Shigjete

Llafet, zhurma dhe disiplina e humbur e solitude/vetmise

9095109fa442299f2b41432feb686285I mbylla sytë dhe u lëshova tërësisht nën tingujt instrumentalë. Në një farë mënyre e detyrova veten t’i mbaj sytë mbyllur, të mos i hap, të mos e hedh një sy tek emaili, një tek facebook, një tek artikulli që po lexoja, një tek viber që pulsonte për të më thënë që kishte një mesazh për mua. Pak qetësi si dikur, si dikur kur emailin mund ta kontrolloja vetëm dy herë në ditë sepse të lidheshe me telefon kushtonte e unë doja t’i harxhoja lekët vetëm për të dëgjuar të dashurin e zemrës sime (sot im shoq) që jetonte nëntë male kaptuar. Pak qetësi si dikur, kur të vetmit tinguj që mbushnin dhomën ishin tingujt e përzgjedhur në disqe, sipas shijes sime dhe kontrollit tim. Pak qetësi si dikur, kur mësimet e çmuara e vargjet e Biblës i kërkoja vetë e nuk më mbushnin feeds nga të gjitha anët, kur zëri i qetë i Perëndisë më pëshpëriste brenda zemrës atë që kisha nevojë të dëgjoja. Ato vargje, ato mësime nuk më bënin të pyesja: për kë e tha dhe pse e tha, sepse Perëndia kur flet nuk flet me spond. Perëndia nuk i bie pragut që të dëgjojë dera. Nuk na poston statuse me shpresë që po i lexon filani apo filanka e po e kupton që e ka me të!

Pak qetësi nga zhurma, tingujt, llafe,llafe, llafe që mbushin gazetat, facebook, që ndihem sikur më ndjekin gjithandej e pushtojnë përditshmërinë time. Dhe si për ta përforcuar këtë thirrje të shpirtit për pak qetësi, me sytë mbyllur më dalin përpara hone e male të lartë. Jam krejt vetëm, e mahnitur nga madhështia e këtyre maleve që më rrinë përballë. Male që nuk i njoh, nuk i kam shkelur, por që shpirti im i thërret si për të më kujtuar sa shumë nevojë kam të shkëputet nga zhurma e përditshme dhe të qetësohet në prezencën e Krijuesit.

Ditët që po jetojmë janë ditë të ndryshimeve marramendëse e një ritmi të cilin ndihem se nuk jemi mësuar e as nuk jemi krijuar. Na dalin përballë gjithandej jetët e të tjerëve, VIP-a të vetëshpallur a të emëruar, protagonistë tejet aktivë dhe më pak aktivë të rrjeteve sociale. Ndihem sikur si asnjëherë tjetër në jetën time si e rritur nuk më mjaftojnë 24 orë! Ndoshta të gjithë ndihemi shumë të zënë. Të zënë me njeri tjetrin, duke e ndjekur ne facebook, tëitter, instagram, blogje.

Stop! Pusho. Fiki të gjitha. E lehtë për të thënë, po hajde bëje. Kjo dëshirë për të qenë në korent të ngjarjeve, për të shprehur mendimin tonë, për të ndarë papushim copëzat e jetës  sonë tani në mënyrë automatike, është kthyer si një përbindësh që na vjedh kohën dhe fokusin nga gjërat më të rëndësishme.

Stop! Fiki të gjitha. Merr kontrollin në vend të të kontrollojnë. Kape atë librin mijëravjecar me fjalë jete e tërhiqu mënjanë si dikur, në një vend të qetë, për të folur me Krijuesin tënd. Ai do të postojë për ty fjalë jete, pa kunja, pa spond sepse Ai nuk i bie pragut, nuk flet në anonimitet, nuk të sulmon, nuk të injoron, nuk të mat me metër edhe atëherë kur dështon, por Ai ka fjalë jete dhe inkurajimi. Ai flet direkt e tek zemra jote. Të thërret me emër. Të qorton si një at bën me bijtë e tij, nga dashuria dhe jo inati, as hatërmbetjet. Ai të ngre lart. Ai nuk i bie pragut, por troket direkt në zemrën tënde. Tërhiqu mënjanë në qetësi dhe prite atë në heshtje,si dikur. Dhe nga mbushullia e Tij do të dalë ujë i ëmbël që do të jetë një burim freskues që rrjedh edhe prej profilit tënd në çdo rrjet social për të bekuar gjithë miqtë e tu.

Hapa praktikë:

Cakto çdo ditë një kohë kur do të fikësh gjithçka dhe do të tërhiqesh mënjanë për kohën tënde me Zotin. Nëse përdor planet online të leximit të biblës, shëno pasazhet që ke për të lexuar dhe fike telefonin, kompjuterin, lexo nga bibla e printuar. Nëse e ke bërë më parë kur nuk kishe celular e kompjuter, mund ta bësh edhe tani J

Zgjidh çdo ditë dy fragmente kohe të kufizuara për të hyrë në rrjetet sociale. Nëse të duhet të punosh gjatë ditës në kompjuter, mbyll facebook, email, gjithcka tjetër për sa kohë që je duke punuar.

E lehtë për t’u thënë, e vështirë për t’u bërë, së pari për mua, por prandaj quhet disiplinë. Në fund të fundit urtësia është të kontrollojmë ne kohën që na është vënë në dispozicion dhe jot ë na kontrollojnë pajisjet elektronike. 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Pin It on Pinterest

Share This