Shigjete

Togfjalëshi që na shpëtoi kur “humbëm” në Chicago…

Si të ua përshrkuaj Chicagon? Të shokon me madhështinë e saj. Kulla gjigande ngjitur njëra me tjetrën që duket sikur thonë: “Shiko çfarë ka bërë dora e njeriut!”. Ndërthurja e arkitekturës është mbresëlënëse, një stil divers dhe ikonik që reflektojnë historinë dhe zhvillimin e qytetit.

Një nga elementët më të shquar të arkitekturës së Chicagos është Shkolla e Chicagos, një lëvizje që ndodhi në fund të shekullit XIX dhe që përcaktohet nga përdorimi i ndërtimit me strukturë prej çeliku, dizajn funksional dhe vëmendja ndaj dimensionit vertikal. Ky stil, i cili u zhvillua si përgjigje ndaj zgjerimit të shpejtë të qytetit dhe nevojës për dizajne ndërtesash të efektshme dhe praktike, u bë forma dominante e arkitekturës tregtare në qytet dhe ndikoi ndjeshëm në zhvillimin e qyteteve në të gjithë botën.

Arkitektura e Chicagos

Elemente të tjera të veçanta të arkitekturës së Chicagos përfshijnë shumën e ndërtesave të larta, përfshirë Willis Tower (që më parë njihet si Sears Tower), e cila ishte ndërtesa më e lartë në botë kur u përfundua në vitin 1974. Qyteti gjithashtu është i njohur për disa prej vendeve të famshme të tij, siç janë Chicago Theatre, Art Institute of Chicago dhe Chicago Cultural Center. Arkitektura e Chicagos është një përzierje e stileve, përfshirë Art Deco, Art Nouveau dhe stile moderne. Qyteti është i njohur për ndërtesat e tij inovative dhe avangardë.

Në një qytet si Chicago humbet, po humbet! Duket sikur ngado që shkon është një rrugë e drejtë e shënuar me saktësi nga kulla të larta, rrugë të cilave ua sheh fundin. Kombinimi i formave dhe ngjyrave të ndërtesave janë pothuajse njësoj. Tek i shihja më kujtonin kombinimet në arredimin e shtëpive. A i keni parasysh ato kombinimet e objekteve kryesisht vazo a shishe me forma e ngjyra të ndryshme që vihen dyshe ose treshe në tavolina mesi apo raftet e bibliotekave? Ai koncept duket se e përshkon Chicagon ngado që shkon. Një kullë gjigande me strukturë çeliku e krejt qelq, ngjitur më një ndërtësë tjetër më të ulët me tulla të kuqe të errëta që të kujton Rilindjen, e pasuar nga një ndërtesë tjetër paksa më moderne me ngjyrë më të lehtë.

Turistët e lumtur- në kërkim të parkingut

Ishim nisur në pikë të mëngjesit dhe destinacioni i parë ishte parkingu ku do linim makinën për të vazhduar shëtitjen tonë në këmbë. Arrijmë në parkingun që kishim prenotuar online një natë më parë. Punonjësi tek sporteli na thotë se për fat të keq, atë ditë parkingu ishte i mbyllur dhe se nuk e kishin përditësuar informacionin online, ndaj do të na kompensonin për pagesën e bërë. S’ka problem se gjejmë parking tjetër. Një fjalë goje kjo në Chicago! Futemi online të kërkojmë parking tjetër afër. Ka me dhjetëra e nisemi tek njëri prej tyre, vetëm për të arritur në një postobllok policësh. Bulevardi ishte i bllokuar nga dy makina të mëdha. Nuk shohim as ambulancë e as zjarrfikës e nuk kuptojmë pse është bllokuar, por Google na drejton në një shteg tjetër për të na nxjerrë në një postobllok tjetër. Nuk mbaj mend sa rrotullime e kthesa kemi përshkuar pa sukses sepse çdo parking në atë bllok ishte i paarritshëm për shkak të postoblloqeve. Më vonë mësuam se ishte një paradë festive për Festën e Falenderimit.

