Shigjete

Pesë hapa si të mos sëmuresh nga “lartësitë”

Breckenridge nga salla e konferences.

Breckenridge, kjo bukuri vrastare

Breckenridge është një qytezë e vogël mahnitëse në Kolorado. E shtrirë në rrëzë të maleve gjigandë, ajo duket sikur është nxjerrë nga ndonjë kartolinë Hallmark apo film Disney. Të lë pa fjalë ashtu e mbuluar në një dëborë miqësore, të shkrifët, e cila tek e shkel nuk të vret dhe as të hedh përtokë. Ajri i ftohtë më shpon flegrat e hundëve duke më kujtuar dimrin e Prishtinës.

As nuk e dija që isha duke shkelur në një bukuri të sertë, sepse një qytet i tillë në një lartësi rreth 3000m mbi nivelin e detit, nuk nënshtrohet lehtë.

Dita e parë

Një dhimbje koke e tmerrshme më mpiu më shumë se sa udhëtimi 24 orësh për të ardhur nga ana tjetër e botës. Mezi u përqëndrova në takim edhe pse tema ishte shumë interesante. Ndërkohë zjarri bubulak kërcëllen në oxhakun e madh në mes të dhomës, një zjarr që për çudinë time nuk i djeg drutë. Duket sikur edhe drutë janë të sertë këtu.

Laurel na kujton që duhet të pimë shumë ujë, më shumë se sa zakonisht në mënyrë që të mposhtim sëmundjen e lartësisë (altitude sickness), një gjendje që godet zakonisht 40% të njerëzve që vizitojnë vende me një altitudë kaq të madhe. Sëmundja e lartësisë shkaktohet nga mungesa e niveleve të oksigjenit në lartësi të mëdha.

Dita e dytë

Dhimbja bëhet më torturuese, ndërkohë që një nga shoqet e ekipit është edhe më keq, sepse fillon t’i rrjedhë gjak nga hundët. Vazhdoj të shtoj sasinë e ujit, por në mbrëmje pas një shëtitjeje të gjatë e ngazëlluese në qytet, vë re që kam vështirësi kur ngjis shkallët dhe lodhem më shpejt kur eci.
Aliona ndërkohë ka nisur oksigjenin, të cilin e gjen në bombola të vogla si ato të deodorantëve, në çdo dyqan e kafene të qytetit, dhe në hotel. Këtu kjo është më se e zakonshme po ashtu si kafja. Alpinistët e kanë shok sidomos në fillimet e tyre.

Dita e tretë

Vendos të marr oksigjen sepse dhimbja e kokës bëhet e padurueshme dhe frymëmarrja bëhet më e vështirë. Aliona më thotë që oksigjeni e ndihmoi shumë. E pi me një frymë nga gëzimi që çdo thithje oksigjeni duket se më hap mushkëritë dhe ndjej lehtësi në frymëmarrje. Harroj një detaj fare të vogël, oksigjeni merret me masë, përndryshe të vret!

Kjo luftë me lartësinë ma zbehu madhështinë e panoramës që kemi përballë dhomës së takimit, ndërkohë që dëbora shkëlqen mbi majat e maleve dhe bredhave, e makina e borës hedh borë të hollë sikur orizi që i hidhet nuseve në dasma.

Bora ka shtruar mirë dhe ky është një lajm i mirë për skiatorët të cilët pak nga pak fillojnë të lëshohen me gëzim e si pupla nga maja e malit, e unë i shoh me zili tek fillojnë e duken njëri pas tjetrit. Më kujtohet Brezovica në Kosovë para 20 viteve kur unë bëra ski për herë të parë dhe të fundit. Ishte një nga eksperiencat që më ka shijuar dhe mbetur në mendje më shumë se asnjë aktivitet tjetër sportiv. Ende më kujtohen të qeshurat dhe ngazëllimi ynë si skuadër tek përpiqeshim të mësonim të rrëshkisnim me ski dhe binim njëri pas tjetrit përtokë duke qeshur me të madhe. Ishim shumë të rinj atëherë.

Trazim mendimesh

Një mendim interesant më trazon ndërsa reflektoj për këtë eksperiencë unike në Breckenridge. Si ka mundësi që bukuria, madhështia dhe mahnitja të jenë të ngërthyera me një stërmundim kaq të madh si ky që po kaloj me lartësinë këtu! Mua më pëlqen që herë pas here të shikoj për analogji apo lidhje me realitetin shpirtëror. E meqë jemi në një takim drejtuesish globalë, mendoj se si mund të duket sëmundja e lartësisë në udhëheqësi. Cilat janë simptomat dhe cfarë është “uji” apo “oksigjeni” që duhet të marrësh në mënyrë që të ia dalësh dhe të lulëzosh?

