Kur e fton Perendine ne lagjen tende

Kur e fton Perendine ne lagjen tende

Para 10 viteve familja jonë u zhvendos nga Budapesti në Tiranë. Eshtë e kotë të them rëndesën në zemrën time kur lamë atë lagje të bukur, me qershitë dhe kumbullat që kishin lidhur kokrrat e ishin afër vjeljes. Ndonjëherë më dukej si një shaka e hidhur. Javën e fundit do të qëndroja gjatë në ballkonin e apartamentit tonë duke dëgjuar këngët e zogjve dhe sytë më mbusheshin  me lot, duke menduar se po iknim.

Kjo lagje kishte një domethënie të veçantë për mua, gati profetike. Sepse shume vite më parë unë kisha ardhur në këtë lagje në një konferencë që zhvillohej në ambientet e hotel “Rubin”, në krye të rrugës që të çonte tek shtëpia ku rrinim tani. Atëherë ishin hapat e fillimit të njohjes me djalin që do të bëhej bashkëshorti im, dhe kam marrë kartolinat e para elektronike prej tij, ndërsa isha aty.

E tani, une e bëja ate rrugë çdo ditë dhe kujtoja ëndrrat dhe lutjet e mia për atë djalë që tani ishte bashkëshorti im dhe babai i tre fëmijëve tanë. Kush do ta kishte menduar në atë kohë, se ne jo vetëm do të ishim bashkë, por në atë oborr ku unë thurja ëndrrat e i lutesha Perëndisë për të, një ditë do të çoja fëmijët tanë për të luajtur. Ajo rrugë më kujtonte tashmë çdo ditë besnikërinë e Perëndisë. Kur e mendoj sot, në një farë  mënyre me duket disi profetike, e qëllimshme, që jetuam aty në atë kohë kur do të merrnim vendimin për t’u kthyer në atdhe, pas disa viteve që kishim jetuar e punuar jashtë Shqipërisë, si për të më kujtuar që Ai ishte besnik dhe do të kujdesej, ashtu siç po prekja përgjigjet e lutjeve të mia.

Unë nuk e dija çfarë na priste. Kisha frikëra, por isha e gëzuar që do të ishim më pranë familjeve tona dhe miqve tanë të vjetër. E megjithatë Shqipëria ishte ende një vend i vështirë për të jetuar me mungesat e gjata të dritave dhe të ujit, rrugët e prishura, e pazarin e varfër.

“Po ne kemi QTU” më tha një nga shoqet e mia, për të më ngushëlluar ndërsa mendoja për gjërat me të cilat isha mësuar dhe do të më duheshin, sidomos me 3 fëmijë të vegjël

Por QTU më dukej si një dyqan i vogël lagjeje, kur e krahasoja me supermarketet e qendrat tregtare gjigande të Budapestit. Përveç kësaj gjatë qëndrimit larg Shqipërisë,  isha çmësuar nga takat e rrobat e kapërdisura, dhe isha konvertuar në njeriun e thjeshtë e praktik të cilin e takoja çdo ditë, e që rrobat e mira dhe shkuarjet në sallone i ruante për rastet e veçanta e koncepti ynë i xhiros nuk ekzistonte.

Kane kaluar 10 vjet që atëherë e Shqiperia ka ndryshuar shumë. Sot une ende udhëtoj si pjesë të punës sime, por më besoni që përveçse cokollatave për fëmijët apo ndonjë suveniri të veçantë që koleksonoj, unë nuk bëj pazar, sepse ndihem që tani në Tiranë mund të gjej gati gjithçka.

Një nga pasazhet që më ka inkurajuar në atë kohë dhe tani, është tek Jeremia, kur Zoti me anë të profetit Jeremia i dërgon një fjalë shumë ngushëlluese dhe premtuese judenjve që i kishin marrë robër në Babiloni. Perëndia i ftonte që ata të luteshin për mirëqënien e qyteteve ku ishin, sepse nga mirëqënia e atyre qyeteve varej edhe mirëqënia e tyre. I nxiste të luteshin per ta, të mbillnin vreshta e të ndërtonin shtëpi e të kërkonin të mirën e qytetit të tyre.

