Cfarë na mëson fotografia për jetën: arti i falenderimit

Festivali i Ngjyrave Maj 2019 Tirane

A e keni vënë re kur sytë tanë fiksohen mbi një situatë apo mungesë të caktuar, gjithçka tjetër rreth nesh zbehet?

Unë do të thosha se i ngjan pak a shumë fotografive në stillin bokeh. Bokeh bën që të spikatë objekti i përzgjedhur ndërsa gjithçka tjetër mjegullohet deri në zbehje. Në këto fotografi lentja e aparatit fokuson vetëm një objekt të caktuar duke lënë gjithçka tjetër që e rrethon në zbehje. Kjo kryhet përmes kontrollit mbi sasinë dhe kohëzgjatjen e lejimit të dritës gjatë kohës së shkrepjes.

Mua më pëlqen shumë kjo teknikë në fotografi. Përveçse duket shumë profesionale, kjo teknikë na lejon të kundrojmë nga afër objektin e spikatur dhe të shijojmë çdo detaj në të.

Eshtë një teknikë tjetër që mundëson kapjen e tablosë së plotë deri në largësi. Kjo përdoret sidomos në peisazhe. Fotografia karakterizohet nga qartësia dhe mprehtësia e saj. Kjo quhet depth ose thellësi. Sa më shumë thellësi të ketë shkrepja aq më cilësore fotografia. Kamerat e mira ndahen këtu nga ato më normalet.

Cdo teknikë fotografie ka sekretet e saj. Përveç një syri për të kapur momentet e veçanta, kërkon pak matematikë dhe shkathtësi. Matematikë për të përllogaritur parametrat specifike të shkrepjes, shkathtësi për t’i ndërruar ato në kohë, për të kapur momente të papërsëritshme. Për shembull për garat me makina dhe lojërat olimpike, filmat me aksion, kërkohen parametra të caktuar të kamerave, për të kapur objektet në lëvizje.

Ne gjithashtu i afrohemi jetës sonë dhe të të tjerëve, sikurse një fotograf. Aparati dhe parametrat me të cilët kapim momentet e caktuara ndryshojnë nga një person tek tjetri, sipas vlerave dhe sistemit të besimit.

Unë do të thosha se si shqiptarë jemi të predispozuar t’i përqasemi jetës dhe të tjerëve në parametrat e Bohek. Kultura jonë e ka shumë të theksuar fokusin tek papërsosmëria. Mjafton t’u hedhësh një sy komenteve rreth paraqitjes fizike të dikujt, për të kuptuar se fokusi bie mbi difektet e atij personi: hunda, veshët, një difekt në trup, goja, dhëmbët a ku di unë. Të tjerat zhvendosen në hije duke e identifikuar dhe etiketuar personin mbi tiparin që është vënë në fokus. Arrijmë deri aty sa t’i thërrasim me epitete si ai tullaci, ajo gojështrembta, ajo e shëndosha, ai calamani etj

Kjo sjell një zhvlerësim të së tërës që personi përfaqson. Nuk e di çfarë nuk është në rregull me ne shqiptarët, diku kam lexuar se gjoja ne jemi të fiksuar pas të bukurës dhe përsosmërisë, ndaj nuk i tolerojmë asimetrinë dhe të metat.

Ndoshta mund të jetë kështu, megjithatë mendoj se ky është një handikap i madh i shoqërisë sonë. Dështimi për të parë të bukurën dhe uniken në tërësi është një handikap të cilin duhet ta shpengojmë dhe ridrejtojmë nëse duam të jemi një shoqëri e fortë.

I përqasemi edhe vetes sonë nga qëndrimi bohek. Fiksohemi tek gjërat që nuk shkojnë, duke harruar të tërën. Kjo na zhyt në një gjendje dëshpërimi dhe të të ndjerit të pavlerë. Kjo na bën të pasigurtë. E kundërta e kësaj është narcisizmi. Fokusi vihet mbi një aspekt të jetës, arritje, tipar fizik apo të personalitetit, dhunti, që na bën të ndihemi krenar, saqë harrojmë të tërën që na bën humanë. Kjo na vë në pozita arrogance dhe bëhet pengesë për t’u rritur si individë, sepse nuk lë vend për të përqafuar një qëndrim mësimdashës. Arritja dhe suksesi në një fushë na bën të ndihemi të mjaftueshëm dhe rritja jonë ndalon aty.

Shkrimi i Shenjtë na sugjeron një perspektivë ndryshe, që sjell një balancë mes të dyjave.

Nga njëra anë Shkrimi na thërret t’i kushtojmë vëmendje detajeve, pra të përdorim teknikën bohek, por e bën këtë duke na kujtuar njëkohësisht të plotën. Eshtë sikur të bësh dy shkrepje të njëpasnjëshme, një afër dhe një larg dhe t’i vendosësh në një kornizë. Ka një balancë të përsosur mes shqyrtimit të papërsosmërisë, njerëzores dhe hyjnores. Kjo lloj përqasjeje sjell shpresë, perspektivë shpenguese dhe gëzim.

Kjo përqasje ka disa parametra në vetvete. Sot do të permend parametrin e mirënjohjes dhe shprehjes së saj përmes falenderimit.

Falenderimi është akti i shprehjes së mirënjohjes ndaj dikujt për të mirat që na ka bërë. Falenderimin e mësojmë që në fëmijëri. Faleminderit është nga fjalët e para që u mësojmë fëmijëve. Falenderimi është një nga praktikat më të mira që mund të kultivojmë. Nuk ka gjë më të shëmtuar se sa kur perballesh me mosmirënjohjen e dikujt. Mosmirënjohja është të mohuarit e të mirës që të është bërë. A ke vënë re për shembull kur i hap rrugën dikujt me makinë dhe personi jo vetëm nuk të thotë faleminderit, por as denjon të të hedhë shikimin? Ka edhe me keq, nga ata që të shohin me mospërfillje e inat sikur ua kishe për borxh dhe vazhdojnë rrugën.

Si ju bën të ndiheni ?

Po sikur ky kalimtari të jemi ne, ne në udhëtimin e jetës? Sepse shumë nga ne i ngjajnë atij kalimtarit që të injoron. Shumë nga ne janë indiferentë ndaj Krijuesit të jetës, duke u sjellë sikur nuk ekziston.

Jezusi në fakt u përball me “kalimtarë” të tillë. Tek Ungjilli i Lukës, kapitulli 17, ndeshemi me historinë e 10 lebrozëve. Jezusi i shëron të dhjetë por vetëm njëri kthehet ta falenderojë kur kupton se ishte shëruar. Nëntë të tjerët vazhduan rrugën. Jezusi e pyet atë një që u kthye: Ku janë nëntë të tjerët? Vetëm ti u ktheve?

Le të jemi sot ai një që u kthye. Le të jemi ai kalimtari që kthen kokën me mirënjohje dhe thotë “faleminderit”.Ndalo për pak kohë sot të njohësh të mirat që Perëndia të ka bërë dhe t’i thuash Atij faleminderit.

Le të mos jetë një falenderim i thatë, apo i shpejtë, i përgjithshëm, i pavetëdijshëm, dhe i pa informuar. Por ndalu, merr një fletë e një laps e shkruaj gjithë gjërat për të cilat je mirënjohës. Madje nëse asgjë nuk të vjen në mendje, kërkoji Perëndisë të të hapë sytë e të shohësh bukurinë rreth teje.

Sot le të ndalojmë për të shkrepur një foto Bohek mbi bekimet në jetën tonë, ku parametri të jetë falenderimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Pin It on Pinterest

Share This