Unë kam disa miq të vegjël, që më vizitojnë çdo mëngjes. Miqësia jonë është interesante. Shihemi çdo ditë, por në distancë. Kur harroj që janë aty, ata më bëjnë zë si për të më kujtuar që erdhën. Por kur afrohem, rrahin flatrat e tyre të bukura dhe fshihen fluturimthi. Ndaj e kam bërë zakon, të dal para tyre, të lë bukën mbi parvaz dhe të futem shpejt brenda. E ulem aty tek cepi i divanit, pas derës së xhamtë, me kafenë time në një filxhan porcelani boleslavik, dhe ndërsa shpirti im ushqehet në Fjalën e Jetës, miqtë e mi të vegjël cukisin bukën e regjur, që ua kam bërë gati më parë.

Më pëlqen shumë të shoh herë pas here duelet e tyre mbi parvaz, ikjet dhe ardhjet në tufa të vogla, e pastaj kur ikin krejt lënë gjurmët e vizitës së tyre, që nuk i kam aq qejf, por fundja nuk jam aq e çmendur pas gjërave dytësore. Rrëmuja që më lënë më duket si rrëmuja e miqve pas një feste. Veç se miqve të mi të vegjël nuk ua di emrat, ata në fakt më duken të gjithë njësoj, me këmbçkat elegante e bishtat e gjatë. E megjithatë gocat e mia e kanë pagëzuar njërin si Buçkoja. Unë vras mendjen si e mbajnë mend dhe si e dinë që është i njëjti dhe jo një buçko tjetër.

Tek i shoh miqtë e mi të vijnë çdo mëngjes, në të njëjtën orë, më bën të mendoj sidomos kur kam harruar të nxjerr bukën dhe i shoh tek vërtiten e hidhen brenda në taracë, e tek më cicërijnë si për të më kujtuar: Bukën e përditshme.

Buka e përditshme. Më kujton lutjen shembullore të Jezusit. “Bukën tonë të përditshme jepna Zot” E ndihem sikur natyra, gjithë krijesa, di një sekret që ne njerëzit inteligjentë, të vetëdeklaruar si prodhimi më superior i evolucionit, nuk duam ta pranojmë, duke ia mohuar vetvetes, bukën e përditshme.

Edhe të parët tanë ishin më të mençur se ne, paçka se ne të vetëkënaqur nga arritjet e mëdha të shkencës, por të rraskapitur e dërrmuar frymërisht e moralisht, e kemi shtyrë tutje me përcmim idenë se kemi nevojë. Ndërkohë rendim në mitingje, në zyra partie, pas zotave të kësaj bote që na gënjejnë e lënë barkthatë e të nëpërkëmbur.

“O Perëndi, ti kujdesesh për njerëzit dhe kafshët” do të shkruante Mbreti David në psalmin 36

Sytë e të gjithëve drejtohen nga Ti dhe Ti u jep atyre ushqimin në kohën e duhur. Ti hap dorën tënde dhe kënaq dëshirat e çdo qënieje të gjallë” (Psalmi 145:15-16 )

Të parët na pëshpërisin mes rreshtave të poemave të tyre, njiheni Krijuesin, afrojuni Atij. Pranojeni Atë sepse Ai është i mirë.

“Shihni e provoni sa i mirë është Zoti, lum njeriu që gjen strehë tek ai” Psalmi 34:8

Miqtë e mi të vegjël vijnë çdo ditë në taracën time sepse kanë krijuar një marrëdhënie besimi. Ata e dinë që do të gjejnë ushqim çdo ditë, tek i njëjti vend. E kur unë harroj, e dinë që nuk është se nuk dua, mjafton një cicërimë dhe do të shfaqem aty, me racionin e përditshëm.

Aq më tepër Ati ynë qiellor sa shumë na do e sa shumë do që të sigurojë për ne, vetëm sikur t’i thërrisnim Atij çdo ditë me besimin që nuk do të vonojë por do të vijë me bukën tonë të përditshme.

“Prandaj unë po ju them, mos u shqetësoni për jetën tuaj, për atë që do të hani ose do të pini, as për trupin tuaj, për atë që do të vishni. A nuk është vallë jeta më me vlerë se ushqimi dhe trupi më me vlerë se veshja?
Vini re zogjtë e qiellit: ata nuk mbjellin, nuk korrin dhe nuk mbledhin në hambarë; megjithatë Ati juaj qiello i ushqen. A nuk vleni ju shumë më tepër se ata?”

Cfarë të pengon t’i thërrasësh Atij?

Share This