetët tona, shumë shpejt forca jonë dhe pasioni më i madh do të shteret dhe dashuria jonë do t’i ngjajë Detit të Vdekur ku ka shumë ujë por nuk gjallon asgjë. Deti i Vdekur vetëm mbledh ujë, por nuk ka asnjë kanal përmes të cilit të derdhë. Prandaj uji me kalimin e kohës bëhet i ndenjur duke mos lejuar të ketë asnjë lloj gjallese apo jete në të.

Lexo këtu si mund ta njohësh Atë dhe si ta lejosh dashurinë e Tij të transformojë jetën tënde, sepse dashuria e Tij është një dashuri transformuese që i jep jetë dhe formë çdo lloj dashurie tjetër!

© Shigjete dhe Shigjete.com, 2014-2016.Përdorimi apo dhe/dublikimi i këtij materiali pa leje të shkruar nga autori dhe/ose zotëruesit është plotësisht e ndaluar. Artikujt dhe linqet mund të përdoren, vetëm nëse kreditet i jepen autorit Rudina Bakalli dhe Shigjete.com me adresën specifike të përmbajtjes origjinale

 

 

Rudina Bakalli

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

×
Share This