Shigjete

Jo kështu midis jush-pjesa I

Flitet e shkruhet kaq shumë në ditët e sotme në lidhje me lidershipin apo udhëheqësinë. Për ironi në Shqipëri përdorim më shumë huazimin nga anglishtja se sa termin në shqip, ndoshta për shkak të konotacionit negativ që e shoqëron. Fjala udhëheqës zgjon një ndjesi të parehatshme tek brezat të cilët përjetuan komunizmin. Ndërsa fjala lidership duket sikur bën atë shkëputjen me të vjetrën duke na krijuar ndjesinë e të resë. Për disa, është edhe një vetëdukje apo vetëparaqitje si më të ditur apo më modern apo thënë shqip më të dalë.

Por nuk është vetëm fjala që përdorim ajo që na dallon, është përqasja që kemi ndaj lidershipit dhe pritjet për ata që janë në lidership.

Disa nga ne janë më të prirur ndaj aftësive, talentit, vendosmërisë për të nisur e përfunduar gjërat, për të na garantuar sukses.
Të tjerë janë më të ndjeshëm ndaj një lloji të caktuar personaliteti, më tepër se suksesi na bën përshtypje dhe presim të trajtohemi me dinjitet e respekt, më tepër se aftësitë kërkojmë dashuri e përkujdes, preferojmë të qënurit të mirëkuptueshëm e tolerantë, edhe në kurriz të dështimit.

Të tjerë kërkojnë integritet, njerëz të veprës jo veç të fjalës. Presim të bëjnë atë për të cilën flasin pa bërë kompromise dhe pa përfituar, por duke drejtuar me ndershmëri dhe barazi.

Ka nga ata që i mëshojnë mantelit të lidershipit si një privilegj i dhënë, ndaj synojnë ta arrijnë apo mbajnë fort në përpjekje për të gjetur e mos lëshuar një lloj afirmimi hyjnor apo edhe njërëzor që është më i lartë se ta.

Ne të gjithë kemi përjetuar ose do të përjetojmë të qënurit nën një ose disa nga lidershipet e mësipërme, e të gjithë mund të themi se në momente të caktuara ato na lënë të thatë, të zhgënjyer, madje të inatosur dhe revoltuar.

Disa nga ne zgjedhin thjesht të shohin punën e tyre me shpresën të mbeten të padukshëm, që të mos kenë probleme. Të tjerë zgjedhin të flasin e përflasin por asnjëhere të mos i përballin. Revolucionarët dhe utopistët zgjedhin të përballen e t’i luftojnë përballë. Oportunistët zgjedhin të largohen. Servilët, ah servilët e kanë mirë në çdo lloj lidershipi. Ata janë qengjat fatlumë që dinë të pinë një, dy e më shumë nëna e të shkojnë një jetë të qetë.

Jezusi na prezantoi me një tjetër lloj lidershipi, atë të liderit shërbëtor. Një term në vetvete ironik dhe kontradiktues, sepse si mund te jesh dhe lider dhe shërbëtor?! Ose je njëri ose tjetri, aq më tepër kush do të donte të ishte shërbëtor? Shërbëtor është stadi më i përcmuar në këndvështrimin tonë. Liderë hipokritë apo manipulues janë fshehur pas këtij termi por veprat e tyre kanë treguar të kundërtën.

Cfarë do të thotë të jesh një lider shërbëtor?

Kur pa luftën për pushtet, dhe hatërmbetjet e inatet mes dishepujve të vet, se kush do të ishte më i madhi, Jezusi iu përgjigj kështu:
“Ju e dini se të parët e kombeve i sundojnë ato dhe të mëdhenjtë përdorin pushtet mbi ato,
por midis jush kështu nuk do të ndodhë”

Cfarë donte të thoshte Jezusi me këtë?

(vazhdon)

Faleminderit që u regjistruat në Shigjete! Uroj që të gjeni inkurajim dhe frymëzim teksa bashkëreflektojmë mbi ngjarjet e përditshme përmes lenteve të besimit të krishterë. Shpresoj që përmbajtja do të zgjerojë botëkuptimin tuaj për jetën, Zotin, Jezusin dhe fuqinë hyjnore që na fton ta përjetojmë përditshmërinë me qëllim dhe shpresë. Zemra ime është që, ndërsa ndiqni përmbajtjen time, paragjykimet që mund të keni pasur për Jezusin apo besimin e krishterë të veniten, dhe të mund të shihni nga afër si duket jeta kur jetohet me hir, të vërtetë dhe dashuri.

Pin It on Pinterest

Share This