Shigjete

Çfarë mund të mësojmë nga një zymbyl në këtë 8 Mars?

8 Marsi më kujton zymbylat. Mbase sepse ato çelin në këtë kohë. Një mikja ime sot kur i çova një urim bashkangjitur fotos më sipër, më dërgoi disa fakte interesante për zymbylat. A e dinit për shembull se zymbylat në folklor njihen si lulet e zanave, për shkak të aromës së tyre të mirë dhe ngjyrave të veçanta?

“Legjenda thotë se nëse vendosni kurorë me lule zymbyli, do të ndiheni të detyruar për të thënë vetëm të vërtetën. Zymbyli është simbol i përulësisë dhe shpesh i mirënjohjes. Kjo lule shpesh shoqërohet me simbolikën e dashurisë së përjetshme dhe qëndrueshmërisë.”*

Ky ishte një informacion i ri për mua që e bëri edhe më të veçantë historinë e zymbylit në ballkonin tim, në foton më sipër. Këtë zymbyl e bleva para dy viteve. Kur lulet dhe gjethet iu fishkën, unë nuk e hodha zhardhokun e tij, por e futa në një vazo tjetër të madhe. Për një vit paçka se e ujisja rregullisht sipas stinës, nuk pati asnjë shenjë jete. Një ditë tek po ndërroja vazot dhe mbolla një lule që kërkonte më shumë vend tek vazoja e madhe, e zhvendosa zhardhokun pa “jetë” tek një më e vogël, dhe e vura me afër parvazit të ballkonit. Vazhdova ta ujis me besnikëri dhe kokëfortësi edhe pse nuk jepte shenja jete, kur një ditë teksa shkulja barin e hollë që kishte mbushur siperfaqen e vazos dhe ia merrte frymën dheut, vura re që sa kishin çarë tokën disa gjethe që dukeshin si majat e një shpate. U gëzova shumë sepse nuk e prisja.

Vazhdova ta ujis dhe t’i heq barin e keq, dhe gjethet filluan të rriten. Por gjatë ditëve që bëri shumë ftohtë, i ujisja lulet në darkë në mënyrë te rrufeshme dhe futesha brenda, pa patur kohë që t’i shikoja. Dhe në një nga këto ditë tek nderja rrobat në drekë, më përshëndet kjo gonxhe e bukur që sa kishte çelur. Aq shumë më ka befasuar dhe dhënë gëzim!

“Le të mos lodhemi duke bërë të mirën; sepse, po të mos lodhemi, do të korrim në kohën e vet”

Galatasve 6:9

Më ka kujtuar këtë premtim tek letra e Galatasve 6:9 që thotë të mos lodhemi duke bërë të mirën sepse në kohën e vet do të korrim ose marrim frytin e punës që kemi bërë.

Në këto ditë të errëta ashtu si toka ku mbillet një lule, mund të duket sikur të bësh të mirën nuk ka vlerë sepse nuk nxjerr gjë në dritë, por atje në errësirë Perëndia punon në ne dhe në jetën tonë, dhe një ditë ashtu sikur ky zymbyl, fryti i punës dhe këmbënguljes sonë në të mirën dhe mësimet e Perëndisë do të çajë tokën duke shpërthyer në gjethe plot jetë dhe gonxhe shumëngjyrëshe plot me aromën e Krishtit.

Cilat janë disa fusha në jetën tënde ku ndihesh e lodhur dhe e rraskapitur dhe sikur nuk po del gjë në dritë?

Çfarë janë gjërat prej të cilave nuk duhet të heqësh dorë, të cilat një ditë do të rezultojnë në frut erëkëndshëm ashtu sikur ky zymbyl?

Zoti ju bekoftë!

*informacioni për simbolikën e zymbylit në folklorin shqiptar e shkëputa nga një mesazh që më dërgoi mikja ime Irida Hoxha.

Faleminderit që u regjistruat në Shigjete! Uroj që të gjeni inkurajim dhe frymëzim teksa bashkëreflektojmë mbi ngjarjet e përditshme përmes lenteve të besimit të krishterë. Shpresoj që përmbajtja do të zgjerojë botëkuptimin tuaj për jetën, Zotin, Jezusin dhe fuqinë hyjnore që na fton ta përjetojmë përditshmërinë me qëllim dhe shpresë. Zemra ime është që, ndërsa ndiqni përmbajtjen time, paragjykimet që mund të keni pasur për Jezusin apo besimin e krishterë të veniten, dhe të mund të shihni nga afër si duket jeta kur jetohet me hir, të vërtetë dhe dashuri.

Pin It on Pinterest

Share This