Halloween, ke lexuar të gjitha, por këtë jo…

Halloween, ke lexuar të gjitha, por këtë jo…

Halloween është një nga traditat e reja të huazuara nga Perëndimi pas rënies së komunizmit, e cila erdhi duke u rritur dhe marrë interes për shkak të vemendjes mediatike, por më së shumti asaj komerciale. Dihet tashmë që shumë biznese shqiptare orientohen drejt festave duke rritur kështu fitimin. Duket si një gjueti shtrigash, si një Halloween më vete.

Pavarësisht kostumeve të frikshme dhe të shëmtuar, kjo traditë merr shumë vëmendje sidomos nga të rinjtë dhe fëmijët të cilët duken të ekzaltuar nga idea e vdekjes, elementit të përtejmë dhe idesë së shpirtrave të këqinj. Ndoshta lidhet me kuriozitetin që duket se lind bashkë me jetën për atë që është përtej jetës, apo të padukshmes dhe asaj që prekim. Ndoshta lidhet me dëshirën që secili nga ne ka për të mposhtur të keqen dhe vdekjen.

Festa e ka origjinën në një festival pagan të fiseve kelte, të cilët festonin Vitin e Ri ne 1 Nëntor. Gjithashtu lidhej me mbarimin e verës, dhe ardhjen e dimrit- periudhë që me sa dukej sillte dhe më shumë vdekje, përveç “vdekjes” së natyrës. Keltët besonin se në 31 Tetor shpirtrat e vdekur ktheheshin nga bota e përtejme dhe shkaktonin jo vetëm dëme në të korrat e tyre, por edhe merrnin jetë njerëzish. Për këtë arsye bënin kurbanë, dhe visheshin me kostume të errëta, imitim shtrigash, një praktikë bestyte kjo për të cilën besonin se dëbonte shpirtrat e vdekur.

Kjo përpjekje për të mposhtur të ligën apo për të mposhtur vdekjen, më sjell në mend dy ngjarje epike dhe të papërsëritshme në Bibël: daljen e popullit hebre nga Egjipti dhe festimin e Pashkës së parë, dhe Pashkën e fundit që Jezusi festoi.

Cfarë ishte Pashka ose festa e Mbikalimit?

Në këtë ditë Perëndia i dha udhëzime popullit të Izraelit se si t’i mbijetonin plagës së dhjetë që do të godiste Egjiptin për shkak të ngurtësisë së Faraonit, për të lënë të lirë nga skllavëria popullin hebre që u shërbente prej 400 vjetësh. Atë natë Engjëlli i vdekjes do të kalonte mbi Egjiptin, duke goditur për vdekje të parëlindurit, djemtë e parë të familjes, dhe kësaj plage mund t’i shpëtonin vetëm ata që do të lyenin trarët e derës së tyre me gjakun e një qengji të sakrifikuar. Nëse keni parë filmin “Princi i Egjiptit” atëherë kjo skenë mund të jetë para syve tuaj.

Rreth 4000 vite më vonë, Jezusi do të kryqëzohej gjatë festës së Pashkës dhe do të ringjallej të tretën ditë, duke përmbushur plotësisht simbolikën e Pashkës.

Profeti Gjon Pagëzor do ta quante Jezusin: Qengji i Perëndisë që heq mëkatin e botës.

Jezusi ishte dhe është përgjigjia e vetme për mua dhe ty, për të mbikaluar vdekjen. Eshtë e vetmja përgjigje dhe garanci që kemi se mund ta mposhtim atë. Me anë të gjakut të tij, si të qengjit të përsosur të sakrificës, kemi marrë faljen e mëkateve, birësimin nga Perëndia, si edhe dhuratën e jetës së përjetshme.

Edhe pse sot shoqëria jonë është më e emancipuar dhe Halloween festohet jo për të trembur shtrigat, ajo përsëri ka një sfidë të pamposhtur, dhe pyetje të cilave ende duhet t’ju gjejë përgjigjen. Pyetje si a ka jetë të përjetshme dhe nëse po si fitohet ajo, a ka Perëndi dhe nëse po si është Ai dhe cili është raporti i tij me njeriun, a është çdo njeri mëkatar apo çfarë është mëkati etj.

Secili prej nesh arrin në një pikë në jetën e tij kur këto pyetje nuk mund t’i shmangë. Përgjigjia e tyre është po aq e qenësishme sa edhe ajri që marrim. Ndaj ia vlen t’i bësh.

Rudina Bakalli

×
Share This