Si të kemi një shtëpi të bukur

pamje nga shtepia

Vështrim pas: të jesh qeraxhi

Shtëpia e ëndrrave të mia ka ngjyra të ngrohta, vazo me lule, ka shume dritë. Ka një kuzhinë të bardhë me një ishull në mes e më shume sirtarë”

Kështu do të shkruaja në një artikull për këshilla për një shtëpi të bukur, në Qershor të vitit 2015. Në atë kohë ne ende jetonim me qera, në zemër të një prej zonave atraktive të qytetit.

Ne ishim nga të paktët banorë që jetonim me qera në atë pallat të ri. Në ditët e para, një nga komshiet që nuk i shpëtoi syrit se ishim të rinj, më pyeti:

“E keni tuajën shtëpinë?”

“Jo jemi me qera”

Komshia nuk e fshehu pakënaqësinë ndaj qeraxhinjve. Ata janë të parregullt, nuk paguajnë për mirëmbajtjen e shkallëve, i lënë plehrat në dyer (apo i hedhin nga ballkoni). Papritmas kisha kuptuar se Shqipëria në të cilën isha rikthyer pas 7 viteve, kishte ndryshuar. Me sa dukej Shqipëria që kishte bijtë e bijat në emigracion si jabanxhinj e qeraxhinj, nuk kishte vend në zemrën e saj për jabanxhinjtë e saj.

Biseda u mbyll aty. Por kjo pyetje nëse kishim shtëpinë tonë apo me qera, do të më shoqëronte për një kohë të gjatë. Sa herë që do të takoja dikë e në muhabet e sipër do të më pyeste ku banoja, pyetja tjetër ishte a e kishim tonën apo me qera.

Fëmijët do të kishin tema në shkollë nëse ishin me qera apo kishin shtëpinë e tyre

Dukej si një stigmë që të ndjek nga pas, duke u kthyer në një barrë. Shtëpia është një nga ato investimet e mëdha dhe kryesore edhe në kultura të tjera, por ndoshta për shkak të varfërisë mendoj se si kulturë e kemi kthyer në një idhull të lumturisë dhe suksesit.

Perëndia përgjigjet

Në 2017 Perëndia na bekoi me një shtëpi që më në fund mund ta quaja timen. ( https://shigjete.com/ëp-admin/post.php?post=386&action=edit )
Ky apartament në një nga lagjet më të qeta e të pastra, ishte përtej asaj që mund të imagjinoja në Tiranën e betonizuar. Kisha më në fund një pamje të lirë. Krejt Tirana, madje deri në Fushë Krujë e përtej përpara meje. Më dukej si ëndërr. Mund të merrja frymë. Nuk duhet të mbyllja me grilat, perdet, dhe të ndihesha e asfiksuar nga pallatet që na rrethonin nga të gjitha anët.

Ashtu si në ëndrrat e mia, shtëpia ime ka një kuzhinë të bardhë, ka një gjysëm ishull, ka ngjyrat e ngrohta e trendi. Ka hapesirë, ka dritë, qetësi. Ka një taracë të bollshme ku në mëngjes shijoj Tiranën e sapo zgjuar në cicërimat e zogjve. Në mbrëmje shijoj perëndimet që më lënë pa fjalë. Perëndia ka dëgjuar lutjet e mia dhe në bujarinë e Tij më ka mahnitur. Ai është besnik.

Perspektivë afatgjatë

U mbushën katër vjet në shtëpinë tonë. Në fillim gëzimi ishte më i madh, pastaj u bë normal si me çdo gjë tjetër që mezi kemi pritur. Ai është një gëzim i përkohshëm. Gëzimi i një mobiljeje të re, i një cepi të rregulluar, zgjat për pak. Duket se ne vrapojmë nga një boshllëk në tjetrin, sikur jeta jonë është një mision për të mbushur boshllëkun që ndjejmë në thelb të ekzistencës sonë.

Sepse në zemrën tonë njerëzore është një boshllëk që fizikanti i njohur Bless Paskal, do të thoshte se ka formën e Perëndisë, dhe vetëm Ai mund ta mbushë. Asgjë tjetër

Në fund sekreti i një shtëpie të bukur mbetet i njëjtë, sikur e kam shkruar ne 2015 kur isha me qera: dashuria dhe kujdesi për njëri tjetrin, të qeshurat, kujtimet e ëmbla, mysafirët, veprat e shërbimit, bujaria. Një vend ku Perëndia njihet dhe lavdërohet, dhe prej të cilit burojnë gjithë të mirat e tjerat. Dhoma të mbushura me aromën e mirë të lutjeve.

Kur e vëmë Perëndinë të parin në jetën tonë, gjithë gjërat e tjera bien në vendin e vet, sepse Ai është Perëndia i rregullit dhe bukurisë. Mjafton të shohim universin, mjafton të shohim krijimin, dhe të kuptojmë se nuk ka penela më të artë e mahnitës se ato të Krijuesit.

Ta ftosh këtë Krijues të derdhë e shtrijë jetën tënde në telajot e tij, është gjëja me e mençur që mund të bësh për jetën tënde.

Së fundi do të bashkohem me urtësinë e lashtë biblike, e cila sjell gjithmonë perspektivën e duhur në çështjet e jetës. Ja çfarë tha psalmisti

“Mos kij frikë kur dikush pasurohet, kur lavdia e shtëpisë së tij rritet, sepse kur do të vdesë, nuk do të marrë asgjë me vete; lavdia e tij nuk do të zbresë pas tij.
Edhe në se në jetë e ndjente veten të lumtur (në fakt njerëzia të lavdëron kur pasurohesh), ai do të arrijë brezin e etërve të tij, që nuk do ta shohin kurrë më dritën.
Njeriu që jeton në mes të pasurive pa pasur gjykim është njëlloj si kafshët që zhduken” Psalmi 49: 16-20
https://www.bible.com/bible/7/PSA.49.ALBB

Kur e lexon natyrshëm pyet pse thotë mos ki frikë kur dikush pasurohet. A kemi frikë prej tij apo kemi frikë për veten? Unë mendoj se kemi frikë për veten, sepse niveli ekonomik apo arritjet e dikujt tjetër indirekt mund të ngjallin frikën se ne nuk kemi mjaft. Ndaj psalmisti na ndihmon duke sjellë perspektivën e duhur mbi gjërat e përkohshme dhe ato të përjetshme.

Cili është përjetimi yt në lidhje me këtë temë? Cfarë e bën sipas teje një shtëpi të bukur? A ke frikë se do të mbetesh prapa kur shikon pasurimin e dikujt tjetër?

Ndaj me mua dhe lexuesit e tjerë mendimet e tua tek komentet poshtë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Pin It on Pinterest

Share This