Shigjete

El Elion- Pse nuk duhet të lutesh Zot ji në kontroll

Ishte errur dhe ja ku isha vetëm duke ecur në një rrugë gjysëm të ndriçuar, të një lagjeje që nuk e njihja mjaft mirë, dhe të them të drejtën kisha frikë. Deri në një copë të rrugës kisha qenë me dy gra të kishës, pastaj ishim ndarë. Kisha lënë pas stacionin më të afërt të autobuzit që të ecja pak më gjatë me to e të vazhdonim bisedën që kishim nisur. Ja ku isha tani, tek stacioni tjetër, rreth 20 minuta në këmbë nga shtëpia. Erdhën dhe ikën 3 autobuza, por asnjëri nuk ishte linja jonë. Isha e vetme në stacion dhe nga të paktët njerëz në rrugë. Dhe sa do të pres, mendova pakëz e shqetësuar tashmë sepse kishin kaluar rreth 15 minuta që prisja.

“Nisu në këmbë. Shtëpia nuk është aq larg” më erdhi një mendim i pazakontë në kokë. Po nëse nisem tani, më shkoi gjithë pritja dëm, sepse me siguri autobuzi do të vijë pasi unë të jem nisur drejt shtëpisë, u mundova të arsyetoj, por mendimi vazhdonte të përforcohej. Nisu në këmbë. Nuk është aq larg, mund të shkosh në këmbë.

Celulari ishte pa bateri dhe disi ndihesha e pambrojtur nëse do të kisha nevojë dhe ndërsa pa e kuptuar kisha marrë rrugën në këmbë drejt shtëpisë, meraku më mbërtheu. Po sikur të të ndodhë diçka, je në një lagje të panjohur. Zoti është sovran dhe do të të mbrojë. A nuk mësuam për sovranitetin e Zotit sot, i dhashë zemër vetes dhe vazhdova edhe më e sigurtë drejt anës tjetër të rrugës që ishte më e ndriçuar.

Ja ku ishte atje tutje një grup me njerëz që festonin jashtë. Dukej hapja e një biznesi të ri. Teksa shihja ata dhe nxitova hapin të arrija sa më shpejt atje, shoh një burrë të ri që po vinte drejt meje, nuk e dallova dot mirë sepse ishte terr, por dukej qartë që e kishte me mua. Për momentin zemra më shkoi në fund të këmbëve. Zoti është sovran i thashë vetes dhe ngjesha fytyrën me atë shikimin jo miqësor që thotë më rri larg. Burri afrohet dhe pak dhe tashmë mund ta shquaja. Në atë moment gati më kapi e qara. Ai burrë ishte im shoq! Si nuk e kisha dalluar? Ndoshta sepse nuk prisja që të dilte aty.

“Sa mirë që të gjeta!- më tha- teksa u struka në krahët e tij e lehtësuar. E kishe të fikur telefonin dhe nuk e dija si do të ktheheshe në shtëpi. U nisa me shpresën që do të të gjeja rrugës”

Në atë moment m’u kujtua ai mendim i beftë dhe i pazakontë që më kishte ardhur tek stacioni i autobuzit “Nisu në këmbë” Nëse do të kisha hipur në autobuz, do të ishim shkëmbyer rrugës pa e marrë vesh dhe do të kisha humbur këtë mundësi të jashtëzakonshme të sovranitetit të Perëndisë. Nuk kisha asnjë grimcë dyshimi tashmë që El Elion, Zoti sovran, më kishte shfaqur këtë atribut të tij në një mënyrë personale dhe të prekshme, për të më treguar se Ai nuk ka vepruar në mënyrë të mrekullueshme vetëm në të shkuarën e vetëm në jetën e heronjve që lexojmë në Shkrimet e Shenjta. Ai është i njëjtë sot e përjetë.

A e gjen veten të lutesh që Zoti të jetë në kontroll të një situate? A mërzitesh po të të them që kjo është lutje e gabuar, madje është fyerje ndaj Perëndisë? Sepse Ai është sovran, Ai është në kontroll të gjithë universit. Nuk kemi nevojë ta lusim apo ta pyesim të jetë sovran. Ai është. Vëri veshin mënyrës se si lutesh, dhe ndoshta do të habitesh sa shumë boshllëqe mund të kesh nga njohja e Perëndisë, të cilat reflektohen përmes lutjeve të tua. Prandaj Shkrimi, sidomos Psalmet, janë një burim i shkëlqyer meditimi dhe drejtimi kur lutemi.

Perëndia është sovran, ndaj falenderoje Atë dhe lutu që të të hapë sytë të kuptosh dhe shikosh sovranitetin e Tij në jetën tënde dhe botën që të rrethon.

Sovraniteti i Perëndisë ka qenë një nga mësimet më themelore të jetës sime si e krishterë, që më ka transformuar plotësisht mënyrën si i përqasem vështirësive dhe sfidave, por edhe si lutem.

Eshtë në momente kur harroj sovranitetin e Perëndisë që unë përpëlitem nga shqetësimi apo zemërimi mbi një situatë të caktuar. Dhe e kundërta ndodh kur qëndroj mbi këtë të vërtëtë të natyrës së Perëndisë.

Prandaj Jezusi mund të flinte i qetë në mes të stuhisë, sepse e dinte që bota nuk kishte rënë nga duart e Atit, por Ai ishte në kontroll.

Herën tjetër që do të lutesh o Zot ji në kontroll të kësaj apo asaj, kujtohu që Ai është në kontroll dhe falenderoje Atë me besim![/et_pb_text][/et_pb_column]
[/et_pb_row]
[/et_pb_section]

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Pin It on Pinterest

Share This