Shigjete

Çfarë mund të mësojmë nga orkidetë për dashurinë?

Sa nga ju i kanë qejf orkidetë? Unë i kam shumë qejf.

Prej kohësh doja të blija një. Sa herë shkonim në dyqane lulesh, sytë më mbeteshin tek to, por im shoq më kujtonte që kemi shumë lule dhe nuk kujdesemi dot. Dhe kishte të drejtë. Megjithatë ia dola kur bleva një orkide si dhuratë për 18 vjetorin e vajzës. Sa ishim kthyer nga Moldavia, dhe atje në çdo shtëpi ku shkuam kishte jo një, por disa orkide. Më thanë se ishte traditë që dhuroheshin për ditëlindje. Ndaj vendosa që do t’i merrja një vajzës sonë sa të ktheheshim, duke qenë se ditëlindja e saj ishte atë javë.

Nga aeroporti direkt e në dyqan lulesh. Dyqani ku shkova nuk kishte asnjë orkide të çelur, por ishte një me gonxhe. Kishte një problem, vazoja nuk e kishte etiketën ndaj ngjyra dhe lloji i saj mbetej surprizë. Kishte katër gonxhe të pahapura dhe mua m’u duk më intriguese, të zbulonim ngjyrën e tyre kur gonxhet të çelnin, disi simbolike me jetën e një 18 vjeçareje që sapo kishte hapur portën e të rriturve.

Një portë e re

Por orkidea hapi një portë edhe për mua, drejt botës së saj të cilën nuk e njihja sepse kjo lule magjepëse nuk ishte si lulet e tjera. Ekzotike, joshëse dhe magjike me bukurinë e saj, kishte shumë naze në përkujdes dhe çelte shumë rrallë. Mund të kalonte edhe një ose dy vite a më shumë pa çelur. Kur e mësova këtë u gëzova që kisha marrë një orkide që të paktën kishte gonxhe. Nuk do të më duhej të prisja një vit a më shumë të mësoja ngjyrën e saj.

Teksa lexoja në internet dhe u bëra pjesë e një grupi që ka pasion lulet, mësova më shumë për orkidetë. Lulet e tyre kanë jetëgjatësi për disa muaj, nëse kujdesesh mirë.

Orkidea kërkon dritë por jo aq sa ta vrasë. Kërkon një vend me temperaturë të kontrolluar, jo shumë të nxehtë, jo shumë të ftohtë. Dhe orkideja nuk ka nevojë për ta ujitur çdo ditë, por një herë në javë. Por jo vetëm kaq, orkideja kërkon një metodë ujitjeje jo të zakonshme. Nëse ia hedh ujin sipër, gjethet e saj krijojnë myk. Nëse i hedh më shumë ujë se sa duhet, do të fillojë të prishet. Mënyra më e mirë e ujitjes është një zhytje e shpejtë 10 sekondëshe në ujë dhe pastaj ta lësh të kullojë krejt ujin. A e dini sa video ka në youtube për orkidetë? Nuk do ta kisha besuar para se të blija një!

Rrënjë që flasin

Orkideja me gjithë nazet e saj ka një të mirë. Ajo të flet. Ajo të tregon kur nuk është mirë. Thjesht duhet ta vëzhgosh me kujdes dhe ia mëson nazet.


Rrënjët e orkidesë duhet të jenë gjithmonë në jeshil të thellë. Nëse fillojnë të zbehen apo të kthehen në ngjyrë argjendi, kjo të tregon se lulja po vuan për ujë. Mjafton që herë pas here t’i hedhësh një sy rrënjëve të saj dhe do të mësosh kur ka nevojë për ujë. Ndoshta po pyet si ia sheh rrënjët?

Kjo është gjëja me e veçantë. Orkideja duhet mbajtur në një vazo transparente, në mënyrë që të ia shohësh rrënjët. Ti mund ta futësh pastaj vazon transparente në një vazo tjetër dekoruese, por vazoja bazë ku është mbjellë duhet të jetë transparente.

Unë dhe orkideja ime kemi krijuar raportin tonë tashmë. E ujis çdo të shtunë. Në fillim kur nuk dija ia hidhja ujin sipër dhe e lija ta kullonte të gjithë, e pastaj e futja tek vazoja e qelqit. Më vonë ndërsa kam lexuar më shumë për orkidenë, mësova të kujdesesha më mirë.

Si na flet orkidea për dashurinë

Është interesante se sa mund të mësojmë nga bimët, apo orkidea në këtë rast për dashurinë apo raportet njerëzore.

Dashuria ashtu si orkidea është magjepsëse, por edhe delikate sepse kërkon kujdes e vëmendje për ta mbajtur të gjallë. Ashtu si orkidea kemi nevojë të ia shohim rrënjët, ndaj transparenca është e rëndësishme. Nuk mund të shohësh rrënjët nëse mbulojmë gjithçka dhe shtiremi se jemi të lumtur. Rrënjët bëhen të dukshme përmes një komunikimi të hapur dhe interesimi të vazhdueshëm për njëri tjetrin.

