Nuk kam nge të merrem me fe, po ti?

Nuk kam nge të merrem me fe, po ti?

“Jepi Cezarit atë që i takon Cezarit” më tha tek po priste kuponin.

“E ka thënë Jezu Krishti këtë, jo unë” vazhdoi më tej shitësja, ndërsa po përpiqesha të kuptoja se pse po ma thoshte pikërisht atë ditë dhe jo një tjetër. Kisha blerë parfum tek ajo kush e di sa herë por nuk kishte treguar asnjëherë ndonjë devotshmëri të papritur me thëniet e Jezusit.

“E di – i thashë me buzëqeshje- që e ka thënë Jezusi.”

Nuk mbaj mend se çfarë më tha më tej. E rrëfej se më kishte kapur në befasi, duke i dhënë bisedës një rrjedhë që nuk e prisja atë moment.  

“Unë jam ortodokse”- vazhdoi ajo pa e pyetur

“A beson tek Jezusi?”- e pyeta si për të bërë dallimin që të besosh dhe të mendosh se i përket një besimi të caktuar fetar, janë dy gjëra të ndryshme

“E besoj ashtu sipas mënyrës sime. Po unë nuk kam nge e kohë të merrem me fe”

“As unë nuk kam nge e kohë të merrem me fe”-iu përgjigja “Shpresës” ndërsa kishte hapur sytë. Nuk e priste përgjigjen time. Një njeri që shkon në  kishë dhe thotë se nuk merret me  fe!

Më rastis të takoj shumë njerëz si “Shpresa”. Ata të gjithë besojnë, sipas mënyrës së tyre. Besojnë në një Zot që e kanë krijuar në kokën e tyre, po sipas mënyrës së tyre. Ata jetojnë për emrin, namin, dyqanin dhe bukën e përditshme, për të shkuar e u kthyer nga puna, për të shkuar në ndonjë restorant kur ua jep rasti e mundësia e të flasin një muaj të tërë për atë eksperiencë të paharrueshme, për të folur një orë e javë e muaj të tërë me shoqet e punës për filan krem, shampo, fustan, këpucë, për gjithçka e për asgjë. Janë aq të zënë sa nuk kanë kohë të merren me punëra të parëndësishme dhe të pakuptimta si feja. Ata janë shpirtëra të lirë, që nuk kanë qejf të ua përcaktosh ti se si e ku duhet të besojnë e çfarë ritesh duhet të ndjekin. Ata nuk kanë nge për të tilla gjëra. Për fat të keq dhe ironi, nuk kuptojnë se gjërat për të cilat kanë nge janë po aq të padobishme dhe të kota, dhe në vetvete janë një fe- një fe që për Zot ka Asgjënë. Ata i shërbejnë këtij Asgjëje ndërsa jetojnë sipas rregullave, prioriteteve dhe ideve që Ai u dikton.

Më vjen keq që nuk kam nge të merrem me fustanin e komshies, as me këpucët e saj, as se si i kishte bërë flokët, as se sa e mirë ishte pica e filan restoranti, as të përpiqem t’i mbush mendjen lagjes dhe botës se unë vlej vetëm kur kam dalë nga parukeria dhe jam veshur me firmato. Unë e di që vlej. E di që jam e çmuar. E di që jam e pranuar dhe me duan. E di që kam një të ardhme dhe shpresë. Nuk kam nevojë të varem tek të tjerët për t’i patur këto. Ato më janë dhënë nga Ati  i dritave. Dhe unë ashtu si Shpresa, nuk kam nge as qejf për fe, sepse feja nuk shpëton. Jezusi shpëton. Njërëzimi kishte fe kur Ai erdhi në botë, por i mungonte një marrëdhënie personale me Perëndinë. Ai erdhi pikërisht për këtë, të na pajtojë me Perëndinë dhe të na japë një jetë me bollëk.

Besimi tek Jezusi nuk është fe. Nuk është një grumbull rregullash dhe orar veprimesh kur shkon e del nga kisha pasi ke larë gjynahet. Besimi në Jezusin do të thotë një jetë e re, sy të rinj për të parë botën, prioritete të duhura, të vendosura në vendin e duhur, shpresë, qëllim, kuptim, përmbushje. Besimi në Jezusin do të thotë të veshësh një identitet të ri,  i cili është dhuratë nga Krijuesi. Identitet i pajisur me çdo gjë për të jetuar një jetë në paqe dhe fitore të njëpasnjëshme.

Mos ki nge kurrë për fe, por ki nge dhe uri për t’u pajtuar dhe qenë në paqe dhe në një marrëdhënie të drejtë me Perëndinë. Të mos kesh nge apo uri për këtë, do të ishte sikur të thuash: nuk kam nge të ha bukë, sepse kam gjëra më të rëndësishme për t’u marrë.

“Unë erdha që ata të kenë jetë dhe atë me bollëk” Jezusi

 

Rudina Bakalli

×
Share This