“Jepuni ju të hanë”-Bujaria dhe fuqia e saj

Gjatë kësaj jave që shkoi u ndesha me tre akte bujarie që më prekën. Në të treja rastet personat që dhanë nuk ishin të pasur, në fakt dikush ashtu si tek historia që do të ndaj më poshtë, kishte ndarë nga një dhuratë që ata vetë kishin marrë dhe kjo më preku edhe më shumë. Një tjetër gjendur vetë në ngushticë gjendur përballë nevojës së dikujt tjetër ofroi me sakrificë. Të tjerët dhanë për njerëz të panjohur që ata të bëheshin pjesë e një projekti në komunitet. Raste të tilla ka plot, por jo gjithmonë i dimë sepse bujarët e vërtetë duan të qëndrojnë të padukshëm. Këto raste më sollën ndër mend kujtime nga vizita në Izrael në vjeshtë të 2018-s dhe më kanë bërë të mendoj rreth bujarisë nën një dritë tjetër.
Vizita në Izrael dhe mrekullia e pesë bukëve dhe peshqve
Ishte mesditë dhe grupi ynë po i ngjitej vendit ku historikisht besohet se kishte ndodhur mrekullia e pesë bukëve dhe dy peshqve. Edhe pse në pamje të parë të dukej një kodër dhe jo mal, me t’u ngjitur atje do të shihje të shtrira para teje fushat deri tej në horizont. Ka një ndjesi të çuditshme kur viziton vende historike, sepse disi të shtyn të imagjinosh si ka qenë për njerëzit që e kanë përjetuar dhe prekur atë mrekulli nga afër. Por në rastin e mrekullisë së shumimit të bukëve dhe peshqve, është gati tragjike që ata që ishin aty as nuk e morën vesh atë që Jezusi bëri për ta. As dishepujt e tij të afërt nuk e kuptuan se nga dolën 12 kosha me teprica buke dhe peshku në fund, pasi ishin ushqyer 5000 burra, përveç grave dhe fëmijëve, vetëm me pesë bukë e dy peshq. E pabesueshme apo jo?

imazhi krijuar me Dalle-E
Për shumë kohë më ka tërhequr vëmendjen kjo mrekulli, por këtë javë që shkoi ajo erdhi në mendjen time e freskët nën një dritë që nuk e kisha parë më parë. Le ta rikujtojmë historinë bashkë me shpresën që do të shohësh gjërat që unë pashë.
“Kur i dëgjoi këto, Jezui u largua që andej me varkë dhe u tërhoq mënjanë në një vend të shkretë. Por turmat, kur e morën vesh, i shkuan pas më këmbë nga qytetet. Si arriti në breg, pa një turmë të madhe. Ndjeu dhembshuri për ta dhe shëroi të sëmurët e tyre. Në mbrëmje erdhën dishepujt e i thanë: «Ky vend është i shkretë e tashmë është bërë vonë. Lëri turmat të shkojnë nëpër fshatra e të blejnë ushqim». Jezui u tha: «Nuk është nevoja të shkojnë, jepuni ju të hanë». Ata i thanë: «Ne kemi vetëm pesë bukë e dy peshq me vete». Jezui tha: «M’i sillni këtu». Pastaj, si i urdhëroi turmat të uleshin në bar, mori pesë bukët e dy peshqit, ngriti sytë drejt qiellit, tha lutjen e bekimit, theu bukën, ua dha dishepujve dhe dishepujt ua dhanë turmave. Të gjithë hëngrën e u ngopën. Me copat e bukës që tepruan u mbushën plot dymbëdhjetë shporta. 21Ata që hëngrën ishin rreth pesë mijë burra, përveç grave e fëmijëve.” Mateu 14:13-20
Dhembshuria e Jezusit dhe pjesa jonë
Ishte e zakonshme që Jezusi të rrethohej nga turma të mëdha të njerëzve që sillnin të sëmurët e tyre. Dhe po aq e zakonshme është që të lexojmë se ai gjithmonë pati dhembshuri për ta dhe shëroi të gjithë. Ajo që gjithmonë më prek tek Jezusi është se ai asnjëherë nuk tha hajde nesër. Kushdo që erdhi tek ai dhe i kërkoi ta shëronte atë ose të afërmin e tij, mori shërimin pa dallim statusi apo kombësie.
Ajo që është interesante në këtë histori është se mrekullia e shumimit të bukëve disi nis me iniciativën e dishepujve të Jezusit. Ashtu si Maria tek dasma në Kanë që vuri re se vera po mbaronte e i kërkoi Jezusit të bënte diçka, edhe dishepujt vijnë tek Jezusi dhe i shprehin një shqetësim, që të themi të drejtën duket edhe si ankesë: “po bëhet vonë, lëshoji njerëzit që të shkojnë të hanë në fshatrat përreth”. Përgjigja e Jezusit është ajo që më ka kapur vëmendjen ndryshe nga herët e tjera: “Jepuni të hanë”.