Përgjigjia më e thjeshtë do të ishte rri sa më afër Jezusit dhe je në rregull. Por si duket të rrish më afër Jezusit?

Teksa i ndaj këto mendime me tim shoq, ai me urtësinë e tij më ndërpret kursin e mendimeve:

“Nuk është njësoj sepse nuk ka lartësi në udhëheqësi të krishterë. Udhëheqësia e krishterë ka të bëjë me të shërbyerin dhe jo të ngjiturin lart”

E vërtetë! Më kujtohet pasazhi i njohur tek Mateu 20.

“Dhe Jezusi i thirri ata pranë vetes dhe u tha: ”Ju e dini se të parët e kombeve i sundojnë ato dhe të mëdhenjtë përdorin pushtet mbi ato,por midis jush kështu nuk do të ndodhë; madje secili prej jush që do të dojë të bëhet i madh, qoftë shërbëtori juaj;dhe kushdo prej jush që do të dojë të jetë i pari, qoftë skllavi juaj.Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve.”

E megjithatë mos ma ndërpri tërholljen e mendimeve, më lër ta shtjelloj dhe pak, se në fakt ka pak analogji.

Analogji

Ka pak analogji mes udhëheqësisë dhe ngjitjes së një mali kur e shohim atë nga këndvështrimi i sfidave që ka udhëheqësia.

Nëse do ta shohim si një mal të vështirë të cilit i ngjitemi, ndoshta këto do të ishin disa nga kurthet dhe simptomat e sëmundjes së lartësisë në udhëheqësi:

1-Vendosja e vlerës dhe identitetit tek pozicioni dhe jo Krishti. Kjo shfaqet në një përpjekje të pareshtur për të marrë një rol drejtues, si një mënyrë afirmimi dhe aprovimi për atë që je. Të jemi të sinqertë, gjithkush do të ndihej i vlerësuar kur i besohet një rol i tillë.

Megjithatë në Mbretërinë e Perëndisë, ky rol vjen mbi bazën e thirrjes nga Perëndia komplet në hirin e Tij dhe me aftësimin e Tij për rolin e dhënë. Bibla është përplot me shembuj drejtuesish të cilët ishin të pakualifikuar, por që u aftësuan nga Shpirti i Shenjtë për ta kryer misionin e tyre. Sekreti i suksesit të tyre qëndroi tek ecja ngushtë me Perëndinë duke ndjekur besnikërisht drejtimin e Tij, pa u shmangur majtas apo djathtas dhe duke mbajtur një qëndrim të përulur.

Simptoma e dytë e këtij problemi është mos lëshimi i vendit dhe mos përgatitja e dikujt tjetër që do të vazhdojë punën pasi ti të largohesh. Në disa kultura kjo është edhe më e fortë, aq sa tranzicioni i drejtimit ndodh vetëm kur drejtuesi aktual ndërron jetë ose e heqin.

Në Bibël shohim një shembull krejt tjetër, gjithmonë drejtuesit e suksesshëm ishin të preokupuar me përgatitjen e brezit të ri të drejtuesëve. Moisiu kishte Jozueun, Elia kishte Eliseun, Jezusi përgatiti të dymbëdhjetët dhe Palin e shohim tek përgatit Timoteun dhe duke e nxitur atë të përgatisë njerëzit e tjerë besnikë.

2-Shkëputja nga realiteti që çon drejt planeve dhe pritjeve jo realiste ndaj atyre që drejton dhe mungesë efektiviteti. Para tre viteve teksa vizitova pallatin madhështor të Causheskut, ish udhëheqësit komunist të Rumanisë, u godita nga ajo që na tha ciceroni.

Natën e ekzekutimit Caushesku dhe e shoqja ishin thellësisht të tronditur dhe të pavetëdijshëm ndaj revoltës popullore. Nuk mund të kuptonin se pse njerëzit ishin ngritur në revoltë dhe pse donin t’i vrisnin. Caushesku kishte zgjedhur të dëgjonte njerëz që i gudulisnin veshët me gjëra që ai donte të dëgjonte, por që ishin larg të vërtetës. Ndoshta fundi i tyre nuk do të kishte qenë aq i hidhur, nëse do të dëgjonin zërat që paraqisnin realitetin dhe do të ndryshonin mënyrën e drejtimit.

