Në një martesë të fortë, dashuria e ka shtëpinë mbi shkëmb

Në një martesë të fortë, dashuria e ka shtëpinë mbi shkëmb

Nuk e di si do të kishte qenë jeta jonë po të kishim qenë të dy njësoj. Të dy të qetë e të përmbajtur, apo të dy ekspresivë e emocionalë. Mendoj që Zoti e dinte çfarë kemistrie do të kishim ne të dy, të bërë një. Dhe jam mirënjohëse që idea ishte e tij dhe jo e imja.

Në hapat tanë të parë do ta përshkruaja bashkimin tonë si ai i detit me një mal.  Dy të kundërta të skajshme që kur bashkohen bashkë krijojnë një harmoni të përsosur.

Edhe pse më pëlqen që herë pas herë të hedh ndjenjat  e mia në vargje, unë rrallë shkruaj për martesën.  Zakonisht jemi mësuar që për fusha të caktuara të jetës të kërkojmë ekspertin. Por në raportet njerëzore e aq më tepër në një raport kaq intim e dinamik siç është martesa, unë besoj se nuk ka ekspertë, por urtësi. Urtësi të përfituar gjatë viteve, më shumë nëpër pikat e ulëta e dhimbjes dhe dëshmi të fitoreve që Perëndia na ka dhënë në çdo betejë.

Që kur bota u përmbys në kopshtin e Edenit, aty ku burri dhe gruaja u bënë një dhe nuk patën turp nga njëri tjetri, ku dashuria ishte e përsosur, bota nuk është më njësoj.

Martesa nga një Eden i lulëzuar dhe i përsosur u kthye në një djep që mend aq shumë lumturi dhe dramë njëkohësisht.

E megjithatë përgjatë shekujve, njeriu asnjëherë nuk ka hequr dorë së dashuri, sepse dashuria është gdhendur në zemrat tona që në ngjizje. Duket sikur gjithë jetën jemi në kërkim të gjysmës tjetër, e kur bëhëmi të plotë, nis një sfidë e re. Ajo e mbajtjes së plotë të së plotës.

Libra e artikuj, këngë e balada pa fund janë shkruar e do të vazhdojnë të shkruhen për dashurinë e martesën. Psikologët do të shkruajnë e flasin në media për të na e lehtësuar apo ngatërruar më shumë ndonjëherë. E megjithatë përgjatë gjithë shekujve dhe për sa kohë të ketë dritë mbi dhe, sekretin  do ta gjejmë vetëm kur t’i afrohemi Dritës së Amshueme, Burimit të Jetës, Krijuesit dhe Dhënësit të dashurisë, Arkitektit të Martesës e familjes.

 

Ai e njeh zemrën njerëzore si askush tjetër, sepse e krijoi. Dashuria dhe martesa ishin idea e Tij, jo e jona. Ai jep forcën, urtësinë, gëzimin, fuqinë dhe dëshirën për të falur, përmes Shpirtit të Tij të Shenjtë, për të na mundësuar të jetojmë të plotë dhe besnikërisht të qënurit një. Këshillat dhe teknikat janë të vlefshme, por nëse themelet vuajnë, ato nuk janë veç mjete të përkohshme të destinuara të na çojnë në dështim.

Unë as nuk dua ta imagjinoj se si mund të kishte qenë jeta pa Perëndinë, se si do të kishte qenë martesa pa Të. Kur shikoj dinamikën e martesës sonë,luginat dhe pikat e uljes në raportin tone, bekimet nëpër të cilat kemi shkelur për shkak të dashurisë e besnikërisë së Tij, nuk mund ta imagjinoj sa e varfër do të kishte qenë ajo që do të kishim përjetuar.

 

Përgjatë këtyre 16 viteve martesë kam lexuar libra, kam dëgjuar seminare, predikime, kam marrë e kam dhënë këshilla, por nuk kam mësuar ndonjë gjë të re apo më të mirë se sa ajo që Pali na e ka përshkruar aq bukur tek Galatasve 5 kur flet për frytet e Frymës së Shenjtë. “Ecni sipas Frymës dhe nuk do të përmbushni dëshirat e mishit”

Kur ecim sipas Frymës, këto gjëra do të prodhohen në jetën tonë: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëkontrolli. Cila martesë, cila fole, cili raport njerëzor nuk do të lulëzonte nëse do të karakterizohej nga këto?!

Kur ecim sipas Frymës, Efesianëve 5 nuk na bëhet një barrë e rëndë, por shteg gëzimi.

Të ecësh sipas Frymës do të thotë që kur zihesh me bashkëshortin apo bashkëshorten, të kërkosh së pari të shikosh traun në syrin tënd, të lësh mënjanë krenarinë tënde dhe të kërkosh falje dhe rivendosjen e paqes. Të falësh atë kur të ka lënduar. Në zemërimin tënd të mos mëkatosh dhe të mos e lësh diellin të perëndojë mbi zemërimin tënd.

Mua më mahnit fakti që gjithçka që na duhet për perëndishmëri dhe një jetë të plotë, na është dhënë në Shkrimin e Shenjtë.  Urtësia biblike që prek çdo fushë të jetës e raporteve njerëzore, me këshilla praktike dhe jo fraza të fryra filozofike të cilat tingëllojnë bukur por nuk ofrojnë asgjë; është një pasuri e paçmuar.

A duam një martesë të shëndetshme?

Ec sipas Frymës!

Si?

Mos ia moho shpirtit tënd bukën e përditshmë: Lexo Shkrimin

Mos e trishto Frymën e Shenjtë: ec në shenjtëri, praktiko pendesën, rrëfe mëkatin, mos e lër të grumbullohet e të bëhet pengesë në jetën tënde. Mëkati është si kanceri, pushton gjithë sferat e jetës sonë dhe martesa është e para që vuan.

Dorëzoja veten drejtimit të Shpirtit të Shenjtë, përditë. Si? Përmes lutjes

Jeto i lirë nga shqetësimet dhe frika: mungesa e financave, probleme shëndetsore, sfida të tjera. Zoti na ka dhënë një armë të fuqishmë siç është lutja. Filipianëve 4:6-8

Jep, sepse ka më shumë gëzim në dhënie se sa në marrje. Dhe ligji i ekonomisë na thotë se kur investon, të kthehet shumë më tepër se kapitali i investuar. Dashuria është ai investim që do të të kthehet gjithmonë me interes të lartë.

Kur themeli është i fortë dhe i qëndrueshëm, këshillat e tjera në lidhje me mbajtjen gjallë të romancës, janë vetëm detaje. Por nëse raporti përmbyset, do të vijë stuhia, do të fryjnë erërat e forta, dhe shtëpia nuk do të qëndrojë.

Jezusi na fton të ndërtojmë mbi shkëmb!

 

 

 

Rudina Bakalli

×
Share This