Shigjete

Kur jeta bëhet e rëndë: Besimi tek Perëndia përmes ujërave të thella

Cilat janë ujërat më të thella që ke kaluar?

Për disa, është një sëmundje; për të tjerë, papunësia, varfëria, humbja e një të afërmi ose një anëtari të familjes. Ndërsa shkruaj, më vjen në mendje fytyra e ëmbël e Grace Maxwell, një nga studentet që humbi jetën në përplasjen e avionit te pasagjereve me helikopterin ushtarak mbi ujërat e lumit Potomac në Washington, D.C. Shumë të rinj të talentuar humbën jetën atë ditë në ujërat e Potomacut. Për ta, ato ishin ujërat më të thella. Ata mbyllën sytë dhe tani familjet e tyre duhet të ecin mes dhimbjes së atyre ujërave.

Pse nuk më shqitet nga mendja Grace Maxwell? Sepse ajo ishte studente në universitetin e Cedarville në Ohio. Unë e njoh atë shkollë, e njoh atë komunitet studentor, që ndodhet në mes të fushave të misrit, siç themi ndonjëherë me shaka. Një komunitet ku studentët e duan Zotin dhe janë si një familje. Çdo ditë, ata e nisin mëngjesin me shërbesat në kapelë, ku adhurojnë Jezusin me këngët më të bukura që kam dëgjuar, dhe më pas dëgjojnë nga Fjala e Perëndisë. Pastaj shpërndahen në fakultetet e tyre, një universitet i krishterë që shkëlqen akademikisht. Studentë që kanë përfaqësuar shkollën në konkurse dhe kampionate kombëtare, duke rrëmbyer çmime. Studentë inxhinierie që kanë marrë pjesë në projekte të rëndësishme kombëtare.

A e dini që Grace, vajza e qetë me një buzëqeshje rrezatuese, studente e inxhinierisë dhe biomedikës, po drejtonte një projekt për shpikjen e një pajisjeje që do t’i ndihmonte një fëmije me nevoja të veçanta nga Dayton të ushqehej vetë, pa ndihmën e askujt?

Udhëtimi i Grace në këtë tokë u mbyll në ujërat e thella të Potomacut, ndërsa ne na mbeten pyetje për të cilat nuk kemi përgjigje. Pse një vajzë e re, e talentuar, që e donte Zotin, u gjend në atë avion?

Në këtë jetë, kur kalojmë nëpër ujërat e thella, lindin pyetje që nuk na shkojnë mendja t’i bëjmë kur jemi në bregun e ngrohtë të jetës:

Zot, pse? Pse mua? Çfarë kam bërë që po më ndodh kjo? Ku je? Zot, a je? Dhe, nëse je, pse i lejon këto gjëra të ndodhin?

Na duket sikur Zoti nuk është aty, por Ai është. Ai nuk është larguar asnjëherë që nga krijimi i njeriut, qenia që e krijoi me aq dashuri në kopshtin e Edenit. Ai e veshi me lavdi, e bëri të ngjashëm me Veten. I dha tokën për ta zotëruar, e vuri mbi kafshët dhe gjallesat. I dha punë jo për ta munduar, por për t’i dhënë qëllim, sepse ka gëzim në administrim. Ka gëzim në krijimtari. Ka gëzim në qeverisjen e vërtetë. Dhe ka shpërblim.

Por që nga momenti kur Adami dhe Eva nuk i besuan Perëndisë dhe dashurisë së Tij për ta, kur menduan se Ai po u privonte një njohuri më të lartë, atë të së mirës dhe të keqes, mëkati hyri në botë.

Shumë njerëz sot, kur mendojnë për mëkatin, mendojnë për simptomat e tij: vrasje, vjedhje, tradhti. Por mëkati fillestar nuk ishte asnjë prej këtyre. Mëkati fillestar ishte mosbesimi tek Perëndia. Mosbesimi tek Fjala e Tij, që paralajmëroi se po të hanin nga pema e njohjes së së mirës dhe së keqes, do të vdisnin. Kur Eva e pa pemën, ajo iu duk e mirë për t’u parë dhe e lakmueshme për t’u ngrënë. Ajo dëshiroi të bëhej si Zoti dhe e hëngri. Nuk besoi se do të vdiste; përkundrazi, besoi se do të bëhej si Perëndia, jo më thjesht një shëmbëlltyrë, por një Zot më vete.