3-Arroganca. Le të jemi të sinqertë, pushteti të deh. Na bën të ndihemi të fortë, në kontroll. Fillon na pëlqen vetja dhe nuk dëgjojmë zërin ndryshe, madje e shuajmë atë. Arroganca na shkëput gjithashtu nga realiteti dhe na shpërfytyron aq sa nuk njihemi më. Arroganca vë kundër nesh direkt Perëndinë sepse “Perëndia kundërshton krenarin por i jep hir të përulurve” Jakobi 4:6

4-Pasiguria. Nëse një drejtues arrogant ndihet më shumë i sigurtë se duhet në aftësitë e arritjet e tij, një drejtus i pasigurtë është po aq i rrezikshëm. Ai do të shikojë si kërcënim çdo njeri që rritet nën drejtimin e tij apo është më i aftë se ai apo që i jepet një detyrë që ai e mendon se i takon vetëm atij. Gjithashtu ai do të jetë i lëkundur, i frikësuar nga kundërshtimi më i vogël dhe do të bëjë gjithçka për të qenë i pëlqyer nga të tjerët. Ai nuk ia prish qejfin askujt dhe përpiqet ta mbajë mirë më të gjithë. Aaroni dhe mbreti Saul janë dy shembuj të mirë të kësaj.

Si të kujdesemi që të mos na zërë “lartësia” dhe të mos na mposhtë ?

Duke qenë njerëzorë, të gjithë kalojmë nga pak nëpër një ose secilin nga këto kurthe. Por nuk duhet të qëndrojmë aty, por të dalim sa më shpejt prej këtyre zonave toksike që drejtojnë në “vdekje”. Si?

1-Një kuptim i mirë për drejtimin që vjen nga studimi i Shkrimit të Shenjtë na ndihmon të qëndrojmë në shinat e duhura. Librat e 1 dhe 2 Samuelit, Eksodi dhe Ungjijtë do te ishin një studim me shumë vlerë. Gjithashtu do të rekomandoja dy libra shumë të mirë që trajtojnë temën e udhëheqësisë nga një balancë e shendetshme biblike: Upside Down nga Stacy Rinehart, dhe The Making of A Leader nga Robert Clinton.

2-Një kuptim i mirë i identitetit dhe vlerës sonë mbi atë që Jezusi ka bërë për ne, na ndihmon të ndihemi të sigurtë në Të dhe ta shohim drejtimin si një detyrë të përkohshme që kërkon administrim besnik, se sa si një mantel aprovimi apo fuqizimi mbi të tjerët. Bëj një studim mbi identitetin tënd në Krishtin duke lexuar letrat e apostujve.

3-Sigurohu që ke një mentor të mirë, të pjekur, që ecën me përulësi në jetën e tij me Krishtin, i cili mund të të ndihmojë të mbash llogaritë e shkurtra me mëkatin dhe të të mbështesë me lutje dhe këshilla të mira.

4-Dëgjo njerëzit të cilët drejton. Mos u tremb nga mendimet që të japin apo si e vlerësojnë punën tënde, por mirëpriti edhe kur është e vështirë apo e padrejtë.

5-Së fundi, por jo më pak e rëndësishmja, shërbeju atyre që drejton dhe duaji ashtu si Krishti të ka dashur dhe shërbyer ty.

Në cilat nga këto zona e gjen veten tënde në këtë kohë dhe cili nga hapat mund të të ndihmojë të dalësh sa më shpejt prej saj?

Faleminderit që u regjistruat në Shigjete! Uroj që të gjeni inkurajim dhe frymëzim teksa bashkëreflektojmë mbi ngjarjet e përditshme përmes lenteve të besimit të krishterë. Shpresoj që përmbajtja do të zgjerojë botëkuptimin tuaj për jetën, Zotin, Jezusin dhe fuqinë hyjnore që na fton ta përjetojmë përditshmërinë me qëllim dhe shpresë. Zemra ime është që, ndërsa ndiqni përmbajtjen time, paragjykimet që mund të keni pasur për Jezusin apo besimin e krishterë të veniten, dhe të mund të shihni nga afër si duket jeta kur jetohet me hir, të vërtetë dhe dashuri.

Pin It on Pinterest

Share This