Toka e mire dhe arti i perkujdesjes ndaj saj

“Duhet t’i heqësh këto të gjitha Rudina, dheu duhet të marrë frymë” -më tha mikja ime që kishte ardhur për vizitë dhe të cilës po i kërkoja një mendim si studente e inxhinierisë së mjedisit. Disa nga fidanët e lulet kishin filluar të shfaqnin probleme, dhe nuk po kuptonim nga se u vinte, sepse ishim kujdesur t’i ujisnim siç duhet.

“Pse, a nuk u sherben kjo për pleh?” e pyeta tek shihja gjithë gjethet e vyshkura që une ua hidhja sipër.

“Jo, tha ajo duke buzëqeshur- kjo i pengon që të marrin frymë. Edhe këto hiqi”

Ato ishin disa degëza të vogla të reja, që kishin dalë aty këtu. ” Duhet t’i heq edhe keto?! – u habita unë. A nuk ishin ato shenjë e shëndetit të atyre fidanëve?!

“Këto janë degë njëvjeçare që nuk rriten shumë dhe nuk i duhen, por i marrin ushqimin. Duhet të

sigurohesh që po rriten këto” dhe filloi të  më tregonte degët kryesore.

Mikja ime me gërshërët e krasitjes në dorë, filloi të më tregonte se ku e si duhet ta krasitja një fidan.

Papritur më ishte hapur një botë e re me plot sekrete të cilat jo vetëm që nuk ia kisha idenë, por i kisha

bërë gabim. Për shembull, mësova se ai kërmill që  nuk doja të ngordhte, ndaj e kisha vënë gjithë kujdes në vazon e fidanit të mollës , ishte shkaku që molla kishte filluar të “sëmurej”. Mësova se ato lule që kishin mbirë vetvetiu në një vazo me një fidan a bimë tjetër, duhet të shkuleshin gjithashtu, sepse i merrnin ushqimin.

Të nesërmen shkula fidanin e vogël të fikut të egër, që nuk e di nga kishte mbirë në vazon e zambakut. E mbolla në një vazo tjetër vetëm për ta parë një ditë më vonë plotësisht të vyshkur. Aryseja-nuk i kisha shkulur sic duhej. Mikja ime më shpjegoi se si duhet t’i ndaja dy bimë që rriteshin në nje vazo, në  mënyrë që të mos dëmtoja rrënjët e tyre.

Për një moment u ndjeva sikur isha në pemishten e jetës sime. Cfarë po rritet në jetën time? A ka barishte, lule të llojeve të tjera që kanë zaptuar territorin tim duke marrë ushqimin që duhet të shkojë në trungun kryesor? Cilat janë ato degë të përkohshme ose thënë ndryshe fokuse dhe aktivitete, të cilat duhen krasitur në mënyrë që të rriten dhe japin fryt degët kryesore?

Sa fertil është dheu? Bimët dhe pemët kanë nevojë për plehërim të vazhdueshëm. Po unë, si po e ushqej jetën time? Si po kujdesem që të jem e shëndetshme?

Tek Ungjijtë, Jezusi na jep shëmbëlltyrën e katër tokave. Toka e mirë është ajo që jep shumë fryt. Kur mendojmë për tokën e mirë, tendenca jonë mund të jetë që ta konceptojë këtë tokë, si tokën me fat, që në një farë mënyre ka qëlluar e mirë, në dallim me tokat e tjera. Këto mësime të thjeshta të përkujdesjes për lulet dhe fidanët në taracën tonë, më kanë dhënë një kuptim të ri të kësaj toke që jep fryt.

Toka e mirë është toka që është pastruar nga gurët, ferrat, barishtet, madje edhe bimët a pemët e llojeve të tjera, në mënyrë që të fokusohet tek ajo fara kryesore dhe prodhimi i saj. Toka e mirë është ujitur, punuar dhe plehëruar në mënyrë periodike, duke krijuar kështu kushtet e nevojshme të mirëushqyerjes së farës që është mbjellë aty.

Audienca të cilës iu drejtua Jezusi, vinte nga një kulturë agrare dhe blegtorale. Si bujq ata dinin sekretet e mbjelljes dhe te korrjes, e dinin se toka e mirë nuk ishte toka që lum kujt i binte për short, por ajo tokë kërkonte punë dhe përkushtim për të premtuar fryt në sezonin e vjeljes.

Nëse duam që jeta jonë të jetë si toka e mirë, atëherë duhet të marrim seriozisht të qënurit aktiv dhe jo pasiv. Të kujdesemi për farën e mirë të ungjillit që është mbjellë në ne, duke mos lejuar të bëhet e pafryt. Por të ushqehemi me Fjalën, të kultivojmë zakone të perëndishme, të pastrojmë jetën tonë nga mëkati dhe cdo gjë tjetër sado e mirë në dukje që na c’fokuson dhe e kanalizon “ushqimin”- forcën dhe energjinë tonë, në gjëra më pak të rëndësishme dhe jashtë prioriteteve kryesore.

Sot, nëse do të bëje një inspektim të jetës tënde, çfarë mund të thoshe për të? Cfarë ka mbirë në jetën tënde? Cfarë po rritet? Sa e fortë dhe e shëndetshme është ajo që po rritet? A mund të thuash se do të japë fryt?

Nëse jo, cfarë duhet të ndryshosh sot?

Ja cili është vizioni i Perëndisë për ne:

“Ata që janë mbjellë në shtëpinë e Zotit do të lulëzojnë në kopshtet e Perëndisë tonë. Do të japin fryte edhe në pleqëri, do të jenë të lulëzuar dhe të blertë” Psalmi 92:13

Rudina Bakalli

×
Share This