Dhe ajo që pasoi ishte tragjedia që po e përjetojmë brez pas brezi: vdekja fizike dhe ajo shpirtërore.

Bota nuk ka qenë më njësoj që atëherë.
Toka që prodhonte lloj-lloj frutash filloi të mbushej me ferra.
Puna u bë e rëndë.
Marrëdhëniet u bënë të vështira.
Vrasja e parë ndodhi në familjen e parë, kur Kaini, nga xhelozia, vrau të vëllanë, Abelin.
Dhe ndërsa njerëzimi u shtua, u shtuan dhuna, imoraliteti, luftërat, të gjitha të rrënjosura në të njëjtin mëkat fillestar: lakmia për pushtet, para dhe epsh.

Hidh sytë rreth e rrotull dhe më thuaj: A nuk buron çdo padrejtësi dhe dhimbje në botë nga këto tri gjëra?

A na ka braktisur Perëndia? Jo. Ai ka qenë gjithmonë me njeriun, duke i treguar rrugën për të dalë nga ujërat e thella.
Brez pas brezi, Ai dha ligjin.
I mbajti hapur kanalet e komunikimit përmes lutjes.
Premtoi Jezusin, i Cili erdhi si Shpëtimtari dhe mori mbi Vete plagët dhe mëkatet tona.
Dhe Ai ka premtuar një jetë të re për të gjithë ata që marrin seriozisht Fjalën e Tij dhe i besojnë.

Kush beson në mua nuk vjen më në gjyq, por ka kaluar nga vdekja në jetë.“Jezusi

E ëmbla, e talentuara Grace Maxwell e njihte Jezusin. Ndaj, edhe pse jeta e saj në tokë ishte e shkurtër, ajo ka kaluar nga vdekja në jetë. Ujërat e thella nuk mund të merrnin shpirtin e saj.

Është kjo shpresë e pamohueshme, e cila për disa tingëllon si marrëzi, një përrallë për njerëzit e dobët. Por jo për ata që e kanë shijuar Jezusin dhe kanë përjetuar praninë dhe ndihmën e Tij çdo ditë, përmes përgjigjeve të lutjeve, paqes dhe ngushëllimit që nuk mund të shpjegohen ndryshe, veçse si ndihmë hyjnore.

Nuk e di cilat janë ujërat e tua sot. Edhe unë kam ujërat e mia, ujëra që thërrasin thellë dhe përplasen pa mëshirë në zemrën time, duke më rrëzuar.

Por unë e di ku qëndroj: mbi një shkëmb të fortë, që ka një Emër: Jezus.

Ndaj, Fjala e Tij më sjell shpresë sot:

Kur të kalosh përmes ujërave, ato nuk do të të mbysin.Isaia 43

Po ti, ku po mbahesh?
Kush është shkëmbi yt?
A është i qëndrueshëm sa Jezusi?

Faleminderit që u regjistruat në Shigjete! Uroj që të gjeni inkurajim dhe frymëzim teksa bashkëreflektojmë mbi ngjarjet e përditshme përmes lenteve të besimit të krishterë. Shpresoj që përmbajtja do të zgjerojë botëkuptimin tuaj për jetën, Zotin, Jezusin dhe fuqinë hyjnore që na fton ta përjetojmë përditshmërinë me qëllim dhe shpresë. Zemra ime është që, ndërsa ndiqni përmbajtjen time, paragjykimet që mund të keni pasur për Jezusin apo besimin e krishterë të veniten, dhe të mund të shihni nga afër si duket jeta kur jetohet me hir, të vërtetë dhe dashuri.

Pin It on Pinterest

Share This