Tërmeti, një çantë shpine dhe Zoti

Tërmeti, një çantë shpine dhe Zoti

Vetëm një çantë shpine. Gjithë pasuria materiale që mund të merrnim me vete ishte në atë çantë shpine. Gjërat kryesore. Pashaportat, një bibël- edhe pse këtë të fundit e kam në telefon, preferoj të kem një të printuar, një ditar, disa ndërresa, furçat e dhëmbëve, karikues, portofol, ilaçe. Kaq, mbyllim derën dhe nuk shikojmë prapa. Në mendjen time them se të gjitha mund të zëvendësohen përsëri, edhe pse ka brenda albume me fotografi dhe relike të grumbulluara gjatë viteve nga ditëlindjet a përvjetorët, udhëtimet tona, të cilat mund t’i humbasim, por humbja e tyre as nuk vihet në peshore me mirënjohjen që jemi mirë, që fëmijët e mi janë krahë meje, jemi gjallë.


Ka njerëz që reagojnë ndryshe ndaj fatkeqsive natyrore dhe kombëtare. Disa zgjedhin të mos shohin lajmet, të mbyllin televizorin dhe të mos lexojnë asgjë. Unë për çudi jam në kahun e atyre që lexojnë e shikojnë çdo gjë, që tërhiqen nga historitë njerëzore. Dhimbja e mbledhur që derdhet në lutje. Për disa lutja mund të jetë paradoksale, si mund t’i lutesh një Zoti që ka lejuar këtë të keqe të ndodhë.


Ndoshta të gjithë në mënyrë të hapur apo të fshehur ngrejmë pyetjen “pse”. Pse Zoti e ka lejuar këtë të keqe? Pse ata që ishin nën rrënoja nuk ia dolën dot? Pse disa familje u shuan të tëra?
Sa herë përpiqemi të analizojmë apo shpjegojmë të keqen, mundësia për të dështuar është e madhe. Apostulli Pal në një nga letrat e tij adresoi njohurinë e pjesshme të njeriut, duke thënë se tani shohim pjesërisht, por do të vijë një ditë që do të njohim e shohim plotësisht, dhe kjo njohje dhe shikim i plotë nuk do të ketë lot as dhimbje.
Ndërsa Timote Keller, një nga teologët dhe filozofët më të njohur të krishterë të shekullit tonë, autor i preferuar për mua, në një nga librat e tij, ndërsa flet për të keqen, e shtron pyetjen ndryshe: Kur shohim ligësinë dhe kapacitetin njerëzor për mëkatin, duhet të pyesim se si ka mundësi që një Perëndi i shenjtë të na falë, dojë, kujdeset për ne çdo ditë, dhe të na lejojë të shfrytëzojmë të mirat e tokës që Ai ka krijuar, paçka se ne e mohojmë Atë çdo ditë dhe nuk ia njohim këtë meritë të krijimit.

E keqja merr kuptim dhe shpjegim kur kuptojmë mëkatin dhe konsekuencat që bota ka patur qëkur mëkati hyri në skenë. Vdekja nuk ishte pjesë e planit të Perëndisë. Vdekjen e ftuam ne me mosbindjen tonë. Besoj që shumë nga ne nuk e kanë të vështirë të pranojnë se tragjedia e këtij tërmeti do të kishte qenë shumë ndryshe, nëse si njerëz do të kishim dashur ligjin dhe do të kishim respektuar rregullat për të ndërtuar sipas standarteve. Si do të ishte vendi ynë nëse do t’i kishim thënë jo tundimit për t’u pasuruar me çfarë do lloj mënyre në kurriz të mirëqënies së tjetrit, e madje vetë trashëgimtarëve tanë të cilët do të duhet të jetojnë në këtë shoqëri e vend që po u lëmë?

E keqja merr shpresë kur kujtojmë sakfricën e Jezusit në kryq. Ai erdhi që të shpengojë njerëzimin dhe botën nga pasojat e mëkatit. Erdhi siç tha edhe vetë të na japë jetë, e atë me bollëk. Kjo është siguria që kemi, për t’u ringritur prej hirit. Jeta në Jezusin nuk ka kurrë një fund pa kthim. Ajo ka shpresë. Të gjithë ne që i kemi besuar Atij, mund të dëshmojmë për fuqinë e jashtëzakonshme që kemi parë në jetët tona, për sigurinë e paqen e pakuptimtë që na jep në situata të vështira, dhe guximin e marrë për t’u përballur me sfidat duke patur shpresë e besim të patundur, se Ai që dha jetën për ne, nuk do të na kursejë asgjë tjetër.

Nuk ka problem ta dyshosh, ta kundërshtosh, ta kritikosh, ta mohosh, të mos ta kuptosh, të gjithë kemi nisur në një nga këto pika, por është tragjedi nëse nuk merresh me pyetjet që ke, me kundërshtimet, me kritikat, me zemërimin, me mohimin, në një mënyrë të sinqertë, duke i thirrur Perëndisë që të të shfaqet nëse Ai është Ai që Shkrimet e Shenjta thonë se është.

Ai ka premtuar se ata që do ta kërkojnë me gjithë zemër, kanë për ta gjetur dhe se kushdo që do t’i thërrasë në kohe fatkeqsie, Ai do t’i përgjigjet dhe do ta clirojë.

Sot është dita që të kthesh sytë nga qielli dhe ta thërrasësh Atë me gjithë fuqine e shpirtit tënd. Jam e sigurtë që do të të përgjigjet.

Ishte një njeri besimi i quajtur Abraham, i cili negocoi me Perëndinë, që ndërsa planifikonte të shkatërronte Sodomën e Gomorrën për shkak të ligësisë së tyre të pashoqe, të shpëtonte ata pak njerëz të drejtë që mund të ishin në qytet. Ai e dëgjoi.


Ishte një njeri tjetër i quajtur Moisi, të cilit Perëndia iu shfaq në një shkurre që digjej. Ai negocoi me Perëndinë të falte popullin e nxjerrë nga Egjipti, kur ata rebeluan, dhe Ai e dëgjoi.


Ishte një njeri që quhej Jakob, i cili thuhet se `u ndesh me Engjëllin e Perëndisë gjithë natën, dhe nuk e la të shkojë pa e bekuar. Dhe Ai e dëgjoi.


Ishte një njeri që quhej Jezus, i cili lindi nga e virgjëra, dhe për të cilin Shkrimet dëshmojnë se është Fjala e ardhur në mish, emri i Tij është Emanuel, që do të thotë Perëndia me ne. Ky Jezus, identiteti i të cilit është misteri më i madh i kohërave, 100% njeri dhe 100% hyjni, ka ndërmjetësuar dhe vazhdon të ndërmjetësojë për ne tek Ati për secilin nga ne edhe sot. Ai i përgjigjet kujtdo që e thërret dhe pranon dhuratën e shpëtimit që Ai e siguroi me gjakun e Tij.

“Sot nëse e dëgjon zërin e tij mos e ngurtësoni zemrën”

Rudina Bakalli

×
Share This