Jemi mësuar t’i shohim përpara, të na udhëheqin, të kenë ndoshta fjalën e fundit apo firmën e fundit. Herë na pëlqejnë e herë jo. Herë na duken të ngathët, herë të pandjeshëm, herë të pakuptimtë në vendimet që marrin, herë të dhembshur, herë të lakueshëm, herë pa elasticitet. E ne presim prej tyre, presim shumë, sidomos kur ndihemi se kanë në dorë jetët tona dhe se fjala e tyre e fundit mund të thotë turbulencë në jetën tonë personale apo profesionale.

Presim prej tyre të jenë të përsosur, të pagabueshëm, të jenë gjithçka, të jenë madje zota. Për gabimet e tyre marrim lupën më të madhe. Jo, për gabimet e tyre marrim mikroskopin. Sepse gabimet e tyre peshojnë. Gabimet e tyre nuk janë si të miat apo të tuat. Gabimet e tyre më ndikojnë mua, më prishin gjumin, më trazojnë jetën. Gabimi i tyre më kushton.

Janë ata më të përfolurit, më të gjykuarit, më të gurosurit. Në fund të fundit a nuk kanë marrë përsipër të heqin udhën? A nuk kanë dhënë një farë bese se do të na çojnë atje ku duhet apo ku na kanë premtuar se është më mirë? A nuk kemi të drejtë të kërkojmë prej tyre integritet e përkushtim ndërkohë që ata kërkojnë respektin, bindjen  dhe besimin tonë për t’i ndjekur nga pas ? A nuk mjaftojnë një mijë e njëqind e ca libra që i kemi shkruar vetëm për ta? Manualë pas manuali se si të mos dështojnë, si të na duan e si të na shërbejnë e pastaj ne të ua kthejmë me ndjekje besnike e të ua shpërblejmë duke I treguar botës se si ata nuk gjenden të dytë në këtë botë? Në fund të fundit nëse nuk janë të zotë të bëjnë atë për të cilën janë thirrur të bëjnë, le të heqin dorë e të ia hapin rrugën një tjetri më të aftë, më të prerë sipas manualit tonë të drejtuesit të mirë.

Nuk e di se në cilën pjesë të mendjes sonë e skalitëm këtë drejtuesin e përsosur që bën gjithçka sipas manualit e sipas zemrës sonë. Nuk e di ku e morëm këtë model të cilit nuk ia doli dot as Abrahami që në frikë e sipër vuri ne rrezik ndjekësen e tij më të rëndësishme, Sarën, kur e prezantoi si motren e tij nga frika se mund ta vrisnin e te ia rrembenin. Nuk e di ku e morem kete model te cilit as Moisiu nuk ia doli dot kur shpërtheu në zemërim nga presioni i turmës, as Aaroni kur u lakua dhe bëri siç i deshi qejfi turmës dhe prodhoi viçin e artë të cilit as nuk diti t’i dilte për zot kur u pyet nga Moisiu; as Davidi kur në një moment dobësie iu dorëzua tundimit e epshit njerëzor dhe shkoi me gruan e vartësit të tij dhe më pas e vrau për të fshehur gjurmët e krimit të tij të pare; as Sauli trim të cilit krenaria i zuri sytë dhe zilia i ngurtësoi zemrën, e me radhë.

Bibla na vë në siklet, sepse e portretizon njeriun ashtu siç është. Nuk e zbukuron, nuk ia mbulon të metat.  Nuk përdor as furçë e as make up. Në të jemi të zbuluar të gjithë, zemra njerëzore pasqyrohet ashtu siç ajo është me pasionet e saj të egra, egoizmin e lakmitë e saj që e shtyjnë drejt mbretërisë personale, që bie ndesh shpesh me të mirën time dhe tënden. Gjithçka ndodh aty që nga kopshti i Edenit ku humbëm lavdinë e pafajësinë, aty ku pakënaqësia dhe lakmia shkëmbeu lirinë me vdekjen për pak pushtet personal. Që atëherë ne luftojmë me të mirën e të keqen e vdekshmërinë tonë në plan shpirtëror, emocional e fizik. Bota jonë u trazua që atëherë që kur zemra jonë u trazua dhe e humbi. Të kërkosh drejtuesin e përsosur, jo egoist, të pagabueshëm, sipas një qind mijë manualeve që kemi shkruar, në këtë realitet të shpirtit njerëzor është naivitet dhe naivitet është më e pakta që mund të themi.

Cfarë të themi pra se kemi mbetur pa shpresë? Po, jemi të pashpresë sa herë të vëmë shpresën tek njeriu. Bibla shkon edhe më tej kur thotë se i mallkuar është njeriu që vendos shpresën tek njeriu. A nuk është pak e rëndë? A na tingëllon radikale apo e ekzagjeruar? Hidhi sytë historisë njerëzore, hidhi sytë politikës, a ia vlen ta vësh besimin dhe shpresën tek njeriu? A je përmbushur? A je plotësuar? A të janë zgjidhur gjithë hallet? Apo je ndjerë i lënë në baltë, i tradhëtuar, i prerë në besë edhe nga ata të cilët u vare shpresën dhe u dhe besimin e përkushtimin tënd të plotë?

Mjerë kush vë shpresën tek njeriu, por lum ai popull që shpresën e besimin e ka vënë tek Zoti, drejtuesi i përsosur i cili, ata të cilët shpresojnë tek Ai, i mundëson të ia dalin mbanë të udhëheqin ndryshe. Ai nuk zgjedh sipas pamjes e performancës, por sipas zemrës. Ai nuk zgjedh sipas asaj që ndodh atje jashtë, por sipas asaj që ndodh atje në dhomën tënde personale, në qoshen tënde ku nuk sheh askush përveç tij. Ai ka një kriter ndryshe nga ne. Në manualin e tij ka vetëm një kriter kyc: zemra.  “Mos i shiko as pamjen, as shtatin, sepse njeriu shikon pamjen, por Zoti shikon zemrën”. Ai shikon për zemrën e përulur, zemrën që kërkon vullnetin e tij, zemrën që është e mësueshme, zemrën që lejon Shpirtin e Tij të Shenjtë ta drejtojë e ta përdorë për të mirën e të gjithëve dhe jo mbretërinë personale. Drejtuesi që nuk dëgjon prej Tij dhe nuk ecën pas zërit të Tij, mund të përmbushë gjithë manualet e botës, të ketë miratimin e admirimin njerëzor, por jo atë hyjnor.

“Sepse sytë e Zotit janë mbi njerëzit që kanë zemrën e përulur”

2 Kronikasve 16:9

ne vazhdim

 

 

Share This