I shkreti Shukri, po ta dinte që do të dilte në televizor, do t’i kishte veshur firmato! Sepse kështu çudia vërtet do të kishte zgjatur tre ditë. Por tani zor se e harrojnë shqiptarët Shukriun e mjerë. Madje ai do të hyjë në folklorin tonë me shprehjet: T’u nxiftë faqja mor Shukri! Të gjetë si Shukriun! Të humbtë fara si Shukriut!

Ai tashmë ka hyrë në llogjet e shqiptarëve, madje sot në tregun poshtë shtëpisë sonë përvecse domateve të Lusnjës, serës, Kavajës, Zallabastrës kishin dalë për herë të parë edhe domate e kastraveca Shukriu! Sa më shumë thërrisnin shitësit: Hajde domatë Shukriu, aq më shumë gajaseshin blerësit e shitësit, e ata që rrinin e bënin sehir ndërsa gjërbenin kafen në lokalin e lagjes.

I shkreti Shukri, ç‘e gjeti. Pse nuk i kontrolloi të shkretat të mbathura para se të nisej? A mos vallë vajza dinake ia kërkoi si shenjë dashurie dhe pastaj tinëzisht vuri kamerën aty që ta turpëronte Shukriun njëherë e përgjithmonë?

Sido që të jetë, shqiptarët janë shokuar më shumë nga të mbathurat e grisura të Shukriut se sa nga fenomeni i imoralitetit. Dhe shqiptarët më duket që janë më të shqetësuar ta gurosin pse i kishte të grisura, se sa për abuzimin me pushtetin e dhënë dhe kërkimin e favoreve seksuale në shkëmbim të një vendi pune. Ndoshta ngaqë jemi mësuar tashmë me imoralitetin. Nuk na bën më përshtypje. A nuk jemi ne që gajasemi me humorin banal të emisioneve tip Portokalli, 2XL, Al Pazar, apo me shfaqjet banale të Your face sounds familiar? A nuk u kemi dhënë ne hyrje të lirë nëpër shtëpiat tona, aq sa tashmë fëmijët 5 vjeçarë i dëgjon të shajnë me fjalë që mua më bëjnë të skuqem e drithërohem nga sikleti kur i dëgjoj?  A na çudit më fakti që fëmija 8 vjeç këndon nëpër lagje : dua të bëj seks me ty! Dhe mua më dridhet mishi e më vjen të ia mbush gojën me spec djegës që ta mbajë mend mirë!

Ne kemi kohë që i kemi përzënë vlerat nga familja, tryeza, shtëpiat tona nën pretendimin se janë démodé dhe ata që ngrejnë zërin i kemi quajtur të humbur, anadollë, mendje mbyllur. Vetë ua kemi hapur derën antivlerave dhe jemi mburrur me to se gjoja jemi shumë modern. Atëherë pse çuditemi me Shukriun? Përse duam ta gurosim? Përse bërtasim në emër të një morali që e kemi quajtur démodé? Sepse morali është paketë, ose e respekton në çdo pikë të tij, ose e hedh të gjithin poshtë si të pavlerë. S’mund të gajasesh me nuditetin e banalitetin në ekran dhe të nesërmen t’i biesh më gurë Shukriut.

Ah Shukri, t’i kishe veshur firmato, sot do të ishe harruar!

Nëse duam ta kujtojmë Shukriun e shkretë le ta kujtojmë vetëm për një gjë: shtegu i mëkatit ka vetëm një fund: shkatërrimin. Të gjithë jemi të dobët, asnjë nga ne nuk është imun, qënia njerëzore mund të humbasë arsyen e të  dorëzohet në pasionet më të çuditshme, megjithatë hiri i Perëndisë është i madh dhe Ai ofron rimëkëmbje për çdonjeri që pendohet përpara Tij dhe i thërret për shpëtim.

Share This