10 gjëra të vogla që mund të na bëjnë të lumtur
Si ia del në ditë të vështira kur gjithçka të duket se po shkon keq? Çfarë të ndihmon për të dalë nga dekurajimi apo dëshpërimi? A mund të të sugjeroj një praktikë shumë të thjeshtë? Quhet 10 gjëra. Çdo natë para se të shkosh të flesh, ose kurdo që të kap një gjendje trishtimi apo dëshpërimi, a mund të marrësh një fletë dhe të shënosh 10 gjëra të mira që të kanë ndodhur atë ditë? Më beso që në fillim mund të të duket e vështirë, por ndërsa përpiqesh të analizosh ditën tënde, jam e sigurtë që do të gjesh jo vetëm 10 gjëra për të cilat je mirënjohes, por shumë më tepër.
E pastaj falendero Perëndinë për secilën prej tyre.
Vitin e kaluar unë krijova një ditar të quajtur 10 Things (10 Gjëra) të cilin ua dërgoj dhuratë miqve që po kalojnë një kohë të vështirë dhe kanë humbur gëzimin. Ndërsa në kopjen time përgjatë vitit jam përpjekur të jem besnike të shënoj 10 gjëra çdo ditë. Ajo që më sjell gëzim është të kaloj përmes fletëve dhe të shoh sa shumë gjëra kanë ndodhur në një vit për të qenë mirënjohëse, një pjesë të tyre të harruara.
Po nëse e ke të vështirë të gjesh 10 gjëra? A mund të gjesh pesë, tre, dy apo edhe një të vetme?
A e di që gjërat e mira gjenden edhe pas atyre që na duken si lodhje?
Për shembull, a ke menduar se mali i enëve është një arsye për të falenderuar se ke patur ushqim në tavolinë?
Mali i rrobave për të larë, palosur e hekurosur, tregojnë se ke rroba për të veshur
Rrëmuja në shtëpi tregon se aty jetojnë njerëz të gjallë e nuk je vetëm
Vetëm një ndryshim i vogël i perspektivës dhe na ndihmon të shohim diçka krejt tjetër e të mbushemi me mirënjohje.
Mirënjohja ndikon direkt tek lumturia jonë
A e dini se mirënjohja ndikon në lumturinë tonë? Sipas një artikulli të Harvard Health Publication, në kërkimet e psikologjisë pozitive, mirënjohja lidhet ngushtë me një lumturi më të madhe. Mirënjohja i ndihmon njerëzit të përjetojnë më shumë emocione pozitive, t’u gëzohen momenteve të gëzuara, përmirëson shëndetin e tyre, i ndihmon të merren me problemet, dhe të ndërtojnë marrëdhënie më të mira.
Mirënjohja në Bibël
Atë që Harvard ka zbuluar, Bibla ka shekuj që e thotë dhe e këshillon, por për ironi kur na e thotë Harvard, na duket si më e besueshme, për fat të keq. Sepse sa më shumë do të fitonim, nëse e merrnim seriozisht atë që Krijuesi na ka komunikuar që kur na ka bërë.
Apostulli Pal e ndau këtë sekret të mirënjohjes me besimtarët e shekullit të parë, kur u shkroi që të falenderonin Perëndinë për çdo gjë dhe të gëzoheshin gjithmonë.
“Jini gjithmonë të gëzuar. Lutuni pa pushim. Për çdo gjë falënderoni sepse i tillë është vullneti i Perëndisë në Krishtin Jezus për ju.” 1 Selanikasve 5:16-18 Bibla Shqip
Jezusi tërhoqi vëmendjen për rëndësinë e mirënjohjes, kur ndërsa shëroi 10 lebrozë, vetëm njëri prej tyre u kthye për ta falenderuar dhe shprehur mirënjohjen. Ju mund të lexoni historinë e 10 lebrozëve këtu
Po ti?
Çfarë vendi zë mirënjohja në jetën tënde? Nëse sot do të shkruaje dhjetë gjëra në ditarin tënd për të cilat je mirnjohës, cilat janë ato?
Së fundi, doja të ju përshëndes me një nga këngët e mia të preferuara (Imela- Faleminderit) e cila filloi të luante (rastësisht) ndërsa unë po shkruaja këtë nxitje për inkurajimin.