Arti i copëzave të thyera

A të ka ndodhur të të thyhet apo dëmtohet një objekt i çmuar? Diçka që e ke pasur të trashëguar, dhuratë, apo të ka pëlqyer shumë dhe e ke blerë dhe ruajtur për vite? Për mua kjo është e dhimbshme, sepse tentoj të ruaj me kujdes gjërat e çmuara. Ato nuk duhet të jenë patjetër në vlerë të lartë monetare, është kujtimi apo personi me të cilin lidhen që i japin vlerë.

Para disa ditësh hodha një kanë të bukur, të vjetër, kujtim familjar i disa viteve. E kisha ruajtur me kujdes dhe në një moment teksa sistemoja enët e lara, e vendosa në një cep të banakut ku mendoja se do të ishte ok. Edhe pse pata një ndjesi për ta çuar në vendin e vet që në atë moment, lodhja e ditës më bëri t’i them vetes se do ta rregulloja të nesërmen. Të nesërmen u thye. Ishte e vështirë ta hidhja në kosh.


Kjo ndjesi e humbjes së gjërave që i vlerësojmë bëhet edhe më e vështirë kur bëhet fjalë për copëza të jetës që na janë thyer nga pakujdesia jonë apo e dikujt tjetër. Duket sikur i mbartim këto copëza të thyera dhe dhimbjen që na kanë sjellë ndonjëherë dhe për vite me radhë, pa gjetur paqe apo shërim. Nuk dimë si të merremi me to. I kujtojmë vetes se falja është rruga drejt shërimit, e megjithatë falja duket si nje proçes që e japim dhe e marrim prapë mbrapsht, sepse zemra nuk gjen paqe. E ne ndihemi të thyer me copëzat me të cilat nuk dimë çfarë të bëjmë. Ato na kujtojnë se dikur ishim të plotë. Sfida që kemi është të rigjejmë gëzimin përmes thyerjeve.


Në Japoni ekziston një art që quhet kintsugi. Kintsugi është praktika e riparimit të objekteve të thyera. Mendohet se si praktikë ka lindur rreth shekullit të XV-të, kur shoguni japonez Ashikaga Yoshimasa dërgoi në Kinë për riparim filxhanin e tij të preferuar të çajit, porcelan kinez. Meshtrave japonezë nuk u pëlqeu materiali me të cilin ishte ngjitur filxhani, ndaj përdorën pluhurin e arit për të veshur krisjet nga jashtë, dhe ky ishte fillimi i traditës së kintsugit. Filozofia e kintsugit pranon thyerjet dhe papërsosmëritë si pjesë me vlerë të një objekti, sepse tregojnë historinë e tij. Sa më shumë thyerje të ketë, aq më shumë histori përmban dhe aq më shumë vlerë ka.

Objektet e porcelanit Kintsugi kanë vlerë të lartë, madje besohet se në një kohë artizanët filluan të thyenin vetë enët dhe t’i kuronin me pluhur ari, argjendi apo titaniumi, për t’u dhënë atyre më shumë vlerë. Në zemër të filozofisë së kintsugit qëndron besimi se ka bukuri në thyerje dhe papërsosmëri, dhe këto nuk duhen fshehur por duhen nxjerrë në pah.

Kur dëgjova për këtë lloj arti përmes postimit të një prej autorëve të mi të preferuar, u impresionova tej mase sepse kjo është një përqasje tejet shpenguese. Ne tentojmë të fshehim ato pjesë të jetës për të cilat nuk jemi krenarë, e kemi të vështirë të pranojmë humbjet, thyerjet, dështimet si pjesë të historisë sonë. Flasim me dëshirë për arritjet por jo për thyerjet. Nuk i kemi parë kurrë si diçka që na jep vlerë, as tek vetja dhe as tek të tjerët. I kemi parë si diçka e padëshirueshme. Përpiqemi t’i harrojmë e t’i themi vetes të ecim para, të pretendojmë se ato nuk ekzistojnë, se sa më pak të mendojmë për to, do të zhduken vetvetiu, duke harruar se ato nuk mund të zhduken. Ato janë pjesë e jetës dhe historisë sonë.

Një nga vargjet e mia të preferuara në Bibël, është psalmi 147:3

” Ai shëron zemrën e thyer dhe lidh plagët e tyre”

Për një moment më duket sikur Perëndia është mjeshtri i madh që me pluhurin e arit lidh plagët tona, duke na shpenguar dhe ripërdorur në një mënyrë edhe më domethënëse se më parë. Krisjet dhe plagët e lidhura me arin e tij kthehen në detajet që na bëjnë unikë dhe na shtojnë vlerën. Kjo nuk duhet të na çudisë. A keni vënë re ndonjëherë njerëzit më të dhembshur, më autentikë dhe më frymëzues, nuk janë ata që na flasin nga pozita teorie, por ata që kanë kaluar përmes dhimbjeve të mëdha dhe janë ringritur? Këta ndonjëherë nuk kanë bërë më shumë shkollë se të parët, nuk kanë as më shumë tituj apo grada, por me fjalët e tyre dhe urtësinë e fituar në sprovat e jetës, na godasin thellë në zemër.

Nëse i shohim dhimbjet dhe dështimet tona nga kjo perspektivë, atëherë ato marrin një kuptim të ri. Perëndia na jep një diademë në vend të hirit, këngë gëzimi në vend të vajit (Isaia 61:3) Ai është Perëndia i restaurimit dhe jetës së re. Ai që nga e vjetra bën diçka të rë dhe na thotë:

“Mos shqyrtoni më gjërat e kaluara, ja unë po bëj një gjë të re. (Isaia 43:19)

Cilat janë ato copëza të jetës dhe historisë tënde që të sjellin dhimbje apo turp dhe që përpiqesh t’i fshehësh apo mohosh? Dorëzoja Perëndisë sot me besim se Ai do t’i lidhë me pluhurin e arit duke nxjerrë në pah veprën unike që ti je!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Pin It on Pinterest

Share This