Pasi u vërdallisëm nëpër qytet edhe për nja gjysëm ore të mirë, më në fund gjetëm një parking në mes të ca pallateve që dukeshin pak më të vjetër. Unë zbrita nga makina të pyes një familje që po bëhej gati të dilte nga parkingu. I pyes se ku mund të paguaj dhe sa është ora në atë parking. Burri me një mirësjellje që karakterizon amerikanët më tregon një kioskë të vogël elektronike në anën tjetër të parkingut. “Qenka më shtrenjtë se ai që gjetëm online” mendoj me vete.

E falenderoj dhe nisem për nga makina jonë me idenë që të vazhdojmë të kërkojmë dhe pak se mos gjejmë një më të lirë, kur një zë më thërret. Ishte i njëjti njeri që po vinte drejt meje duke më zgjatur një biletë: ” Ne kemi paguar deri në orën 3:30 dhe duke qenë se po dalim, ju mund të përdorni biletën tonë. Vendoseni ne xhamin e makinës që të mos merrni gjobë. Kalofshi bukur në Chicago” E falenderoj me mirënjohje sepse nuk bëhej fjalë për 300 a 500 lekë që paguajmë në parkingjet tona, por për të paktën $50. “Zot, sa i mirë që je, na zë në befasi me mënyrat si na bekon!”

Parkojmë, vendosim biletën në xham, hapim hartën e Google për të shkuar tek destinacioni ynë i parë, dhe nisemi. Pa bërë as një metër, kujtohemi: A e mbajtëm shënim adresën e parkingut se si do ta gjejmë? T’i bëjmë një foto emrit të rrugës e ndërtesave rrotull.

Ruajmë lokacionin duke qenë se është më e lehtë dhe vazhdojmë rrugën. Duke ikur i hedh një sy ndërtesës ngjitur me parkingun: East West University. Duhet ta mbaj mend këtë, them me vete, ndoshta do të na duhet.

Tek Fasulja dhe përgjatë lumit

Shëtitja jonë zgjati sa na ranë këmbët. Aty nga dreka shkuam tek Parku Memorial dhe vizituam Fasulen e fammshe magjike. Fasulja ishte një monument modern i veshur i gjithi në pasqyrë ku mund të shikoje veten dhe gjithë turmën që ishte mbledhur aty me celularë nëpër duar. Bëjmë nja dy foto atje dhe dëgjoj një familje shqiptare që gjithashtu po bënte foto. Gjaku e gjuha më thirri që t’i përshëndesja por pastaj u stepa sepse edhe ata dëgjuan që po flisnim shqip, por nuk na trazuan. Ndaj u ndamë të lumtur secila familje në punë të vetë.

Ne u drejtuam për nga shëtitorja përgjatë bregut të lumit. Ecëm e ecëm sa na hanin këmbët ndërsa turistët që kishin marrë varkat kalonin përmes lumit e na përshëndetnin të lumtur me dorë. I bëra ca foto. Përballë kishim Sheratonin gjigand me dy tre drita të ndezura e rreth tij nja dhjetëra ndërtesa të tjera gjigande. Për një moment m’u duk sikur ishim në mes të akullit. Një qytet i zhurmshëm por i akullt. Kush jetonte në ato ndërtesa gjingande? Kush punonte aty? A thua ishin të gjitha ambientet qindra dhjetëra mijëra dhoma e apartamente të shfrytëzuara? Ky qytet ishte gjigand e madhështor por a i trajtonte mirë banorët e vet?

Kthimi: Ku është ai i bekuar parking?!

Ishte ditë e vrenjtur në Chicago, dhe dukej sikur kishte perënduar dielli edhe pse ishte ende ora 2 e drekës. Asnjë rreze dielli. Qielli gri. Një gri që duket sikur m’u fut nën lëkurë e më solli një rrënqethje të vetmisë që ndihej mbi këtë qytet. Duhet të ktheheshim pak nga pak andej nga erdhëm për tek parkingu. Hapëm mikun tonë Google maps, dhe filluam të ecnim përgjatë lumit. Nuk kishte të sosur as lumi as rruga për tek destinacioni ynë. Fillova të mos ndjeja më këmbët pas 4 orë e ca shëtitje. Duket sikur ngado që shkonim ishim mu tek qoshja e vendit ku parkuam, por në fakt ishim km të tërë larg. GPS na futi në ca rrugë që nuk i mbaja mend se i pamë kur erdhëm dhe në ca lagje që më jepnin siklet të madh.

