Pak perspektivë për kohë të errëta

A ndihesh i ngatërruar apo dekurajuar nga rrjedha e gjërave në jetën tënde? A ke humbur zemër apo je gati të heqësh dorë ndërsa gjithe çfarë sheh të duket pa shpresë, e errët, apo e kotë?

Unë mund ta gjej veten ndonjëherë aty. E ndoshta të gjithë e kemi gjetur veten aty që nga ngjarjet që përjetuam nga tërmeti, apo pandemia, të cilat kanë shtuar pasigurinë për të ardhmen.

Kohë si këto më çojnë në lutje si asnjëherë tjetër, sepse lodhja dhe rëndesa mbysin shpresën dhe realitetin hyjnor.

Shkrimi thotë se Perëndia merr lavdi nga goja e të voglit. Jo rrallë më ndodh të mësoj nga goja e të vegjëlve të mi në shtëpi.

Para pak ditësh vajza ime e vogël më kërkoi t’i blija mjete për të pikturuar. Duke qenë se ajo nuk kishte shprehur më parë ndonjë interes të veçantë për pikturën, përveçse kur ishte e vogël, u habita pak, por duke menduar se kjo verë pandemie na ka kufizuar, e pashë si një mundësi shumë të mirë që ajo të kalojë kohën në mënyrë krijuese.

I blemë telajot, penelat dhe ngjyrat dhe ime bijë iu fut punës. Në një moment vjen ndërsa isha e shperqendruar mes punëve të zakonshme në kuzhinë dhe më thotë gjithë entuziazëm.

“Mami shikoje pak. Si të duket?”

Si më duket? C’të thosha për atë që po shikoja, picërrova sytë dhe u mata dy herë për të dhënë mendimin tim. Dy seksione të mëdha të errëta, me pak të bardhë në mes, dhe një fashë edhe më e madhe poshtë tyre blu e errët.

Dritare me perde?

“Si dritare me perde? ” nuk e fshehu lëndimin ime bijë.

Po ja dritarja, ja perdet, ja muri, vazhdova unë më tej në pafajësinë time.

Ok më tha dhe u kthye në dhomë, për të sjellë pas një ore punën e përfunduar. Do të kisha dashur të ishit aty e të më kishit parë. Sytë m u zmadhuan dhe ndriçuan nga habia dhe gëzimi. Mbeta pa fjale. Në atë moment më kapi e qeshura. Nuk ishin dritare. As perde, as mure. Kishte qenë një ujëvarë! Një ujëvarë e bukur mes ca shkëmbinjsh, dhe një fidan që sapo kishte lulëzuar aty pranë. Ajo bluja e errët që e kisha marrë për mur kishte qenë shtrati ku derdhej ujëvara, e ato fasha të errëta që i kisha marrë për perdet e dritares kishin qenë shkëmbinjtë nga rridhte ujëvara.

Ky incident i vogël, që më bën ende të qesh, ishte si një dritez e vogël ilustrimi për punën e Perëndisë në kohë të errëta, si kohët që po jetojmë që nga tërmeti dhe koronavirusi apo trazirat që po shohim nëpër botë, kur ne shohim vetëm “dritaren” “muret” apo “perdet” a ku di unë çfarë emri mund t’i vëmë errësirës që shohim, por që në tablonë e madhe që Perëndia ende nuk e ka përfunduar, ato kanë një tjetër emër dhe janë pjesë e një tabloje që kur të përfundohet do të na lërë pa fjalë dhe do të na zërë ngushtë për paaftësinë tonë për ta parë që nga fillimi.

Në Bibël na flitet për një Perëndi të mahnitshëm i cili krijon universin nga asgjëja, (Zanafilla 1) krijon dritën në terr (Isaia 45:7), të bukurën nga hiri, ujin nga shkëmbi, manën nga qielli (Eksodi), të rikthen nga vdekja (Luka 11) etj. I gjithë Shkrimi i Shenjtë është i mbushur me veprat e mrekullitë e një Perëndie të dashur, sovran, të plotfuqishëm dhe të mirë. Të gjitha veprat e tij janë të mira dhe nuk kanë të metë.

Ndaj nëse je duke kaluar një periudhë të vështirë apo të errët, merr zemër, sepse Perëndia nuk e ka mbaruar punen e Tij në ty ende, dhe ajo që po bën në ty është e përsosur.

Në fund do të themi bashkë me psalmistin

“Eja dhe shih veprat e Zotit, ai kryen mrekulli për bijtë e njerëzve” Psalmi 66:5

Një pikturë në progres, më ndihmoi mua këtë javë të kujtohem për miresinë e Perëndisë, dhe të shoh ngjyrat e errëta në kohën që po jetojmë, me shpresë dhe padurim se çfarë janë ato në tablonë që po bën Perëndia? Po ty çfarë të ka ndihmuar? Si i ka folur Perëndia zemrës tënde kur ke kaluar përmes vështirësive?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Pin It on Pinterest

Share This