Një i huaj në shtëpi

Një i huaj në shtëpi

Një trokitje në derë. E hap dhe përpiqesh të kujtohesh. A e njeh këtë njeri? Hedh sytë brenda tek ata që tashmë i ke futur brenda. Janë një turmë. Po ti tek dera a njeh ndonjë nga këta? Ah po, njihke një prej tyre. Atëherë hyr. Atë që njeh nuk e njoh aq mirë, por më duket i parrezikshëm, ndaj hyr edhe ti. Hajde, hajde brenda.
Rehatohu, ndihu si në shtëpi. Ka një vend dhe për ty. Nuk e di tamam pse jeni këtu e çdo gjithë kjo turmë e madhe. Ata më shohin mua, unë shoh ata. Shumë prej tyre i njoh shumë pak, ose aspak nëse do të analizojmë çdo të thotë të njohësh. Disa i kam në punë, disa në lagje, disa i takova në pushime, disa i kisha në shkollë, disa nuk i njoh hiç por meqë trokitën i futa brenda. Ashtu si tek këndi i lojërave, kur një fëmijë të afrohet e të pyet: A do bëhemi shoqe?

Të lutem mos mendo që jam kaq e shkujdesur, kaq mendjelehtë, sepse në fillim kam ftuar ata atje. Ata në fakt nuk kanë nevojë për ftesë. Ata janë gjaku im. Ata që më kanë parë të rritem, që ndajnë me mua një dashuri të fortë siç është lidhja e gjakut e me të cilat kam një jetë kujtimesh. Janë dhe ata, shokët e miqtë e mi të vërtetë, që i njoh e më njohin, që më kanë mbajtur në krahë e më kanë dhënë krahë, që e kanë të vështirë të besojnë të keqen për mua sepse më duan. I dua. Janë thesari i çmuar i jetës sime, dhuratë nga Perëndia.

Por këta janë një grusht njerëzish. Hedh sytë nga turma. Pse i kam lënë të hyjnë, ç’po bëjnë këtu? A nuk na ka mbrojtur Perëndia kur na ka dhënë një grusht dhe jo një turmë ? Ja një i huaj në shtëpi. Në duar ka albumin e fotografive të mia. Po u vë një emër të gjithave. Po i zhbirilon. Po i teston. Mos! Ki kujdes, mbaji me kujdes, janë të çmuara për mua. Pse e futa brenda? Dukej si lojë apo jo? Lojë e pafajshme. Tak Tak. Hajde brenda! Bujrum në jetën time! Bujrum në botën time, në thesarin tim, në mendimet e mia, në kujtimet e mia. Bujrum, paçka se ti as e ke parasysh kodin e besës, sepse për ty është një lojë. Ashtu si tek këndi i lojërave. A bëhemi shoqe, a bëhemi shokë?

Më kujtohet mbreti Ezekia, kur strehoi të huajt. Të huajt që i shëtiti me krenari në çdo cep të shtëpisë e deri tek dhoma e fshehtë e thesarit. I mbajti me të mirë. I trajtoi si miq. Ishin në besën e tij këta të huaj që do të ishin shkak që gjithë populli dhe thesari të shkonin në robëri prej kësaj hapjeje dyersh naive.

Si në tym dëgjoj zërin e prindërve. “Mos e hap derën pa pyetur kush është! Mos ia hap derën të panjohurve”. Pse e harruam atë këshillë të çmuar kur u rritëm? Ndoshta se menduam se tani jemi të fortë ose se bota është më e mirë.

Tak tak- hyr! Hyr ha bukën e përmbys kupën. Punë e madhe se mos është jetë reale! Punë e madhe, a nuk po luajmë shtëpiash? A nuk po luajmë facebook?

Fali o At sepse nuk dinë se c’bëjnë

“Sepse ndërsa midis jush ka smirë, grindje e përcarje a nuk jeni ju të mishit dhe a nuk ecni sipas mënyrës së njerëzve?” 1 Korintasve 3:3b

“Por unë po ju them: Ecni në Frymë dhe nuk do të përmbushni dëshirat e mishit” Galatasve 5:16

 

Rudina Bakalli

×
Share This