Një natë më parë ca miq tanë na kishin këshilluar të rrinim sa më larg Chicagos jugore ku ndodhnin krime dhe ishe i pasigurtë. “Shëtitni nga të doni vetëm rrini larg Chicagos jugore.” Nga ta dinim a ishim në jug a veri të Chicagos? Përpara filluan të na dilnin ca tipa që dukeshin nga ata që janë bërë tullë me mariuanë. Pastaj GPS na futi nën një urë ku duhet të kalonim përmes çadrave të të pastrehëve. Vinte erë e rëndë dhe personat që ishin aty më kallën frikën. Dua të nxitoj e të dal sa më shpejt nga kjo zonë po ku ta di a jemi afër atij parkingu të shkretë. Sa kalojmë zonën e endacakëve kur ime bijë me një buzëqeshje më thotë: u fik telefoni, nuk kam bateri.

U fik telefoni! Këtu, në mes të getos! Këtu në mes të.. nuk e di as ku jemi! Im shoq i qetë thotë do ta gjejmë parkingun. Po ku do ta gjejmë sepse tani nuk kemi as lokacionin, telefoni është fikur dhe gjithçka, po aman gjithçka është mbyllur. Kot që i kemi karikuesat e telefonave me vete sepse nuk na hyjnë në punë. Nuk ka as kafene, as lokale, asgjë të hapur sepse kur Amerikanët kanë festë Falenderimi paskan festë me tamam, nuk dalkan të hapin qepenat e dyqanit për qamet!

“O Zot të lutem na ndihmo të gjejmë parkingun.” Unë vazhdoj e mërzitur duke u ankuar se pse nuk e mbajtëm shënim diku adresën. Ja shiko tani si do ta gjejmë ne makinën në gjithë atë qytet gjigand! Nuk e di a më kapi paniku nga të rinjtë e bërë dru në rrugë, por m’u këputën këmbët vetëm nga idea se do të na gjente mëngjesi duke kërkuar makinën e kush e di përfundonim të ngrirë në ndonjë cep të urave të Chicagos jugore!

Me këmbët që nuk i ndjeja më e mezi i hiqja zvarrë fillova të lutesha që Zoti që e dinte ku ishim ne e ku ishte makina, të na çonte këmbët andej. Pas pak kujtohem për East West University! E mbani mend? East West University ishte ngjitur me parkingun. Kërkojmë shpejt në hartën elektronike, por edhe baterisë së telefonit tim po i vinte fundi. Duhet të nxitojmë sa nuk është fikur dhe ky telefon. Riorientohemi e nisemi mbrapsht për të shkuar tek East West. Duhet të kalojmë prapë nën urë!

Kur ndihesh i humbur në jetë.

Cfarë ndjenje e tmerrshme të ndihesh i humbur në një qytet ku je i huaj! Kur nuk të vjen dot në ndihmë telefoni që ke me vete sepse nuk ka bateri dhe nuk të vjen në ndihmë as karikuesi që ke në çantë sepse gjithçka po ama gjithçka është e mbyllur dhe nuk merr dot as taksi sepse nuk ke me çfarë ta thërrasësh. Dhe ja e thirre, ku do i thuash se do shkosh? Tek parkingu adresën e të cilit e ka ngrënë bateria e telefonit tënd. Mbase t’i thuash “Po ja na bëj një xhiro nëpër qytet” dhe pastaj “a mund të karikojmë pak telefonin të lutem?”

Tek ec e trazuar me shpresën se diku do të më shohin sytë East West University, mendoj se sa e trishtë është të humbësh “adresën” në jetë e të endesh me shpresën se këmbët apo fati po të çojnë atje ku doje që të shkoje.

