Më i përsosur se një Boleslawiec !

Më i përsosur se një Boleslawiec !

Nëse ke hyrë qoftë dhe një herë të vetme në një dyqan Boleslawiec, ti e di që dy gjëra do të ndodhin. Boleslawiec do të kthehet në një pasion, dhe sa herë që një të afërmi tënd do t’i bjerë rruga nga Polonia, do ta pyesësh nëse mund të të sjellë një filxhan a pjatë a produkt tjeter Boleslawiec; dhe nëse të bie rasti të shkosh vetë, do të të duhet një orë që të zgjedhësh mes modeleve të ndryshme pa marrë në duar nja dhjetë filxhanë a pjata të ndryshme, pa i krahasuar dhe pa u siguruar që zgjodhe më të bukurin, sepse të gjitha produktet e tyre janë aq të bukura e unike sa do të doje të kishe marrë me vete gjithë dyqanin.

Herën e parë që shkova në një dyqan të tillë, pa ekzagjerim ndenja dy orë! Dy orë për të zgjedhur dy filxhanë e një mbajtëse sheqeri, dhe pasi u largova nuk isha e sigurtë që kisha zgjedhur modelin më të mirë. Ky është i vetmi set enësh në shtëpi që nuk janë njësoj, por nga një i ndryshëm, dhe i vetmi që nuk do të mërzitesha të kisha me dhjetëra copë po të kisha mundësi për t’i blerë e vend për t’i mbajtur 🙂

Enët e qeramikës Boleslawiec nuk janë të lira, ato kushtojnë, dhe shumë rrallë i gjen në ulje, edhe kur i gjen janë me një çmim të konsiderueshëm, sepse siç do të më shpjegonte mikja ime polake, ato janë krenari për vendasit të cilët nuk duan t’i shesin si çdo produkt tjetër të zakonshëm.

Ato janë të prodhuara me dorë,  duke iu nënshtruar një procesi të gjatë dhe me një cilësi të lartë, duke e bërë kafen, çajin apo nje vakt të shijojnë edhe më shumë.

Enët Boleslawiec më bëjnë të mendoj se si secili nga ne është një vepër unike e Perëndisë, secili i ndryshëm e përsëri tejet unik teksa mbart mbi vete gjurmët e penelave hyjnorë. Dhe si për të shijuar larmishmërinë, Perëndia nuk ka bërë dy si ne njësoj, por të gjithë të ndryshëm, të gjithë me nga një detaj unik, që na bën të papërsëritshëm. Janë këto detaje unike që na tërheqin vëmendjen, por gjithashtu na shkaktojnë shpesh frikë që vjen nga pasiguria dhe krahasimi, kur harrojmë se këto detaje unike nuk vijnë nga ne, por janë gjurmët e Krijuesit.

Këto kohë ndërsa takoj njerëz të kulturave, organizatave, profesioneve, rrugëve të ndryshme e dhunti të ndryshme, kam menduar më shumë për gjurmët e Krijuesit dhe penelat e tij hyjnorë. Nëse do të përpiqesh të shikosh dhuntitë tek dikush tjetër si gjurmët e penelave hyjnorë, nuk do të bëhesh xheloz, por do të adhurosh krijuesin e tyre, ashtu siç bën me veprën e një artisti.

“Ju jeni vepra e Tij, e krijuar për të ecur në veprat e mira që Ai përgatiti që më parë për ju” Efesianeve 2:10

Jo vetëm kaq, Fryma e Shenjtë i shpërndau dhuratat frymërore (detajet unike) lirisht në secilin prej nesh, por nuk i derdhi të gjitha tek një person i vecantë, por ashtu si në një mozaik, secili mbart një pjesë unike për të plotësuar të plotën. Sikur që nga fillimi Perëndia ka gdhendur vizionin dhe dëshirën e Tij që ne të jemi një e jo në kundërvënie apo të pavarur nga njëri tjetri.
Apostulli Pal tek i shkruan kishës së Korintit, e cila po luftonte me shumë gjëra, mes tyre dhe me rivalitetin, u kujton këtë të vërtetë kaq të rëndësishme, se ato gjëra për të cilat po mburreshin, nuk i kishin prej vetes, por u ishin dhënë.

“Sepse çfarë ju bën ju të ndryshëm nga të tjerët? çfarë keni ju që nuk e keni marrë? Dhe nëse ju është dhënë, pse mburreni sikur të mos e keni marrë?”1 Korintasve 4:7

Kohë më parë ky pasazh më është dukur si një lojë fjalësh e errët, por Pali po thotë nëse të janë dhënë ato dhunti që ke, pra nuk i ke për shkak të meritës tënde, pse sillesh e mburresh sikur nuk i ke marrë dhe nuk të janë dhënë?
Prandaj në një letër tjetër Pali do të nxiste besimtarët për të vënë në dobi të të tjerëve ato dhunti që i ishin dhënë. Asnjë gjë nuk na është dhënë për lavdinë a reputacionin a dobinë tonë personale.

Nëse po lufton me krenarinë, kujtohu që gjithçka e mirë në ty të është dhënë prej së larti, dhe ashtu si një enë porcelani mban mbi vete vulën e krijuesit të saj, edhe puna në ty mban vulën e Krijuesit hyjnor. Përdori ato dhunti si dëshmi të lavdisë së Tij, jo tëndes dhe lutu për urtësi si t’i shpenzosh e investosh për dobinë e të gjithë trupit të Krishtit

Nëse po lufton me krahasimin, mos harro se ti je një prodhim hyjnor, dhe mban mbi vete vulën e Krishtit. Perëndia me anë të Frymës së Tij ka derdhur në ty detaje unike që nuk i gjen në asnjë tjetër, dhe Ai i ka dhënë këto me një qëllim. Kërkoje në lutje të të hapë sytë t’i shohësh e urtësi për t’i investuar në mënyrë të mençur. Dhe herën tjetër që do të trishtohesh për  të mirën a dhuntinë që pe tek dikush, kujtohu që sapo ke parë gjurmët e dorës dhe penelit hyjnor. E njëjta dorë të ka dhënë formë edhe ty dhe i njëjti penel të ka detajuar me të njëjtën dashuri e mjeshtëri. Sepse dora dhe peneli i Tij nuk mund të krijojnë më pak se e përsosura!

” Dhe ne e kemi këtë thesar në enë prej balte që epërsia pashoqe e kësaj fuqie të jetë nga Perëndia dhe jo nga ne”    2 Korintasve 4:7

Rudina Bakalli

×
Share This