Fuqia e heshtur e përulësisë: Pse veprat duhet të flasin më fort se fjalët?
fotoja eshte gjeneruar nga Dalle-E
Përulësia është një term që e dëgjojmë shumë rrallë, madje shpesh në rrethe të caktuar ajo shoqërohet me një reagim negativ. Në këtë kontekst isha shumë e surprizuar dhe madje e gëzuar kur Elhaida Dani dje gjatë X-Factor Albania, mes të tjerave vuri në pah përulësinë e një konkurenteje si një nga vlerat e saj më të forta.
Në kohët që jetojmë, përulësia dhe modestia duket se kanë humbur kuptimin, gjë që e shohim më shumë në rrjetet sociale. Rrjetet sociale e kanë bërë botën më të vogël duke sjellë së bashku atë që është larg dhe atë që është afër. Gjithashtu ato kanë ç’monopolizuar informacionin dhe dijen, por edhe kanë nxjerrë në pah një përplasje të vlerave dhe botëkuptimeve sepse rrjetet sociale kanë nxjerrë në pah natyrën njerëzore si asnjëherë më parë.
Shpesh i kundërvihemi platformës por jemi ne vetë që kemi zgjedhur të bëjmë jetën tonë në sytë e gjithë botës duke shfaqur bashkë me të mirën edhe të keqen. Disi kemi zgjedhur të jetojmë në një shtëpi me shumë sy ku duam apo nuk duam vëzhgohemi dhe gjykohemi nga të gjithë ata që u kemi dhënë hyrje në profilet tona, ashtu si në një Big Brother. Më duket tejet interesante që me të drejtë ngremë zërin kundër formateve të tipit Big Brother për shkak të modeleve që na serviren aty, por në një farë mënyre duket sikur jemi të verbër ose madje krenarë për të kuptuar që Big Brother-i ynë aka rrjete sociale gjithashtu nxjerr në pah anë tona negative të cilat i shohin ata, soditësit e autorizuar nga ne.
Dhe unë jam e sigurtë që soditësit e rrjeteve sociale bien dakort me mua se ka një dozë të tepruar vetë promovimi dhe vetë lartësimi apo vetë lavdërimi që na trazon.
A çon vetë promovimi drejt suksesit?
Vetë promovimi sot shihet shpesh si një hap drejt suksesit, madje ka rrjete ku kjo kthehet në një fenomen mbytës. Platformat e mediave sociale janë të mbushura me individë dhe organizata që promovojnë sukseset e tyre. Ndërsa vetë-avokimi është padyshim i rëndësishëm në kontekste të duhura, mendoj se duhet të arrihet një ekuilibër delikat dhe i pjekur.
Më pëlqen një fjalë e urtë nga mbreti Solomon, i cili thotë se është më mirë të të lëvdojë goja e një tjetri se sa buzët e tua. Proverbat 27:2 , na këshillon t’i lëmë veprat tona të flasin më fort se fjalët tona. Na drejton disi në gjetjen e vlerës në mirënjohjen që vjen e pa kërkuar, nga ata që vërejnë cilësinë e punës sonë, thellësinë e karakterit tonë ose ndikimin e kontributeve tona. Kur lavdërimi vjen nga të tjerët, ai mbart një peshë dhe autenticitet që vetë promovimi nuk mund ta arrijë kurrë.
Për më tepër, përqafimi i kësaj filozofie nxit një kulturë përulësie. Na inkurajon të përqendrohemi në të bërët një pune të mirë, të jemi modestë dhe të ndihmojmë të tjerët, në vend që të kërkojmë njohje të menjëhershme për arritjet tona. Kur heqim dorë nga nevoja për vetë vlerësim të vazhdueshëm, ne hapim derën për lidhje dhe bashkëpunime të vërteta sepse kush nuk do të donte të punonte me njerëz modestë.
Fuqia e modestisë
Një njeri modest gjithmonë do të jetë një lojtar i mirë ekipi dhe një drejtues empatik. Ai do të njohë kontributin e të tjerëve dhe nuk do kërkojë të marrë lavdi për vete. Kur promovohet ose falenderohet për një punë do të njohë dhe bëjë publike kontributin e secilit. Një njeri modest nuk do të ndezë prozhektorët për veten, por do ta drejtojë prozhektorin tek të gjithë të tjerët që kanë sadopak pjesë në punën për të cilën po lavdërohet. Një njeri modest nuk e ka problem të punojë me njerëz të tjerë sepse nuk ka frikë se po ia marrin lavdinë. Kjo forcon një ekip dhe rrit produktivitetin sepse mirënjohja nxit më shumë se sa detyrimi.
Kur flas për modestinë dhe vetë promovimin nuk do të thotë që ne duhet të shmangim ndarjen e arritjeve tona. Ka kontekste të caktuara kur është më se e përshtatshme dhe e duhur të flasësh për arritjet e tua siç do të ishte një intervistë pune apo aplikim për universitet në shtete të caktuara ku pyetesh të përmendësh arritjet e tua.
Por modestia si një cilësi e karakterit ka të bëjë me zhvendosjen e fokusit nga vetë-lavdërimi në mirënjohje dhe njohje të përpjekjeve kolektive që kontribuojnë në sukseset individuale. Kërkon për të qenë të sigurt në aftësitë tona pa ndjerë nevojën për t’i trumbetuar ato me të madhe e cila na drejton tek pyetje më të qenësishme siç janë ato që kanë të bëjnë me identitetin tonë. Nëse jemi të pasigurtë apo kemi një këndvështrim të dobët për identitetin tonë, atëherë do të kërkojmë mënyra të pashëndetshme për të plotësuar nevojën tonë të thellë për afirmim dhe aprovim.
Për ta mbyllur, le të përpiqemi të jemi individë, puna e të cilëve ka aq ndikim sa të tjerët kanë dëshirë të flasin për të. Le të krijojmë një rrëfim të sinqertë që të tjerët duan ta ndajnë, dhe duke e bërë këtë, të gjejmë një formë njohjeje më kuptimplote dhe më të qëndrueshme.
Mos harroni, merita e vërtetë shpesh flet vetë, dhe kur flet, bota dëgjon.