Jeta ashtu si Chicago është gjigande, është plot me rrethana gjigande sikur këto kullat e Chicagos, të ftohta, moskokëcarëse ndaj këmbëve të tua që dhembin e nuk kanë më fuqi. Por sa nga ne enden pa busullë, dhe ka kohë që na janë fikur hartat apo që jemi nisur pa hartë fare, mbështetur në gjykimin tonë se e dimë mirë ku po shkojmë dhe kur na janë shterur fuqitë e “turistit” e po na zë nata, kërkojmë “shtëpinë”, por nuk e gjejmë dot?

A e dimë nga kemi ardhur e ku po shkojmë? A e dimë cilën rrugë duhet të marrim që të mos përfundojmë në “Chicagon jugore”? A na ka thënë dikush diçka që duhet të ia vinim veshin por në sigurinë tonë nuk ia vumë veshin?

Togfjalëshi që të nxjerr në shtegun e duhur

Unë kam kohë që përpiqem t’u sjell në vëmendje një lajm të rëndësishëm, por jo të gjithë ma vënë veshin, e janë duke u endur nëpër rrugët e “Chicagos” së jetës së tyre, në kërkim të fatit, qejfit dhe qëllimit. Nuk e hapin manualin e jetës se nuk kanë nevojë, e dinë vetë se si është jeta dhe çfarë është më mirë të bëjnë. Nuk e pyesin as arkitektin e jetës sepse për ta ai nuk ekziston. Ata janë arkitekti i jetës së tyre.

Ama dikur kur të lodhesh e mos të të mbajnë më këmbët, mbase të kujtohet ndonjë fjalë që dikush të ka thënë dikur për jetën e arkitektin e saj, e nëse po, fillo e ri orientohu drejt saj.

Mua m’u kujtua East West University dhe ky togfjalësh emrash që nuk isha e sigurtë a e mbaja mend tamam dhe a ishte i njëjti universitet ngjitur me parkingun ku lamë makinën, ishte si fari që u tregon rrugën anijeve në mes të detit e sidomos kur është mjegull dhe fushëpamja e kufizuar. Falë këtij togfjalëshi endja jonë mori fund, sepse ne e gjetëm parkingun fiks në kohë pa e kaluar orarin e biletës që do të na kishte kushtuar kush e di sa shumë.

Unë dua të të jap sot katër fjalë që nëse fillon të kërkosh për to, do të të tregojnë rrugën për në shtëpi. Këto fjalë janë: Jezus, Krishtlindje, jetë me bollëk.

A dëshiron që të kthehesh në shtëpi?

Hap hartën e jetës, shkruaj këto fjalë, kërko si të shkosh atje dhe ri orientohu! Nxito të arrish pa rënë nata e shpirtit dhe pa u këputur kordoni prej argjendi.

“Kujto Krijuesin tënd përpara se të këputet kordoni prej argjendi, të thyhet vazoja prej ari, të thyhet shtamba te burimi dhe të bëhet copë-copë çikriku në pus,

dhe pluhuri t’i kthehet tokës siç ishte më parë dhe fryma t’i kthehet Perëndisë që e ka dhënë.” Predikuesit 12:6-7

https://www.bible.com/bible/7/ECC.12.ALBB

Faleminderit që u regjistruat në Shigjete! Uroj që të gjeni inkurajim dhe frymëzim teksa bashkëreflektojmë mbi ngjarjet e përditshme përmes lenteve të besimit të krishterë. Shpresoj që përmbajtja do të zgjerojë botëkuptimin tuaj për jetën, Zotin, Jezusin dhe fuqinë hyjnore që na fton ta përjetojmë përditshmërinë me qëllim dhe shpresë. Zemra ime është që, ndërsa ndiqni përmbajtjen time, paragjykimet që mund të keni pasur për Jezusin apo besimin e krishterë të veniten, dhe të mund të shihni nga afër si duket jeta kur jetohet me hir, të vërtetë dhe dashuri.

Pin It on Pinterest

Share This