Kush u kthye prej se vdekuri?

Mua gjithmonë më ka tërhequr e panjohura. Edhe pse u rrita në një epokë ku ateizmi ishte mbret dhe e vërteta absolute dhe në një familje pa tradita fetare, gjithmonë kam patur kërshëri për atë të cilës prindërit e mi i referoheshin si “ siç kanë thënë pleqtë”.

Nëna ime më kishte treguar për atë kishën ortodokse të fshatit të tyre, të cilën më kishte rënë rasti ta shihja kur shkoja për pushimet e verës tek gjyshja dhe dajat e mi. Nga historitë e mamasë dhe filmat e realizmit socialist, prifti i fshatit më ishte ngulitur në kujtesë si njeriu i zymtë me atë rrobën e gjatë të zezë dhe mjekrrën deri tek kraharori. Ai më ngjallte frikë.

Po kaq frikë më kallte edhe hoxha, paçka se në kokë mbante një çallmë të bardhë dhe nuk rrinte i veshur i zi skropë si prifti. Ndërsa prifti i binte këmbanës dhe u bërtiste fëmijëve që vinin të luanin në varrezat e kishës, hoxha këndonte nuskat dhe u fliste lugatëve e spërkaste varret që ata të mos dilnin!

E pavarësisht priftit e hoxhës, kishte diçka që më mrekullonte dhe grishte kureshtjen time: jeta e përtejme.

Këto janë përralla më kishte thënë babai im kur Shqipëria u hap dhe bashkë me të edhe dyert e kishave apo xhamiave. Feja është opium për popullin, që pushtetet e përdorin për t’i nënshtruar. Feja është për të dobëtit, ata që nuk ia dalin dot vetë jetës, ata që nuk janë të zotë, nuk janë të aftë, nuk kanë me çfarë të merren tjetër. E megjithatë këta të aftët, të zotët, të fortët që kishin në duar fatet e tyre ishin kaq besimtarë sa të pranonin pa dyshim se kishin ardhur nga majmuni, edhe pse asnjëherë nuk e kishin parë me sy një majmun të vetëm të kthehej në njeri, as edhe ndonje majmun në progres apo gjysëm majmun e gjysëm njeri.

Dëshira për gjuhën e huaj bëri që të më binte në dorë një Dhiatë e Re në anglisht, bashkë me një kasetë të Ungjillit të Gjonit, të cilin gati e përpija tek e dëgjoja çdo pasdite, me dëshirën për të vrarë veshin me anglishten por edhe për të kuptuar këto histori të çuditshme që më linin pa fjalë.

Kush ishte ky Jezus? Dhe pse jeta e tij më tërhiqte kaq shumë? Pse ndjeja një paqe aq të embël kur lexoja historinë e jetës së tij në ungjij? Kush ishte ky njeri dhe pse e quanin herë Biri i Perëndisë e herë Qengji i Perëndisë e herë Biri i Njeriut? Kush ishte ai?

Unë kisha shumë pyetje, përgjigjet e të cilave nuk dija ku t’I gjeja. Ama ky Jezus më kishte dhënë përgjigjen e pyetjes më të madhe që kisha: Si ta dimë që ka jetë të përjetshme? Nëse ka, kush u kthye nga të vdekurit që të na tregojë?

Ata të rinjtë miqësorë e të dashur, që erdhën në gjimnazin tonë e na ftuan në bibliotekën e qytetit për një takim të veçantë, më kishin dhënë vetëm një copëz të mozaikut të fshehur. A e di foshnja në barkun e nënës që përtej atij barku ka një botë më të madhe dhe një jetë tjetër? Një përgjigje e thjeshtë, disi bindëse.

Por ishte Jezusi i Nazaretit  që me ringjalljen e tij më dha përgjigjen që kërkoja. Ai jo vetëm kishte kthyer disa njerëz prej së vdekuri duke i ringjallur, por ai vetë erdhi prej një bote tjetër dhe në fund u kthye prej së vdekuri për të na dëshmuar jo vetëm se ka jetë përtej vdekjes, por se Ai është Dhënësi i kësaj jete! Ai na deshi aq shumë saqë e dha jetën e tij për ne, që ne të marrim jetën e tij. Ai zhveshi privilegjet e tij, që ne të visheshim si bijë të Perëndisë dhe trashëgimtarë të Mbretërisë së Tij.

Ky është lajmi i mirë që festojmë këtë fundjavë ndërsa përkujtojmë Pashkën. Uroj që kjo të jetë Pashka jote e fundit që ti kalon në indiferencë ndaj Shpëtimtarit tënd dhe e para që shkel në Mbretërinë e Tij!

Gëzuar Pashkën!

Rudina Bakalli

×
Share This