Të kapësh mundësinë si një sërfist

Cfarë janë mundësitë?

Sipas fjalorit të Merriam-Webster-it mundësitë janë një kombinim i rrethanave, kohës dhe vendit, të cilat mundësojnë plotësimin e një synimi apo diçkaje.

Thuhet se një nga mbretërit saksonë pasi mundi një provincë që kishte rebeluar kundër tij, u kthye në qytetin e tij dhe ndezi një qiri mbi portën e pallatit mbretëror. Pastaj përmes kasnecëve të tij shpalli se të gjithë ata që kishin rebeluar kundër tij, kishin një mundësi për të marrë faljen e mbretit, nëse pendoheshin dhe shpallnin publikisht besnikërinë e tyre ndaj tij. Kishte vetëm një kusht, pendesa dhe ripërkushtimi ndaj mbretit duhet të ndodhte përpara se qiriu të digjej plotësisht.

Kjo ishte një nga ato mundësitë që ishte e limituar në kohë dhe kërkonte veprim të shpejtë. Jeta shpesh është e mbushur me mundësi të tilla, të cilat bëhen të tuat vetëm kur është vepruar brenda harkut kohor në të cilën kjo mundësi është ofruar.

Kjo kërkon fokus. Fokus për të mos u shpërqëndruar apo hallakatur por për të vepruar shpejt. Gjithashtu kërkon përgatitje. Sërfistët përgatiten për të pritur dallgën e përsosur. Ata janë aq të përkushtuar sa të stërviten për të dalluar shenjat e para të një dallge të përsosur, në mënyrë që t’i paraprijnë dhe të mos e humbin mundësinë.

Si shqiptarë jemi të ngërthyer nga supersticionet që na sugjerojnë se po të bëjmë plane do të na shkojë ters. Prandaj më mirë të ia lëmë çastit apo momentit. Kjo është sikur të shkosh në luftë pa armë, apo të shtrosh një banket pa servirur asnjë pjatë, lugë e pirunë, gota etj. Mbreti David me të drejtë do të lutej: “Na mëso të numërojmë ditët tona që t’i kalojmë me urtësi. ”

Cila është dallga e madhe që po pret? A ke mësuar ta dallosh që sa fillon të ngrihet? A je gati ta nështrosh kur ajo afrohet?

Dikush tha: “Ai që dëshiron të shohë lindjen e diellit, nuk ka gjetur kohë më të mirë për ta pritur se sa agimin.”

© Shigjete dhe Shigjete.com, 2014-2016.Përdorimi apo dhe/dublikimi i këtij materiali pa leje të shkruar nga autori dhe/ose zotëruesit është plotësisht e ndaluar. Artikujt dhe linqet mund të përdoren, vetëm nëse kreditet i jepen autorit Rudina Bakalli and Shigjete.com me adresën specifike të përmbajtjes origjinale.

 

 

Rudina Bakalli

×
Share This