I forte ne mes te sfidave

Ecejaket e mia këto ditë shtëpi-urgjencë –shtëpi, pritja e gjatë që një dhomë të hapet në spital, në mënyrë që babai im të mos presë dhe të marrë ilacet në stolat e ftohtë të korridorit të urgjencës për disa ditë me radhë, apo në dhomën e sajuar me perde e një shtrat, më kanë bërë të mendoj për ato maratona që na vijnë në jetë, të cilat kërkojnë qëndresë, këmbëngulje dhe durim. Dje fëmijët e mi më pyetën cfarë është një maratonë. Atyre 40 km nuk u duket shumë, mendojnë se mund ta bëjnë me hap e me vrap pa asnjë problem. Nuk e dinë sa shumë energji, përgatitje e qëndresë duhet për të ia dalë mbanë. Maratonën mund ta nisësh me vrull e sprint, por kjo nuk garanton se do ta cosh deri në fund. Duhet përgatitje, stërvitje e vazhdueshme, ditë për ditë, i thashë tim biri, i cili u përpoq të kuptonte seriozitetin e kësaj fjale të re: maratonë
Maratona ka një avantazh të madh, ajo është një rrugë e drejtë pa pengesa. Ndonjëherë ka ndonjë kthesë, por dhe kthesat janë të gjëra. Rruga zakonisht është e lirë dhe siguria jote është garantuar prej një stafi të gjerë që punon vetëm për ty e të tjerë si ty, që të ia dalësh. Por jeta është një përzierje e maratonës me garat me pengesa.
Nëse do të dinim që do të ia dilnim mbanë në fund, nëse do të dinim që nuk do të konsumoheshim, nëse do të ndiheshim se mund të ia dalim, se do të jemi mirë në fund, jam e sigurtë që nuk do të trembeshim. Por është pafuqia dhe paaftësia jonë njerëzore përballë pengesave më të mëdha se vetja, të cilat na trembin dhe shqetësojnë.
Dje babai im, u transferua nga dhoma e sajuar me perde në një dhomë të gjerë, të pastër, të ngrohtë, me dritë e ajër. Një ndryshim si nata me ditën. Problemi i tij shëndetsor nuk është zgjidhur akoma, ama shumë pengesa janë kapërcyer. Ende duhet t’i nështrohet një sërë analizash, ende nuk e dimë sa ditë do të rrijë, ndaj duhet durim dhe qëndresë. Ajo që më jep shpresë dhe paqe është siguria që kam tek një Zot i mirë që na do, i cili nuk përton të ndryshojë realitetet tona kur i lutemi Atij. Ai është bujar dhe i gjendshëm për të na pajisur me forcën, qëndresën, durimin dhe energjinë për të ia dalë mbanë, për t’i kapërcyer të gjtha pengesat dhe për ta cuar garën deri në fund, për të prekur atë vijën e finishit dhe të themi se fituam, se nuk u dorëzuam gjatë rrugës, por ia dolëm mbanë.
Tek shikoja dje dhomën ku u transferua babai im, mendova për faktin që kur Zoti ndërhyn dhe siguron, Ai na con gjithmonë në një vend më të gjerë. Sigurimi i tij ka një kontrast të thellë mes asaj ku ishim dhe ku jemi. Me të gjithmonë ka upgrade, prandaj nuk dorëzohem por kam shpresë!
“Ne kete bote do te keni mundime, por merrni zemer sepse une e munda boten” Gjoni 16:33
“Me kerko diten e fatkeqsise tende, dhe une do te te cliroj dhe ti do te me perlevdosh” Psalmi 50:15
© Shigjete dhe Shigjete.com, 2014-2016.Përdorimi apo dhe/dublikimi i këtij materiali pa leje të shkruar nga autori dhe/ose zotëruesit është plotësisht e ndaluar. Artikujt dhe linqet mund të përdoren, vetëm nëse kreditet i jepen autorit Rudina Bakalli dhe Shigjete.com me adresën specifike të përmbajtjes origjinale
