Tradhtia Nga të Afërmit dhe Thirrja për Falje

foto credit @ MotionAge Designs
Tradhëtia nga të afërmit daton që nga fillimi i epokave, në familjen e parë, kur Abeli u vra nga i vëllai, Kaini. Sara u vu në rrezik nga Abrahami, i shoqi ndërsa ky i fundit shijoi egoizmin e nipit të tij Lotit, të cilin e kishte rritur si ta kishte birin e vet. Por Loti ia shpërbleu mirësinë xhaxhait të tij me mosmirënjohje, duke zgjedhur pjesën më të mirë të tokës për vete dhe duke lënë për Abrahamin malet e djerrë. Esau u mashtrua po ashtu vëllai më i vogël Jakobi, dhe Jakobi u mashtrua nga daja i tij Labano. Jozefi u urrye dhe u shit në skllavëri nga vëllezërit. U akuzua padrejtësisht nga gruaja e pronarit të tij, të cilit i kishte shërbyer me besnikëri, dhe vuajti në burg për një krim që nuk kishte kryer. Davidi u përndoq nga mbreti Saul që ishte dhe vjehrri i tij, vetëm sepse kishte sukses dhe fama e tij po rritej më shumë se ajo e mbretit. Tamara, bija e mbretit David, u përdhunua nga vëllai i saj me nënë tjetër. Vetë mbreti David u tradhtua nga biri i tij, Absalomi, i cili, i mbushur me inat dhe hidhërim ndaj të atit, komplotoi kundër tij.
Jezusi u tradhtua nga Juda, u braktis nga dishepujt më të afërt kur u arrestua dhe u kryqëzua nga ata për të cilët dha jetën. Që nga rënia e njeriut në kopshtin e Edenit, mëkati dhe vdekja hynë në botë, duke krijuar një histori të gjatë të dhimbshme. Brez pas brezi, njerëzit kanë përjetuar plagosje dhe tradhti, shpesh nga ata që i quajnë të afërm ose të dashur.
Jam e bindur që secili prej nesh, në një moment apo tjetër, është ndjerë i tradhtuar apo lënë në baltë nga të vetët. Nuk ka dhimbje më të madhe sesa ajo që vjen nga ata që i kemi afër, që i konsiderojmë të dashurit tanë, edhe pse nuk i kemi zgjedhur. E ndiejmë në shikimet e tyre, në mënyrën si shmangin kontaktin, në fjalët e thëna pas krahëve, në përpjekjet për të na dëmtuar. Zemra njerëzore, kjo fole me kapacitet të madh për dashuri, inkurajim dhe mbështetje, mund të bëhet një armë shkatërruese kur mbushet me urrejtje, xhelozi, apo zemërim.
Hakmarrja: Një Cikël i Paepur Dhimbjeje
Të ecësh në këtë shteg të dhimbshëm pa iu kthyer së keqes me të keqe është një sfidë që tejkalon kapacitetin njerëzor. Gjaku ynë na nxit të kërkojmë drejtësi, të hakmerremi, të ia kthejmë me të njëjtën monedhë. Mjafton të lexojmë titujt e kronikës së zezë ose të sjellim në mendje dukuri si gjakmarrja për të parë se si ciklet e hakmarrjes vetëm sa shumëfishojnë dhimbjen dhe tragjedinë.
Hakmarrja është një instinkt natyror; falja, nga ana tjetër, është një virtyt hyjnor. Shumë njerëz e konsiderojnë faljen si një dobësi, një shenjë e mungesës së karakterit. Sa herë përgëzojmë dikë sepse zgjodhi të falë? Dhe sa herë i japim lavdi atij që kërkon hakmarrje?
Thirrja Hyjnore për Falje
Por Perëndia na thërret të falim. Ai na sfidon të mos mundemi nga e keqja, por ta mposhtim të keqen me të mirën. Vetë Ai e dëshmoi këtë kur dha Krishtin si shpengim për mëkatet tona. Perëndia na kërkon të jetojmë në paqe, të falim, të lutemi për ata që na lëndojnë, që na gjykojnë, që na përflasin apo na dëmtojnë.
Të falësh nuk do të thotë të bëhesh një shteg ku të tjerët të shkelin. Të falësh do të thotë të çlirosh zemrën nga burgu i hidhërimit dhe dhimbjes dhe t’ia dorëzosh keqbërësin Perëndisë. Ai është i drejtë dhe i paanshëm, dhe Ai di si të merret me ta shumë më mirë sesa ne.
Prandaj, këput zinxhirët e robërisë së mosfaljes. Lëre atë gjyle të rëndë që të mban peng dhe të pengon të ecësh përpara. Besoji Perëndisë dhe bëj atë që Ai kërkon prej teje.
Nëse Jezusi, i cili kishte çdo të drejtë për hakmarrje, u lut: “At, fali sepse nuk dinë ç’bëjnë”, sa më tepër ne kemi nevojë të ushtrojmë faljen. Paqja që na jep falja është shumë më e çmuar sesa skllavëria që sjell hakmarrja. Falja na çliron dhe na ndihmon të ecim përpara; hakmarrja na mban të lidhur pas së shkuarës dhe na shndërron, ngadalë, në njerëz të hidhur dhe të ligj.
Fjala e Perëndisë na Udhëzon
“Por unë po ju them: Duajini armiqtë tuaj, bëjuni të mirë atyre që ju urrejnë, bekoni ata që ju mallkojnë dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë.” – Luka 6:27-28
“Mos u mundni nga e keqja, por mundeni të keqen me të mirë.” – Romakëve 12:21
“Zoti do të luftojë për ju, dhe ju do të rrini të qetë.” – Eksodi 14:14
