Shigjete

Lopa që shkon në qytet

istanbul-asus-laptop-cowA e keni dëgjuar historinë e lopës që shkon në qytet? Unë e kam mësuar përmendësh mbrëmë, ndërkohë që im bir përgatitej për një konkurs recitimi. Ai e tha dhe e stërtha, pas çdo gabimi të vogël, rikthehej nga fillimi. Në një moment u dorëzua dhe më kërkoi t’i shkruaja mësueses për t’i thënë se nuk do të merrte pjesë në konkurs.
“Jo, zemër nuk do të heqësh dorë-u përpoqa t’i jap zemër-ti je përpjekur dhe mundi yt do të shkojë dëm nëse heq dorë tani”
Por im bir vazhdoi të më nxirrte arsyet të tjera pse nuk donte të merrte pjesë. E kishte nisur me frikë, ndaj e kishim nxitur që ta mposhte frikën për të marrë pjesë. Pastaj më tregoi arsyet pse nuk do të mund të fitonte sepse ishte ky apo ajo që ishin më të talentuar në recitim.
“Këtë radhë sfida jote është vetëm të marrësh pjesë në konkurs. Nuk ka rëndësi nëse humb. Vetëm do të marrësh pjesë. Si thua? ” u përpoqa t’i jap zemër dhe vazhduam me lopën që ngjitej në trotuar e kërkonte hambar, që gjeti një hotel e iu thye shtrati me një të prekur, dhe që e mërzitur prej qytetit u kthye e lumtur në stallën e vet.

Frika është një nga faktorët që i mban shumë njerëz të kufizuar, dhe nuk i lejon të shohin shpërthimin e potencialit të tyre. Njerëzit heqin dorë pa filluar apo në mes të rrugës duke humbur kush e di sa fitore.

Mbrëmë i kujtova tim biri historinë e një bariu të vogël që mundi një luftëtar gjigand, prej të cilit ishte terrorizuar gjithë ushtria izraelite. Aq i madh dhe i fuqishëm ishte Goliati, sa askush nuk guxonte të dilte në betejë kundër tij. Por jo Davidi. Davidi e mundi Goliathin me një llastik e gur. Të tjerët panë shtatin dhe forcën e Goliathit. Kurse Davidi pa madhështinë dhe forcën e Perëndisë dhe nuk mendoi dy herë për të dalë në betejë.

Im bir gjithashtu po shikonte përmasat e konkursit, shtatin dhe eksperiencën e atyre që kishin një reputacion si recitues shumë të mirë, dhe vetja iu duk i pafuqishëm. Por kur filloi të shikonte lart tek Perëndia, mori zemër dhe sot shijoi një fitore të bukur!!

Ishte kaq i gëzuar kur u kthye në shtëpi. Në duar mbante një çertifikatë, të cilën e vuri në murin e dhomës së tij.

Kush e di sa trofe të presin ndërsa vendos që të ngresh sytë lart dhe duke parë madhështinë dhe besnikërinë e Perëndisë të shkosh në betejë me sigurinë që Ai është me ty kudo që shkon.

Po ti me cilat beteja po ballafaqohesh? Dhe kush apo çfarë të jep forcë dhe siguri që të përballesh me to?

Reflektim: “Unë mund të bëj gjithcka me anë të Krishtit që më jep forcë” Filipianeve 4:13

© Shigjete dhe Shigjete.com, [2015].Përdorimi apo dhe/dublikimi i këtij materiali pa leje të shkruar nga autori dhe/ose zotëruesit është plotësisht e ndaluar. Artikujt dhe linqet mund të përdoren, vetëm nëse kreditet i jepen autorit Rudina Bakalli dhe Shigjete.com me adresën specifike të përmbajtjes origjinale.

Faleminderit që u regjistruat në Shigjete! Uroj që të gjeni inkurajim dhe frymëzim teksa bashkëreflektojmë mbi ngjarjet e përditshme përmes lenteve të besimit të krishterë. Shpresoj që përmbajtja do të zgjerojë botëkuptimin tuaj për jetën, Zotin, Jezusin dhe fuqinë hyjnore që na fton ta përjetojmë përditshmërinë me qëllim dhe shpresë. Zemra ime është që, ndërsa ndiqni përmbajtjen time, paragjykimet që mund të keni pasur për Jezusin apo besimin e krishterë të veniten, dhe të mund të shihni nga afër si duket jeta kur jetohet me hir, të vërtetë dhe dashuri.

Pin It on Pinterest

Share This