Rrënjët do të na flasin se ka ardhur koha për ujitje, se kanë nevojë të ushqehen, t’u ndërrosh dheun, apo janë rritur shumë e kanë nevojë për një vazo më të madhe, për një vend më të gjerë. Rrënjët do të na tregojnë nëse ka nevojë për ndërrim ambienti. Kurse mungesa e gonxheve apo zbehja e gjetheve do të na tregojë se nuk po ushqehet mirë dhe nuk po rritet siç duhet apo i ka rënë një sëmundje.

Shumë nga ne për fat të keq i përqasen një lidhjeje dashurie apo martesës nga një perspektivë gjuetie. Ti bën çmos sa ta zësh gjahun, pastaj kur e ke çuar në shtëpi bie rehat dhe ndalon së kujdesuri për të.
Mbase kujtohesh ta ujitësh nja tre herë në vit: kur ka ditëlindjen, përvjetorin e njohjes, martesës, dhe në një ditë si kjo për Shën Valentin.

Por dashuria ashtu si orkidea dhe gjithë lulet, ka nevojë për ujitje të vazhdueshme, jo vetëm një herë a dy apo tre herë në vit, a një herë në muaj.

Nëse jemi të vëmendshëm dashuria na flet, na tregon. Ndoshta na flet kur fillon të qëndrojmë larg njëri tjetrit, kur bisedat nuk janë më të shpeshta si dikur, kur secili ulet në cepin e tij apo zhytet në punë, kur tonet e bisedës fillojnë e ngrihen çdo ditë e më shumë, kur nuk ka më durim por acarohemi më shpejt, kur intimiteti fillon e zbehet, kur nuk dimë që ngjyra e tyre e preferuar ka ndryshuar që nga koha që jeni njohur bashkë, që stili i tyre i veshjes ka filluar të ndryshojë ndërsa maturohet e zbulon më shumë veten, kur po të flet e nuk e ke mendjen sepse je më shumë në rrjetet sociale apo mendjen e ke në punë, kur nuk i blen më dhurata si më parë sepse tani nuk ka më nevojë, kur ndalon së thënuri të dua se ia ke thënë tashmë ditën që u martove, kur shikon dhe e sheh si diçka të zakonshme dhe e merr të mirëqenë që është aty ku e le dje etj.

Dashuria mund të ripërtërihet

Lajmi i mirë është që ndryshe nga orkideja apo lule të tjera, dashuria ka vetinë ripërtëritëse. Ajo mund të rivijë në jetë nëse nuk heqim dorë, por këmbëngulim. Sezoni i çeljes dhe frutave të saj mund të vonojë më shumë, por e sigurtë që do të vijë nëse këmbëngulim dhe ia bëjmë shërbimin.

Sot nëse do të mund të shikoje rrënjët e lidhjes tënde, a mund të dalloje nëse ka nevojë për ujë apo diçka tjetër?

Çfarë janë disa zakone të mira që mund të kultivosh në marrëdhënien tuaj që mund të ndihmojnë në forcimin e dashurisë?

A e di se çfarë e rrit bashkëshortin apo bashkëshorten tënde?

Kur ishte hera e fundit që vure re se çfarë po vesh, çfarë ngjyre po pëlqen tani?

A e di çfarë dhurate mund ta gëzojë në këtë kohë?

Çfarë ëndrrash ka? Çfarë po ia prish gjumin?

A e di çfarë mund ta ujitë?

Nëse e di, mos ia kurse ujitjen.

Shkrimi thotë se ai që di të bëjë të mirën dhe nuk e bën, bën mëkat. ( Jakobi 4:17)

Zgjidh të bësh të mirën, jo vetëm sot, por çdo ditë!

Gëzuar Shën Valentinin dhe qofshin rrënjët tuaja gjithmonë të gjelbërta, të shëndetshme, dhe kërcejtë tuaj me fruta të ëmbla të dashurisë suaj!

Faleminderit që u regjistruat në Shigjete! Uroj që të gjeni inkurajim dhe frymëzim teksa bashkëreflektojmë mbi ngjarjet e përditshme përmes lenteve të besimit të krishterë. Shpresoj që përmbajtja do të zgjerojë botëkuptimin tuaj për jetën, Zotin, Jezusin dhe fuqinë hyjnore që na fton ta përjetojmë përditshmërinë me qëllim dhe shpresë. Zemra ime është që, ndërsa ndiqni përmbajtjen time, paragjykimet që mund të keni pasur për Jezusin apo besimin e krishterë të veniten, dhe të mund të shihni nga afër si duket jeta kur jetohet me hir, të vërtetë dhe dashuri.

Pin It on Pinterest

Share This