Është folur shumë për këtë pasazh nga studiuesit, dhe nuk dua të përsëris ato që janë thënë, por si asnjëherë tjetër kam menduar për përgjigjen e Jezusit: “jepuni ju të hanë”. Jezusi pret që ne të jemi pjesë e zgjidhjes, pjesë e dhënies dhe jo ta shohim vetëm si përgjegjësi të tij. Siç e shohim më vonë në histori, mrekullia ndodh pasi dishepujt kanë sjellë atë që një djalë i vogël ofron. Teksti nuk na tregon nëse kishte të tjerë në atë turmë prej 5000 vetëve që kishte diçka për të ngrënë, por dimë që dishepujt gjetën pesë bukë e dy peshq që një djalë i vogël i ofroi.
Çfarë na mëson ky djalë i vogël për bujarinë?
Për mua domethënia është edhe më e madhe kur shikojmë profilin e dhuruesit të bukës, një i vogël që burimet i ka të kufizuara sepse varet nga të tjerë, nga prindërit apo ata që kujdesen për të. Ndoshta kjo ishte buka që mamaja i kishte dhënë me vete, ashtu siç u japim bukën fëmijëve tanë kur shkojnë diku. Ashtu si vejusha dha në tempull gjithçka kishte, edhe ky djalë i vogël dha jo nga tepricat e tij, por nga sakrifica.
Dhe këtë ofertë Jezusi e shumëfishoi duke ushqyer pesëmijë burra, përveç grave e fëmijëve!
Ka një mësim bujarie nga ky djalë i vogël. Bujaria është qëndrim dhe nuk varet nga sa shumë ke. Mund të kesh dhe të mos jesh bujar për arsye të ndryshme. Ndoshta pret dhe ti si dishepujt që Jezusi do të kujdeset për atë nevojtarin që ti ke parë ndaj mjaftohesh me një lutje. Ndoshta mendon se ajo që ke nuk është mjaft për ty e jo më për tjetrin, në fund mbeteni të dy pa gjë. Ndoshta ke përjetuar një periudhë të gjatë vështirësie financiare dhe ke frikë nga e ardhmja dhe po i ruan ato që ke mbledhur për ditë të vështira. Ose thjesht je lodhur shumë e ke sakrifikuar që të bësh ato para që ke dhe mendon se edhe të tjerët duhet të lodhen siç u lodhe ti. Nuk e di çfarë arsyesh të tjera mund të kemi, por një gjë është e sigurtë, mungesa e bujarisë është koprraci dhe koprracia është mëkat. Pse? Sepse në thelb është mungesë besimi që ndërsa u jep të tjerëve Zoti do të sigurojë për nevojat e tua dhe se ndërsa jep Ai do të të japë shumëfish siç edhe të ka premtuar. Bibla është e mbushur me premtime për dhënien.
Aq personalisht e merr dhënien Perëndia sa e konsideron dhënien ndaj të varfrit si hua direkt ndaj Tij.
“Ai që ka mëshirë për të varfrin i jep hua Zotit, i cili do t’ia kthejë ato që i ka dhënë.”
Ftesa dhe Besnikëria e Zotit Ndaj Njeriut Bujar
Për ta mbyllur, është e vërtetë ajo thënia e të parëve që lekët nuk bien nga qielli, edhe pse po të dojë Perëndia mund të bëjë të bien nga qielli, por më e vërtetë është se Zoti ka zgjedhur të na bëjë ne pjesë të sistemit të përkujdesjes për njëri tjetrin duke ndarë me atë që nuk ka nga ajo që kemi marrë po prej Tij. Bujaria është shprehje e jashtme e besimit tonë tek Perëndia dhe besnikëria e tij për të siguruar për ne, kur zgjedhim të ndajmë me të tjerët atë që kemi. Bujaria është disiplinë shpirtërore dhe mjeti më i mirë për të luftuar lakminë. Bujaria mund të mësohet dhe mund të rritemi ndërsa marrim hapa besimi për të dhënë. Dhe ndërsa japim, Perëndia do të ta kthejë ty shumëfish! A e beson këtë?
Pyetje për reflektim:
Çfarë vendi zë dhënia në jetën time?
A mund të them se jam një njeri bujar? Nëse jo, çfarë më pengon të jap: frika për të ardhmen, frika se do përçmohet ajo që jap, nuk më duket e drejtë të jap nga të miat, kam nevojë për vete, kam vuajtur në të shkuarën dhe nuk dua të jem më në atë situatë etj.
Çfarë janë disa nevoja përreth meje që mund të bëhem dora e Perëndisë duke dhënë?
Rrëfe para Perëndisë mungesën e besimit që të ka ngurtësuar për të dhënë dhe kërkoji Shpirtit të Shenjtë të të tregojë ku dhe si mund të ndryshosh, dhe kë mund të ndihmosh.
A të ka prekur Perëndia zemrën përmes këtij artikulli? Kë mund të inkurajosh sot për dhënien të cilit mund të ia dërgosh këtë artikull?
Le t’i besojmë Perëndisë se Ai është besnik të na ujisë ndërsa ujitim të tjerët, ashtu siç edhe ka premtuar:
“Njeriu bujar do të begatohet; kushdo që rifreskon te tjerët do të rifreskohet” Fjalët e Urta 11:25
