Shigjete

Zemra e nje drejtuesi-Pjesa II

Sa herë lexoj për të trishtohem. Trishtohem thellë sepse ai më kujton një të ri gjithë forcë, në fillim i druajtur që fshihej nga frika, por që u bë një luftëtar i madh dhe pastaj u vajos si një mbret. Sauli ishte shtatlartë dhe i pashëm, ishte trim dhe luftëtar i zoti. Përmbushte gjithë parametrat njerëzorë të një lideri mbresëlënës. Gjatë mbretërimit të tij u fituan shumë beteja. Por lumturia e Saulit ndaloi kur një djalosh qukalash si Davidi u bë heroi i radhës dhe lavdia e tij la në hije lavdinë e mbretit.

“Sauli vrau një mijë, por Davidi dhjetë mijë” do të brohorisnin turmat ndërsa mbreti do të hynte në qytetin e tij pas një beteje të fituar. E si guxojnë ata, si guxojnë të lavdërojnë një bari dhensh, një djalosh që nëse mbreti nuk do ta kishte afruar pranë vetes e nuk do t’i kishte besuar ushtrinë, do të ishte edhe sot duke kullotur dhentë. Kush ishte ai pa mbretin, askush!

Kështu nisi saga e vuajtjeve të mbretit në fron dhe mbretit që do të vinte. Sauli dhe Davidi të dy do të kalonin në kalvarin e vuajtjeve, i pari për shkak të xhelozisë së ndezur kundër vartësit të tij, dhe i dyti për shkak se ishte treguar më i zoti se zotëria e tij. Si kishte guxuar të ia kalonte zotërisë? A nuk mund të ishte treguar më pak i aftë, të fshihej në një qoshe dhe të linte zotërinë e tij të shkëlqente në betejë?!

Figura e Saulit është një nga figurat më të dhimbshme, sepse pasqyron fatin tragjik të një mbreti, zemra e të cilit u kompromentua nga mosbindja ndaj Zotit, mungesa e besimit, dorezimi ndaj presionit te njerezve, frika,  xhelozia dhe egoizmi njerëzor. Ndërsa vetë hijëzohej, figura e Davidit të ri rritej përpara tij duke nxitur tërbim. Sauli nuk mund të shikonte dorën e Perëndisë, por vazhdoi të luftonte me gjithë forcat e tij për ta eliminuar Davidin, sepse mendoi se problemi i tij ishte Davidi. Nëse do të hiqte qafe Davidin, do t’i rikthehej lavdia, admirimi i njerëzve dhe qetësia që kishte humbur.

Sauli me sa duket ia kishte atribuar gjithë fitoret e tij të deri atëhershme vetes , dhe jo Perëndisë, duarve dhe krahëve të tij dhe jo favorit të Perëndisë. E mori skeptrin dhe fronin e tij të mirëqënë si një gjë që e meritonte dhe nuk mund të ia merrte askush. Dhe Perëndia ngriti përpara tij një djalosh, një bari dhensh, i cili e donte Perëndinë, kishte një zemër adhuruese, dhe që në asnjë çast nuk ia atriuboi vetes favorin hyjnor. Edhe kur i doli Goliatit përpara ai tha: Perëndia që më dha në duar luanin, do të më japë në duar edhe Goliatin.

Davidi nuk shkoi tek Goliati duke thënë: “A e di ti se kush jam unë? Unë jam ai që e ka shqyer luanin vetëm me duar! Unë jam ai që kam bërë këtë e kam bërë atë. A e di ti se kë ke përballë? “Përkundrazi Davidi shkoi me sytë mbi favorin hyjnor dhe fuqinë e Perëndisë. Ai thirri: Kush je ti që kërkon të turpërosh ushtrinë e Perëndisë.

Ky ishte celesi i fitoreve dhe suksesit të Davidit.

Zemra e një drejtuesi është një pus i thellë, dhe leqet në këmbët e tij janë të shumta. Fatet e tij nuk përcaktohen nga aftësitë e tij, as nga elokuenca, as nga shkathtësia, as nga inovacioni, as nga inteligjenca, por varen nga përulësia e tij për të pranuar se gjithçka që zotëron është për shkak të mirësisë dhe favorit të Perëndisë në jetën e tij dhe se bindja ndaj vendimeve të Tij, është vendimi më i mirë që mund të marrë ndonjëherë dhe që çon në sukses të garantuar.

“Perëndia u kundërvihet krenarëve dhe i jep hir të përulurve” Jakobi 4:6

Përpara se Zoti të na besojë diçka, Ai zakonisht bën një punë të thellë me zemrën tonë.

A ka një fushë ku je duke i rezistuar Perendise apo je duke u sjellë si një Saul duke mos parë hirin dhe favorin e Tij pas fitoreve të tua, por ia atriubon suksesin forcës e aftësive të tua? A je i vetëdijshëm që gjithçka që ke dhe zotëron, duke përfshirë dhe talentet dhe dhuntitë, të janë dhënë prej Perëndisë për një qëllim më të lartë se sa suksesi yt personal dhe fama jote?

Vargje të tjera për të reflektuar:

Psalmi 138:6 “Ndonëse Zoti është i shkëlqyeshëm, ai tregon kujdes për njerëzit e thjeshtë, por mendjemadhin e njeh nga larg”

Fjalët e urta 3:34 “Me siguri ai tallet me tallësit, por i jep hir të përvuajturit”

Fjalët e urta 29:23 “Kryelartësia e njeriut e çon poshtë atë, por ai që ka një frymë të përulur, do të ketë lavdi”

Mateu 23:12 “Por kush do të lartësojë veten, do të ulet, dhe kush do të përulë veten, do të lartësohet”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Pin It on Pinterest

Share This