Mos hiq dorë kur je i fundit në garë: Frymëzim nga Giro D’Italia
A je ndjerë ndonjëherë i padukshëm? Ose në fund të garës?
Nëse po, çfarë të motivon të vazhdosh?
Para 10 ditësh, lagjja jonë e thjeshtë, disi në fund të dynjasë, mes gjelbërimit dhe ajrit të pastër, u bë pjesë e një ngjarjeje sportive botërore, Giro D’Italia. Dija shumë pak për Giro D’Italia, derisa lexova historinë e saj të mrekullueshme. Nuk e dija as që ishin shkruar libra për të.
Por për ne shqiptarët që kemi më shumë qejf futbollin dhe politikën, gara disi humbi mes preokupimit për zgjedhjet dhe zemërimit për rrugët e bllokuara, e këto të fundit, me thënë të drejtën, nuk ishin qejf i madh. E përjetova kur doja të shkoja në postë për të tërhequr një pako dhe u ktheva në shtëpi pa asgjë, pasi i kishim ardhur Tiranës vërdallë nga çdo anë, por pa sukses. Ishte e pamundur të futeshe në zonën ku ishte posta. Të tjerë ndoshta kishin gjëra më të rëndësishme se pakot tona.
Sidoqoftë, është për t’u vënë re se si përditshmëria na zë sytë dhe nuk na lë të shohim të pazakonshmen, ato momente që ndoshta ndodhin vetëm njëherë në jetë. Ne humbasim magjinë e tyre.
Nuk e di çfarë e bëri kaq të veçantë për mua këtë ngjarje, por jam ndjerë si një fëmijë i ngazëllyer që pret të kalojë makina e akullores në plazh. Zbritëm me tim shoq herët, sepse doja të sigurohesha që tavolinat buzë rrugës te kafeneja e pallatit tonë nuk do të ziheshin. Dhe ia dolëm. Gjetëm një vend mu nën hijen e një shtogu të ri. Lagjja pak nga pak filloi të dilte nga shtëpitë, ndërsa policët që kishin ardhur herët dhe ishin në krye të detyrës për të ruajtur perimetrin, na përditësonin me kohën se kur do të kalonin çiklistët.
Disa çiklistë kaluan, por edhe pse të veshur me rrobat karakteristike, kuptuam që nuk ishin ata që prisnim. Ata që ngriheshin me entuziazëm, uleshin sërish të zhgënjyer. Dhe ja, pas një ore, makinat e para të policisë filluan të përshkonin lagjen. Pas tyre motoristët që kontrollonin rrugën, më pas makina me biçikleta sipër, dhe më pas, si vetëtimë nga mali, vërshuan çiklistët e Giro D’Italias, ndërsa ajri buçiti nga zhurma e helikopterit që i shoqëronte nga lart.
Unë ende nuk di si ta përshkruaj gjithë atë emocion e gëzim prej fëmije.
Bashkë me shoqen time të re të lagjes, Bardhën, një grua e moshuar që gjysmën e vitit e kalonte te fëmijët në Itali dhe ishte mësuar me Giro D’Italia, filluam të brohorasim dhe të duartrokasim për t’u dhënë zemër çiklistëve, derisa në një moment kuptuam se veshët e tyre ishin të zënë me kufje që i lidhnin me asistencën. “Po punë e madhe,” menduam, “prapë ia vlen të brohorasim!”
Kaloi pjesa e parë e çiklistëve, dhe aty në fund, kur pothuajse të gjithë kishin kaluar me motorra e makina, mbërriti një çiklist që kishte mbetur vetëm, i shkëputur nga të gjithë. Me siguri i lodhur, por që nuk kishte hequr dorë. Filluam ta brohorasim edhe pse ishte i fundit. Duket paradoksale, apo jo? Cilat ishin shanset që ai të fitonte? Zero. Vetëm nëse të gjithë të parët do të rrëzoheshin. E megjithatë… ai nuk hoqi dorë. Vazhdoi garën e tij deri në fund.
Ai çiklist i vetëm më bëri të mendoj më shumë se i pari, i cili, natyrisht dhe legjitimisht, merr brohoritjet më të mëdha dhe kupën. Por i fundit… i fundit gjithashtu meriton duartrokitjet dhe kupën e qëndrueshmërisë. Ai nuk hoqi dorë. Nuk lejoi që vendi i fundit të përcaktonte vendosmërinë e tij për ta çuar garën deri në fund.
Ne të gjithë vrapojmë me shpresën që do të fitojmë e do të dalim të parët, por jo gjithmonë ia dalim të jemi të parët në çdo fazë apo sipërmarrje të jetës. Ka raste kur mbetemi të fundit, kur mezi po ia dalim ta çojmë diçka deri në fund.
Ai çiklist, për fat të mirë, kishte dy makina pas që e shoqëronin, duke i ndenjur gati në kohë nevoje.
Po ne? A kemi dikë që na shoqëron dhe na mbështet gjatë gjithë udhëtimit tonë edhe kur jemi të fundit? Dikë që sigurohet që jemi mirë?
Nëse jo, kam një lajm të mirë për ty:
Zoti është pranë teje në çdo kohë.
Krahët e Tij janë një mbështetje e fortë në kohë nevoje. Mjafton ta thërrasësh. Ai të jep edhe shokë të mirë që të jenë pranë për të të përkrahur.
Dëgjo këto fjalë që nga përjetësia flasin përmes profetit Jeremia:
“Të kam dashur me një dashuri të përjetshme; prandaj të kam tërhequr me mirësinë time të pashtershme.” (Jeremia 31:3)