Shigjete

Kujt i ngjan ti?

bald_eagle_bird_symbolKujt i ngjan ti? Cilat janë 5 apo 10 cilësitë e tua më të mira? Cfarë pëlqejnë shokët e shoqet tek ti? Në cilin qytet apo shtet duhet të kishe lindur? Cilit personazh libri, filmi i ngjan? Cilës lule, cilës kafshë i ngjan etj

Sa nga ju nuk i kanë rezistuar dot tundimit për të bërë një nga testet që sot ofrohen rëndom në facebook? Unë shpesh qesh duke thënë se ata që i kanë bërë kanë ditur si të të bëjnë qejfin. Këto teste na thonë të thëna e të pathëna për atë kush jemi. Dhe brenda vetes një zë na flet t’i besojmë edhe nëse na thonë se jemi mbretëresha e Anglisë apo Bill Gates.

Këto teste e postime pa fund në wall-in tonë flasin për atë kërkim të vazhdueshëm që kemi për të zbuluar kush jemi.

Përgjatë gjithë historisë njerëzore njerëzit kanë qenë në kërkim të identitetit të tyre dhe kuptimit të jetës.

Më kujtohet fabula e shqiponjës që u rrit si një pulë. Fabula nuk e tregon se si veza e saj përfundoi në furrikun e një pule, por na tregon për këtë shqiponjë që u rrit si një e tillë. Një ditë ndërsa ishte në fushë duke cukitur tokën bashkë me pulat e tjera, një shqiponjë u duk në horizont tek lëshohej e ngrihej nëpër ajër. Pulat dhe shqiponja-pulë, të mahnitura thanë: “Ah sikur të ishim një shqiponjë!”. Dhe vazhduan të cukisnin gurë sic kishin bërë gjithmonë. Kjo shqiponjë nuk e mësoi kurrë identitetin e saj të vërtetë. U rrit dhe ngordhi si një pulë.

Pa identitet dhe pa një kuptim të drejtë për jetën, shtegtimi ynë do të jetë një hallakatje e dështuar dhe realitet i trishtë.

Kush je ti? Kush të krijoi? Pse ekziston? Cfarë dhuntish të janë dhënë? Cila është thirrja dhe misioni yt personal në këtë jetë?
Mendoj që këto janë disa pyetje themelore që ia vlen t’i bëjmë dhe zbulojmë. Në përgjigjen e tyre është çelësi i një jete me kuptim dhe përmbushje.

© Shigjete dhe Shigjete.com, 2014-2016.Përdorimi apo dhe/dublikimi i këtij materiali pa leje të shkruar nga autori dhe/ose zotëruesit është plotësisht e ndaluar. Artikujt dhe linqet mund të përdoren, vetëm nëse kreditet i jepen autorit Rudina Bakalli dhe Shigjet.com me adresën specifike të përmbajtjes origjinale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Pin It on Pinterest

Share This