Të gjesh rrugën në errësirë

Shpesh mendoj për farën, aq e vogël, e thatë, në dukje pa jetë, por që e groposur në thellësitë e tokës prej saj shpërthen jetë e re.
Pa dritë, në terrin më të thellë, pa ajër, e vetmuar çan tokën fillimisht si një filiz i brishtë për t’u rritur në një bimë apo pemë plot fryte e lule.

Ky mister i lindjes së një jete të re në rrethanat në dukje të pajeta më intrigon dhe më flet për shpresën që është e gjallë edhe në
errësirën më të thellë. Kam frikë se shpesh na mungon ky lloj vizioni për të parë sfidat dhe madje sakrificat që duhet të bëjmë për të shpërthyer në një realitet fitoreje ashtu si fara dhe ai filiz që ia del të çajë tokën dhe të shohë dritën e diellit.   Në përpjekjen tonë për të shpëtuar nga ajo që na prish rehatinë e na mundon, sabotojmë procesin e “fermentimit” dhe “mbirjes” dhe bashkë me to edhe të frytit.

Le të jem e sinqertë, nëse perspektiva ime për jetën nuk do të ishte ndryshuar nga Jezusi i Nazaretit, ndoshta do të isha poetja e dhimbjes dhe dëshpërimit sa herë do të gjeja veten në rrethana ku njerëzit sot i etiketojnë shumë lehtë si produkt i një jete të padrejtë. Por të njohurit e Tij më ka dhënë sy të rinj për ta parë jetën nga perspektiva e dikujt që është thirrur dhe destinuar jo vetëm për të fituar, por për të dhënë fryt. Ky është destinacioni i çdo njeriu që zgjedhë ta njohë dhe t’i zëjë besë Jezusit.

Perspektiva që kemi për jetën është shumë e rëndësishme, sepse ndikon mënyrën si jetojmë jetën, nëse dorëzohemi, përpëlitemi  në pesimizëm apo luftojmë. Por edhe të luftosh nuk mjafton, ka rëndësi si po e bëjmë luftën; nëse luftojmë me forcat tona të limituara kundër një jete të padrejtë,rrethanave armiqësore e hipokrizisë njerëzore që shpesh janë shumë më të mëdha se mirësia jonë më e madhe, apo luftojmë në fuqinë që na mundëson një mik i jashtëzakonshëm si Jezusi i Nazaretit. Shumë njerëz në padije dhe krenari zgjedhin mënyrën e parë duke privuar veten nga një fitore e garantuar. Të besosh në Jezusin nuk do të thotë as dobësi, as pa aftësi e aq më pak injorancë. Të zgjedhësh ta bësh luftën tënde përmes fuqisë së Tij është të zgjedhësh që nga fillimi të jesh në anën e fituesit.

Historia njerëzore ka njohur plot burra e gra të mençur e të formuar nga ana intelektuale e profesionale dhe të ngopur me sukses, të cilët nuk patën siklet se do të gjykoheshin sepse e asociuan veten e tyre si ndjekës dhe adhurues të Jezusit të Nazaretit. Ata i panë dhuntitë e tyre si dhurata hyjnore dhe jo si shtesë apo përcaktues të identitetit të tyre. Ata ia besuan sfidat dhe betejat e jetës gjithëdijes dhe plotfuqisë së tij. Kjo i bëri edhe më të suksesshëm përveçse të përmbushur. Fizikanti i njohur Bless Paskal, tha : “Në zemrën e çdo njeriu është një boshllëk që ka formën e Zotit, që vetëm Ai mund ta mbushë” Nuk besoj se Bless Paskali erdhi në këtë konkluzion i shtyrë nga ndonjë moment dobësie emocionale apo intelektuale apo ndonjë dështimi personal. Kjo bindje i dha formë jetës dhe suksesit të tij. Besimi në Jezusin nuk e zvogëloi por e përmbushi, përndryshe ai mund t’i vinte çdo lloj emri tjetër veç Zotit atij boshllëku në zemrën e njeriut.

Ndoshta sot ai vend në zemrën tënde është ende bosh, edhe pse je përpjekur ta mbushësh me çdo gjë dhe çdokënd tjetër veç Zotit. Nëse po, Jezusi është vetëm një lutje larg teje!

© Shigjete dhe Shigjete.com, 2014-2016.Përdorimi apo dhe/dublikimi i këtij materiali pa leje të shkruar nga autori dhe/ose zotëruesit është plotësisht e ndaluar. Artikujt dhe linqet mund të përdoren, vetëm nëse kreditet i jepen autorit Rudina Bakalli and Shigjete.com me adresën specifike të përmbajtjes origjinale.

Rudina Bakalli

×
Share This