Edhe pse nuk ka një analogji besnike të kthimit tonë në Shqipëri, ky pasazh më ka vlejtur që të shoh lëvizjet e banimit me sytë e besimit dhe që ta ktheja në një zakon të kërkuarit në lutje të  mirëqënies dhe të mirës së lagjes apo qytetit, vendit ku Zoti më kishte sjellë. Lagjia jonë e vjetër, Pazari i Ri, u transformua dhe është kthyer tashmë në një nga zonat më të lakmuara te qytetit, vetëm një muaj pasi familja jonë u shpërngul përsëri. Këtë radhë jo jashtë Shqipërisë, por në një nga zonat që unë e kisha shmangur gjithmonë sepse më dukej larg dhe nuk më kishte tërhequr asnjëherë.

Edhe pse tepër e gëzuar që tashmë do të kishim një shtëpi që jo vetëm që  mund ta quanim tonën, por që kishte tejkaluar pritshmëritë e mia dhe përmblidhte ato lutje që i kisha çuar para Atit për shumë vite, prapë në zemër kisha një ndjesi humbjeje teksa largohesha nga një lagje e sapo transformuar në një zonë krejt të re e pak të zhvilluar. Kjo u bë edhe më vështirë në ditët e fundit para se të transferoheshim, ndërsa përshkruaja kalldrëmin e ri të lagjes dhe shikoja dyqanet e reja, sheshin e transformuar ku luanin fëmijët tanë, e sytë më mbusheshin me lot dhe një lëmsh me mblidhej në grykë. Nostalgjia dhe frika ndaj të resë është njerëzore, ne lidhemi fort me atë që kemi patur dhe e panjohura na tremb edhe kur ajo është një plotësim dëshire, sepse thellë kërkojmë atë sigurinë që do të jetë mirë, madje do të donim të dinim që do të jetë më mirë se sa ishim, në mënyrë që të themi se e reja në jetën tonë ia vlejti.

Por njerëzit e besimit jetojnë me besim. Njerëzit e besimit jetojnë me shpresë. Ata nuk jetojnë duke i mbajtur sytë  tek ajo që ka kaluar apo tek ajo që shohin, por tek ajo qe nuk shohin ende por do të vijë. Njerëzit e besimit jetojnë me vizion dhe guxim, dhe njerëzit e besimit kërkojnë të mirën e qytetit, lagjes, fshatit të tyre, duke ia drejtuar kërkesat dhe ëndrrat e tyre Atit të tyre qiellor, i cili ka pushtet mbi çdo politikan e qeveritar dhe mund ta transformojë një vend në mënyra të mahnitshme. Mos të harrojmë një nga etërit e besimit, Abrahamin, i cili në përgjigje të thirrjes së Perëndisë në jetën e tij, la  një jetë të sigurtë në Kanan për të shkuar drejt një toke që as kordinatat as emrin nuk ia dinte. Abrahami gjithashtu me besim zgjodhi malin, vendin e pazhvilluar, ndërsa Loti, nipi i tij, zgjodhi fushën e qytetin. Për momentin dukej se Abrahamit pas gjithë atyre sakrificave i ishte bërë një padrejtësi e ironi e fatit. Por Perëndia që e kishte thirrur e bekoi shumë në atë mal, duke e begatuar, ndërkohë që qyteti apo Sodoma ku Loti banonte do të kthehej më vonë në hi dhe Loti do të humbte fëmijët e tij.

Këto histori besimi na kujtojnë dhe nxisin të shohim që njerëzit e besimit nuk ecin të mbështetur mbi logjikën njerëzore, por ata ndjekin me besim thirrjen e Perëndisë dhe presin në Të që Ai të sigurojë për ta. Pse? Sepse ata e kanë parë dhe prekur mirësinë e besnikërinë e Perëndisë në të shkuarën e tyre.

