Na ishte njëherë, por nuk është më. “Cfarë po i ndodh kësaj bote?!- shkruante një mikja ime në facebook, e zgjuar nën lajmet e tragjedisë në Orlando- Nuk po e njohim më. Nuk dimë cfarë po ndodh. Bota nuk është më ajo që kemi njohur”

Por bota nuk është më siç ka qenë jo qysh dje në mëngjes, as pardje, as madje në 11 Shtator. E liga ka shekuj që shfaqet në forma të ndryshme, herë në tragjedi të vogla për syrin tonë si të jashtëm por shkatërruese për ata, personazhet kryesorë të saj. E liga ka qenë njësoj e frikshme dhe e padrejtë qoftë kur është marrë vetëm një jetë si e Kristina Grimmier, apo janë marrë shumë së bashku sic ndodhi në Pulse të Orlandos.

Bota ka mijëra vjet që nuk është më ajo që u krijua të ishte. E humbi parajsën kur e shkëmbeu pavdeksinë dhe pafajësinë atëherë kur besoi se gjithë c’kishte nuk i mjaftonte, por lumturia varej vetëm prej frytit të ndaluar. Që prej asaj dite, bota ka ndryshuar. Ka ndryshuar që kur tragjedia e parë ndodhi. Që kur Kaini i verbuar nga zilia dhe xhelozia mori jetën e Abelit, vëllait të tij. Që atëherë as familja nuk ka qenë më njësoj. Në një botë të thyer, ku mëkati ftoi vdekjen dhe i dha terren cdo lloj ligësie, një botë e paqtë vetvetiu nuk është vecse një iluzion për të na vënë në gjumë dhe zgjuar papritmas nga ngjarje si Pulse Orlando. Ku shkoi bota që njoh?

Më mirë do të ishte të pyesnim pse nuk e paskam njohur botën? Pse paskemi qenë kaq naivë për të pritur parajsën njerëzore?  Sa kohë do të vazhdojmë të jetojmë në mohim për të parë botën ashtu sic është dhe njeriun ashtu sic është ne thelb: mëkatar dhe egoist, i paaftë për të ushtruar drejtësinë, për të kërkuar të mirën e tjetrit para të vetes, për të mos abuzuar me pushtetin, besimin e dhënë, pasurinë e besuar, marrëdhëniet shoqërore.  Pse zgjohemi përkohësisht nga zhgënjimi pas zgjedhor, pas martesor, pas-sukses, pas- famë, pas-etj?

Le ta pranojmë botën dhe njeriun për atë që janë. Vetëm atëherë do të mund të vendosim shpresën dhe besimin aty ku duhet. Tek Krijuesi dhe jo krijesa. Ne jemi të dobët, Ai është i fortë. Ne nuk mundemi, Atë nuk e ndal asgjë. Ne biem, Ai jo. Ne na zë gjumi, Ai nuk fle kurrë. Ne dorëzohemi, Ai ia del në cdo gjë. Ne jemi egoist, dashuria dhe mirësia e Tij janë të pafundme. Ne nuk dimë të duam pa kushte, Ai po. Ne duam vetëm ata që na duan, Ai do armiqtë, ata që e përbuzin, e shajnë. Ne kënaqemi me humbjen dhe dështimin e armikut, Ai jo. Ai kërkon që të gjithë të mund të vijnë në jetë dhe të pendohen. Ne jemi të paduruar, Ai duron dhe zemërimi i Tij është i ngadaltë sepse do që t’i japë një shans kujtdo sa kanë frymë, që të kthehen e jetojnë me drejtësi. Ne vështirë se vdesim për një kauzë a njeri të drejtë. Jezusi dha jetën për ne kur ishim të dobët dhe armiq të tij.

Atëherë pse e refuzojmë? Sepse nuk e dimë se tek Ai është burimi i cdo gjëje të mirë. Kemi frikë paradoksale ndaj tij. Kemi frikë se Ai që na ka dhënë frymën, do të na marrë gëzimin! Se Ai që ka krijuar një univers kaq të mahnitshëm sa mbetemi pa fjalë për ta përshkruar, nuk është në gjendje ta bëjë jetën tonë të bukur!! Kemi frikë se Ai që shtriu detet e oqeanet, që bëri malet e luginat, faunën e florën në një harmoni kaq të përsosur, nuk di të na bëjë të lumtur!

Ama ftesa e tij vazhdon dhe thërret edhe sot:

“Ejani tek unë ju të gjithë të lodhur dhe të munduar dhe unë do të ju jap çlodhje!”

 

Share This