Broken Halleluja

Broken Halleluja

Është e pamundur të dëgjosh “Halleluja” të Leonard Kohen dhe të mos përfshihesh e rrëmbehesh nga magjia e toneve të saj. Nuk ka rëndësi nëse e dëgjon nga një këngëtar i mirë apo i keq, prapë se prapë do të biesh në dashuri me këtë këngë edhe sikur ta këndonte një amator.

Nuk di ndonjë këngë tjetër ku një fjale e parë më shumë si zhargon fetar, sic është “Halleluja”, të rrëmbejë teistë e ateistë bashkë. Në një kontekst tjetër do të kishte shkaktuar ndoshta irritim ndërsa do të shoqerohej me grupe fetaresh, por Leonard Kohen duket se ka ditur ta përçojë me mjeshtëri nga thellësia e zemrës së tij në thellësinë e zemrës së dëgjuesit.

Ka shumë interpretime në lidhje me tekstin e kesaj kënge, por për mua është e pamundur të mos e shoh këtë këngë si një baladë të trishtë dhe një kujtesë të dhimbshme të rënies njerëzore.

Mjafton të dëgjosh fjalët e saj, dhe nëse ke sado pak sfond biblik, kupton që nuk ke të besh thjesht me një baladë personale të një dashurie të humbur, pasi aty do të dëgjosh për Davidin dhe Samsonin, dy figura shumë të njohura biblike për nga shkëlqimi dhe rënia e tyre.

Davidi, një nga mbretërit më të suksesshëm të historisë së Izraelit, përmendet në Bibël si një njeri sipas zemrës së Zotit. Ky mbret qe u ngrit nga bari në fronin e Izraelit, shkroi shumicën e psalmeve. Ai njihej për zemrën e tij të ndjeshme dhe besnike, trimërinë e guximin nga një besim i thellë dhe i sinqertë në Perëndinë. Rruga e tij drejt fronit ishte me shumë sfida dhe suksesi i tij i qëndrueshëm deri sa “drita e hënës dhe magjia e saj e hodhi përtokë”

Historia e Davidit me Bathshebën, është një nga historitë më të dhimbshme të rrëzimit të një njeriu dhe mbreti si ai. Dështimi i tij nuk erdhi nga betejat e jashtme, por nga betejat e brendshme të shpirtit të tij. Ky mbret nuk u rrëzua nga një shtize lufte, por nga një shtizë pasioni dhe epshi.

Kohen në mënyrë simbolike përmend një tjetër figurë të njohur biblike, Samsonin. Samsoni, nje luftëtar trim, do të fitonte shumë beteja, por do të rrëzohej gjithashtu nga një grua.
“Ajo e lidhi për karrige dhe i preu flokët, dhe nga buzët e tij e shkuli Halelujan”

Te dy keta burra paten “Helenën” e tyre që i dha jetës së tyre një rrjedhë tjetër. Kohen përdor një metaforë shumë të fuqishme, atë të halelujës së shkulur dhe marrë prej tyre. Sepse ajo nuk është më një haleluja e fuqishme fitoreje, apo adhurimi, por është një haleluja thyerjeje dhe rënieje.

Perendia ka vënë brenda secilit prej nesh një haleluja, një thirrje të thellë zemre që vjen nga adhurimi dhe mirënjohja për të ndërsa e përjetojme fuqinë dhe favorin e Tij në jetët tona. Por kjo Haleluja është e lidhur me zemrën e përulur, që ecën në bindje ndaj Perëndisë. është ajo “korda sekrete” që Davidi luante dhe i pëlqente Perëndisë. Kjo kordë, kjo haleluja, nuk është e garantuar, por mund të na shkulet dhe thyhet nëse ecim të shkujdesur dhe në një moment dobësie e shkëmbejmë me kenaqesine e çastit të pasioneve dhe epshit.

Askush nga ne nuk e di se kur në shtegun e tij do të shfaqet “gruaja që lahet nën dritën e hënës” por një gjë është e sigurtë, që nëse ai moment vjen dhe nuk do të dimë të mos i jepemi atij, Haleluja që Zoti i këngëve na ka dhënë, do të shkulet dhe do të na merret.

Edhe pse Kohen nuk pati në mend të vinte në akorde një predikim përmes paralelizmit me Davidin dhe Samsonin, vetë këto dy figura e historitë e tyre, mund t’i flasin zemrës njerëzore për shtegun që të çon në thyerje.

“Prandaj edhe ne duke qenë të rrethuar nga një re kaq e madhe dëshmitarësh, dhe duke hedhur tej çdo barrë dhe mëkatin që na qarkon vazhdimisht duke na joshur, le të rendim me durim në udhën që është përpara nesh” Hebrenjve 12:1

https://www.facebook.com/BeethovenOnlyBeethoven/videos/1024899340971278/?pnref=story

 

 

Rudina Bakalli

×
Share This