Abrahami ka qenë një inkurajim dhe frymëzim për mua, ndërsa ne lëvizëm në “malin” tonë. Lutja, vizioni për lagjen tonë është kthyer në një ushtrim shpirtëror për mua çdo mëngjes apo pasdite kur dal për të përcjellë fëmijët në shkollë dhe për të shëtitur Lilin, qenushen tonë, apo për të bërë pazar në dyqanet e lagjes.  Une lutem që Perëndia im që na do e na ka sjellë në këtë lagje, ka për të na bekuar e ka për të siguruar për nevojat tona, e Ai është në gjendje ta kthejë këtë lagje të re e ende në zhvillim në një oaz.

E ndërsa lutem kam filluar të vë re ndryshime në dukje të vogla, por që flasin për kujdesin e Perëndisë për ne. Kur ne u shpërngulëm këtu para gati një viti, nuk kishte asnjë farmaci në zonën tonë, e ata që janë prindër e dinë sa e rëndësishme është të kesh një farmaci afër.  Sot ka dy, njëra vetëm një minutë larg nga ne. Janë hapur disa dyqane të reja dhe janë vendosur kosha të rinj. Kanë ardhur madje më shumë shoqe që njoh dhe që i kam pranë, dhe dje sapo kam takuar një nga nga miket e mia të çmuara e cila erdhi në lagjen tonë vetëm para një muaji.

Dhe dje ndërsa shkruaja këtë artikull, mora një lajm tjetër inkurajues që lidhej me statusin e kësaj zone dhe planet që ka bashkia.

Kjo me dha gëzim dhe mendova për ato lutje të shkurtëra e ëndrra që unë ia them Atit tim qiellor ndërsa ec në lagjen tonë.  Kjo gjithashtu më ndihmon të shoh të ardhmen me gëzim e shpresë duke ditur që planet e Tij për ne janë të së mirës e jo të së keqes, Ai ka një të ardhme dhe shpresë. Unë kam shumë endrra, kam ëndrra për një Shqipëri më të mirë, për shkolla të mira, për parqe për fëmijët, etj, kam ëndrra të cilat i hedh tek kutia e votimit qiellor dhe jo tokësor. Sepse unë e di që Ai është besnik, Ai e mban fjalën, dhe Ai ka në dorë  kohërat dhe zemrat e qeveritarëve tanë dhe është në gjendje të bëjë të pamundurën kur ne i kthejmë zemrat e sytë tanë tek Ai. E ndërsa Perëndia përgjigjet sipas vullnetit të tij e shoh mirësinë e tij në tokën e të gjallëve, unë e di që jeta ime këtu është një fragment krahasuar me përjetësinë. Ndaj sytë e mi janë atje.

Po ti a ke ëndrra apo t’i ka mbytur pesimizmi i politikës? A ia thua Perëndisë apo po pret për zgjedhjet e radhës? A po jeton me shpresë apo me çfarë të sheh syri? A po mendon që ky vend  nuk bëhet dhe po shikon për mundësinë më të parë për të ia mbathur, apo po pret me shpresë e gëzim atë që Perëndia mund të bëjë aty ku të ka vendosur tani?

Nxitja dhe inkurajimi im është që të fillosh e të praktikosh këtë zakon të shenjtë të lutjes për vendin, qytetin, lagjen, shkollën tënde dhe ndërsa lutesh të kesh sytë hapur për të vënë re ndryshimet sado të vogla në fillim, e falendero Perëndinë për përgjigjet e lutjeve

Njerëzimit e besimit nuk jetojnë me atë që shohin, por me atë që nuk shohin, sepse

“besimi është siguria e gjërave që shpresohen, bindja  e gjërave që nuk shihen” Hebrenjve 11:1

 

 

 

 

 

 

Rudina Bakalli

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

×
Share This