Lindja ime nuk ishte gabim

nga Dragana Pecov

Secili nga ne është një mrekulli e gjallë. Secili nga ne ka një histori për të treguar. Kjo është historia e Draganës. Një histori që fillon me luftën për të jetuar dhe betejën e brendshme në kërkim të qëllimit më të lartë.

Historia ime fillon 41 vite më parë, me një grua që do të bëhej nënë për herë të parë. Ujërat e saj u thyen dhe kështu nisi lindja ime. Për fat të keq, mamaja ime u la e vetme në spital dhe pa kujdes. Mes lotëve kërkoi ndihmë ndërsa barku i saj po tkurrej nga humbja e lëngut amniotik.

U la në atë gjendje për dy ditë, dhe më në fund me hirin e Zotit doktori i saj erdhi. Ai e dërgoi direkt në sallën e operacionit. Situata nuk priste. Atë natë linda unë, e gjitha blu për shkak të mungesës së oksigjenit. Mjeku dhe mamitë luftuan të më ndihmonin të merrja frymën e parë. Dhe mrekullisht ia dola. Unë mora frymën e parë. Perëndia kishte një plan për mua për të ardhur në këtë jetë.

Shpesh luftoj për të parë se si jeta ime po bën një ndryshim në këtë botë. Ndonjëherë mbërthehem nga genjështra që më thonë se kam nevojë të studjoj më shume, të marr një diplomë tjetër. Një zë që më thotë se kam nevojë të bëhem një shkrimtare e njohur, apo të kem atë dhunti komunikimi që t’i mbërthej audiencat me sigurinë time, kur truri më çlirohet nga mjegulla dhe fjalët dalin ashtu si një avion çan qiejt me shpejtësi.

Shumë herë gjatë periudhës së rritjes sime, jam ndjerë aq e parëndësishme, sa pyesja veten pse isha në këtë botë. Kisha dëshirë të bëhesha si ata që adhuroja. E vërteta është, se ende luftoj me këtë gënjeshtër që më thotë se po të jëm më pak kështu, e më shumë ashtu, do të jem më e rëndësishme, do të më duan më shumë dhe se do të përkas…

Por Perëndia nuk bën gabime. Mua më duan dhe kam një vend të cilit i përkas, për shkak të Jezusit dhe asaj që ai ka bërë për mua në kryq. Ai më thërret E Dashur. Cdo ditë duhet të kujtoj veten që Ai ka krijuar këtë zemër që ndjen kaq thellë, për një qëllim.

Po mësoj si të kultivoj një zemër falenderuese. Jam mirënjohëse për burrin tim, dhe për tre fëmijët tanë që më mbulojnë me përqafime çdo ditë. Cdo ditë më kujtojnë sa shumë më duan dhe se jam e çmuar për ta. Ata më kujtojnë për rëndësinë e gjallërisë në jetën tone,dhe se gjallëria nuk duhet të pushojë me rritjen.

Ata më kujtojnë se mund të jesh i gëzuar dhe i trishtuar, dhe se mund të duash plotësisht, ta tregosh dashurinë pa patur turp për të. E di që nuk e meritoj këtë. Shumë herë dështoj për t’i dashur siç do të doja, por ata më japin hir pa fund. Ata më mësojnë se si Perëndia më do mua, dhe si më mbështjell në krahët e tij duke më treguar se nuk ka asgjë që mund ta largojë prej meje.

Jam mirenjohëse që Perëndia më mbajti të gjallë. Ai patjetër që kishte një plan për jetën time, ndaj edhe vendosi që unë të jetoja atë ditë. Mbi të gjitha, Ai më ka dhënë frymë jete dhe më ka bërë të gjallë në shpirt.

Akoma kam shumë dëshira. Po mësoj t’i pranoj, t’i ndjej, të ëndërroj për mundësi të pafundme. Ndoshta nuk do të jem kurrë ajo folësja e famshme, apo të marr një diplomë tjetër, apo të bëhem një autore e njohur librash.. dhe nuk ka problem për këtë.

Gjatë kësaj kohe më është kujtuar Nënë Tereza. Ajo shkoi të jetonte mes më të varfërve të të varfërve. Preku jetët e njerëzve që nuk mund t’i jepnin asgjë në këmbim. Në të njëjtën kohë mendoj se ajo pranoi prej tyre duke vlerësuar atë që ata i dhanë: dashurinë e tyre.

Ajo ishte me duar të hapura ndaj çdo gjëje që Perëndia i dha përmes këtyre njerëzve. Ajo nuk mburrej për gjërat që kishte bërë. I besoi Perëndisë për të shkuar, për të dashur ata njerëz, dhe kjo do të thoshte që ishte e gatshme të jepte dhe të merrte. Ajo i preku, i mbajti në krahë, iu afrua, jetoi mes tyre, dhe i deshi.

E gjithë bota dëgjoi për Nënë Terezën, por njerëzit që ajo preku, e njohën më afër përmes dashurisë së saj të sinqerte dhe thjeshtësisë së saj. Ajo nuk kishte kohë as interes për t’u dukur, por për të treguar dashurinë e Krishtit. Ajo jetoi duke qenë e dashur nga njerëzit.

Deri në fund të jetës sime dua të mësoj si të dua. Dua të mësoj të shkoj, të jap, dhe të mësoj të jem e përulur para Perëndisë dhe të pranoj prej çdo personi që Perëndia ka vënë në jetën time. E di që kjo kërkon këmbëngulje dhe nuk ndodh brenda natës. Ndoshta nuk do të kem mundësi të prek jetën e qindra njerëzve, por nëse prek jetët e atyre që më janë dhënë mua, dhe t’i dua siç Jezusi më deshi mua, kjo do të më mjaftonte.

Dragana Pecov dhe familja e saj jetojnë në Shkup të Maqedonisë, është e martuar dhe kanë tre fëmijë. Ajo është e apasionuar pas letërsisë dhe muzikës. Dragana në shqip do të thotë njeri i dashur. Dragana dhe i shoqi ia kanë kushtuar jetën e tyre misionit të transformimit të shoqërisë duke prekur një jetë në një kohë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Pin It on Pinterest

Share This